Vuçiqi lufton për ta ndarë në dysh urën e Thaçi për ta shpëtuar lëkurën

Opinione

Vuçiqi lufton për ta ndarë në dysh urën e Thaçi për ta shpëtuar lëkurën

Nga: Lirim Gashi Më: 9 shtator 2018 Në ora: 18:13
Lirim Gashi

Shqiptarë të dashur:

Fjalimi përmbyllës i Vuqiqit para qytetarëve serb në Mitrovicë ishte në njëfarë mënyre një përgjigje në letrën që ia dërgova para një viti.

Mitin për popullin qiellor ai sot definitivisht e tokëzoi, ndërsa masën e uritur për fjalime të zjarrta shoviniste  millosheviqiane ai sot jo vetëm që nuk e ngopi, por e la të uritur si kurrë më parë.

Gjithashtu popullin e përmalluar për përjetime qiellore ai sot definitivisht e zbriti në tokën dhe realitetin e zymtë të Kosovës duke e çarmarosur paraprakisht dhe tërësisht nga arsenali qafë thyeres, mitologjik dhe romantiko-idiotik dhe duke e armatosur me arsenal real, racional, jetësor dhe përmbajtësor.

E zbriti pikërisht dhe fatkeqësisht në tokën e pa definuar të Kosovës nga e cila ia kishte mësyer qiellit në vidovdanin e vitit 1989 për t'i bërë me lejen e Zotit mitologjik Vido të gjithë fqinjët tokësor shkrum e hi.

Pikërisht lejen nga Zoti Vido për të rrënuar gjithçka para vetës ai ia shkyu sot para syve të botës dhe për herë të parë në historinë tonë të përbashkët serbeve të privilegjuar dhe llastuar me shekuj nga të gjitha sistemet dhe ideologjitë përveç asaj naziste.

Me kaq përfundoi pjesa letrare, teorike dhe teatrale do të thosha para një viti dhe do të më kaplonte një rrënqethje në trup nga ankthi dhe mllefi për nivelin qiellor të gënjeshtrës tradicionale serbe përmes së cilës ata me mijëra herë e hipnotizuan deri në dehje kolektive së pari vetveten e pastaj edhe të gjithë miqtë dhe armiqtë tokësor.

Për pjesën praktike as që do të meditoja i bindur që e njoh përgjigjen pas përvojës shekullore të popullit tim me shndërrimin e fjalëve të ëmbla serbe në përjetime të hidhura shqiptare.

Vuçiqi është definitivisht një artist i fjalës së shkruar dhe të thënë.

Mollotovi i tij retorik i përbërë nga mjalti dhe pelini ia mundëson atij fitoren verbale ndaj engjëllit dhe djallit në të njëjtën masë.

Ai është aq i lyer me të gjitha llojet e vajrave të parajses dhe ferrit sa që me shpejtësinë e dritës kalon prej mimikes së deles në atë të derrit. 

Dhe ti për të lexuar mes rreshtash futësh në lëkurën e Gjarprit tonë apo Zmijes së tyre dhe e kupton që të dytë janë të njëjtë prej natyre.

Aq janë të ngjashëm sa që nuk e kupton cili është origjinali e cili imitati dhe pa hezitim fillon të besosh se serbeve me Thaçin në krye do t'iu printe edhe më shumë fati.

Ky irritim vazhdon deri në momentin kur të bie ndërmend që i pari po lufton për ta ndarë në dysh urën ndërsa i dyti për ta shpëtuar me ndihmën e të parit lëkurën.

Fjala magjike e ditës ishte: Citat: '' Të jemi unik si shqiptarët në vitet e shtatëdhjeta, tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta të shekullit të kaluar" fund i citatit.

Dhe ty derisa të kujtohet pse ishin shqiptarët aq unik në vitet e gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta, tetëdhjeta dhe nëntëdhjeta të shekullit të kaluar edhe vagoni i fundit i trenit të ka ikur, të ka shkuar.

Të jemi të sinqertë me vetveten për të mos ia bërë rrafsh njëri tjetrit, sepse sinqeriteti është një hap i madh në drejtimin e duhur.

Vuçiqi është një kali i madh pas së cilit çohet shumë pluhur. Aq është i madh sa që e mbanë nën sqetull çdo gomar tonin në pushtet, sepse të gjitha qëllimet i arrin me kalin tonë të Trojes në duet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat