Mirëmëngjes marrëzi!

Opinione

Mirëmëngjes marrëzi!

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 8 shtator 2018 Në ora: 11:05
Melihate Tërmkolli

“Nëse Presidenti serb viziton Ujmanin pa lejen e Kosovës, ai do të arrestohet”, tha para dy ditësh Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i PDK-së.

Por u lejua vizita e Presidentit të Serbisë, dhe ai sot viziton edhe Ujmanin (Gazivoda) dhe nesër mespërmes Drenicës, shkon deri në fshatin Banjë, në zemër të saj, në Drenicën e Adem Jasharit si në shtëpi “të vet”, (çfarë trishtimi!).

Lejimi i Presidentit të Serbisë për ta vizituar Ujmanin u bë me arësyetimin se miqtë paskan sygjeruar të lejohet ajo vizitë “në mënyrë që të mos ngriten tensione ndërmjet dy shteteve”. Përkthyer në shqip kjo d.m.th. të mos shqetësohet e të mos tensionohet Serbia, Vuçiqi!

Po Kosova, ku është Kosova! A po ajo nuk ka pse tensionohet nga kjo vizitë, pse të shqetësohet për Ujmanin, edhe ashtu ka vënë në pazar gjithçka, edhe tokat edhe ujin!

Këta “trimat’ e Kosovës, ia japin Vuçiqit krejt Kosovën, veq të mos shqetësohet Serbia, “të mos ngriten tensione”. Këta i poshtërojnë të gjithë shqiptarët, e poshtërojnë shtetin tonë!

Barbarët gjithnjë kthehen në vendin e krimit, për krime të reja!

Ata që nuk janë dënuar për krimet e djeshme, për gjenocidin, ata që nuk kanë marrë mundin të bëjnë madje as një kërkim falje për plojën kundër shqiptarëve e Kosovës, veç  një qëllim kanë: përsëritjen e krimit, vazhdimin e tij.

P.S.

Mbase kam dëgjuar gabim por Presidenti Thaçi, paska bërë plan t’ia kthejë vizitën Aleksandrit,  paska vendosur që këto ditë ta vizitojë Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, të ndalet për vizitë në nyjën hekurudhore në kufi me Maqedoninë dhe të vazhdojë në Vranjë, Kushumli, Toplicë e deri në Nish, toka shqiptare, autoktone, të grabitura nga Serbia.

Të shohim çfarë mesazhi na sjell nga Nishi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat