Kthimi i Kolonelit

Opinione

Kthimi i Kolonelit

Haki Latifi Nga Haki Latifi Më 19 shtator 2018 Në ora: 11:01
Kolonel Ahmet Krasniqi

Rivarrimi i eshtrave të ish-Ministrit të Mbrojtjës së Republikës së Kosovës në ekzil, Kolonel Ahmet Krasniqit në Prishtinë, më 21 shtator 2018, është një ngjarje historike jo vetëm për kryeqendrën Prishtinën dhe për Kosovën, por për mbarë Kombin Shqiptar, pasi asaj Ai i përket. Ai punoi, luftoi dhe u vra për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

Në këtë ceremoni të rivarrimit dhe të prurjës së eshtrave të Kolonelit, po realizohet një dëshirë e familjarëve, bashkëluftëtarëve, në të cilën me kërkesë të grupit parlamentar të LDK-së, të inicuar para një viti nga deputetët: Doruntinë Maloku, Anton Quni, Vjosa Osmani dhe Armend Zemaj, e miratur nga Kuvendi i Kosovës, e përkrahur nga Ministria e FSK-së dhe tani po realizohet nënë kujdesin e Qeverisë së Kosovës.

Siq dihet trupi i Kolonelit Ahmet Krasniqi gjer më tani ka pushuar në varrezat e Sharrës në Tiranë dhe për shkaqe të ndryshme nuk është realizuar prurja e eshtërave dhe rivarrimi në Kosovë.

Porse, gjerësa tash po ralizohet kjo dëshirë, konsideroj se mbarë kombi i ka borxh këtij heroi për një rivarrim të denjë, me një pjesëmarrje sa më të madhe mbarë kombëtare, ashtu si i ka hije kombit dhe vlerave për të cilat dallohej Kolonel Ahmet Krasniqi: nderi dhe burrënia, atdhedashuria dhe vetflijimi për të mirën e Kosovës dhe të Shqiptarëve.

Ideali i ish-Ministrit të Mbrojtjës së Republikës së Kosovës në ekzil, Kolonel Ahmet Krasniqit, ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëm me çdo përpjekje përçarëse në luftën e rezistencës së armatosur kundër armikut shekullor serb.

Familjarët e kolonelit, vendlindja e tij Zhilivoda, bashkëpunëtorët, bashkëluftetarët dhe qytetarët e Kosovës, më 21 shtator 2018, e presin kthimin në vendlindje të birit të tyre, të vrarë jo në frontin e luftës por në errësirën e natës së 21 shtatorit të vitit 1998 në Tiranë. Të gjithë i gëzohen kthimit dhe realizimit të dëshirës së tyre, që ta mbajnë pranë luftëtarin e lirisë, dhe ish Ministrin e parë të FARK-ut, Kolonel Ahmet Krasniqin. 

Koloneli u vra mizorisht dhe tinëzisht në pritë nga qyqarët dhe të pa besët, sikur që u vranë në vazhdimësi në këto vitet e fundit edhe shumë atdhetarë të tjerë në zë, të cilët ishin krenaria e kombit dhe shpresa e Kosovës.

Por, mos të habitemi se, edhe sot ka të tillë që, nderimin për kolonelin qëllimisht e injorojnë, janë të njejtit të cilët penguan unifikimin e luftës së armatosur kundër okupatorit serb, të cilën e gjakoi me ngulm pikërisht kolonel Ahmet Krasniqi, si ministër mbrojtje dhe si Komandant i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Familja, populli shqiptar pret dhe shpreson të thuhet e vërteta për vrasjen e Ministrit të parë të Mbrojtjës së Kosovës, por janë skeptik a do të thuhen…eh sa gjëra janë pa thënë, dhe kurrë ndoshta nuk do të thuhen! Nuk do të thuhen pasi pishtarin e Ministrisë së Mbrojtjës e vrau shteti, pasi që siq thot „populli, në burg kalben peshqit e vegjel ndërsa peshqit e mëdhenj janë të lirë“, dhe do te rrinë të lirë tërë jetën.

Të gjithë e dimë se kur vret shteti e verteta mbytet por, populli i din vrasësit, politika i mbulon, kështu është historia, atë për fat të keq e shkruan më i forti! 

Por, vrasësit komplotistë që e vranë të mos ndihen të qetë, e të dridhen kur kurverojnë në hotelët e Kosovës e të Shqipërisë, në bordelot e Prishtinës e në pojatat e mafies, apo në studiot televizive ku e ndiejn vetën të plotfuqishëm, me bindjen se do t’u mbetën në fyt llokumat e vrasjeve e të pabesisë.

Dhe mirë u bë që eshtrat e Kolonelit po largohen nga ai vend që nuk e mbrojti por e preu ne besë, nga ai vend ku shteti në 20 vite vazhdon të mos e vërë ujin në zjarr për t’i vënë para drejtësisë vrasësit, nga ai vend ku askush për këto 20 vite, nuk e çau kokën t‘i kërkojë vrasësit. Rivarrimi i eshtrave të Kolonelit nuk shfajëson nga mëkatët institucionet dhe shtetin Shqiptar, duke filluar nga partitë kryesore që ishin në pushtet, me PS-në që ishte tutore e bandës që vrau Kolonel Ahmet Krasniqin e deri me PD-në, që e la në heshtje këtë krim të fëlliqur dhe qyqar. Për shtetin shqiptar do të mbetët gur i rëndë për ndërgjegjen e mykur institucionale të Shqipërisë, e cila (ani që e ka vra) por nuk i falet që nuk e ka zbardh vrasjen e ardhetarit për hirë të tradhëtisë ndaj tij dhe shtetit të Kosovës. Kuadrat ushtarake si Kolonel Ahmet Krasniqi e të tjerë, ishin shtyllat e fatit të një kombi. Vrasja dhe likuidimi i tij politik, ishte vetëm në interes të bashkëpunëtorëve shqipfolës të Serbisë.

Familja dhe qytetarët e Kosovës, janë në pritje, duke besuar fort se do të vjen një ditë, që zbardhja e vrasjes se Kolonel Ahmet Krasniqit do të hidhte dritë edhe në gjithë zingjirin e vrasjeve të tjera të ndodhura gjatë dhe pas lufte në Kosovë.

Figura e Kolonel Ahmet Krasniqit na obligon, sepse është figurë kolosale e luftës sonë për liri. Ai i vuri bazat, themelet e një ushtrie çfarë nuk e kishte Kosova deri atë kohë. Është tjetër gjë që nuk u kuptua sa duhet dhe nuk u unifikuan të tjerët pas tij, ani se, ai me mish e shpirt u përpoq dhe punoi për këtë unifikim.

I dekoruar nga ish Presidenti Fatmir Sejdiu si Hero i Kosovës, më 15 shtator 2009 dhe nga ish Presidenti Bujar Nishani, dekurohet me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu", më 12 shkurt 2015, atdhetari Kolonel Ahmet Krasniqi, e ka vendin e respektin në zemrat e mendjet tona, dhe në panteonin kombëtar. 

Rivarrimi i eshtrave të Kolonel Ahmet Krasniqi, është një rast i mirë reflektimi serioz mbi vlerat që përfaqëson ky burr i denjë i kombit shqiptar dhe njëkohësisht duhet të jetë edhe një rast solidarizimi mbarë kombëtar rreth këtyre vlerave!

Koloneli do të jeton me lavdi në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, e kriminelet do i ndjekë terë jetën hija e tyre dhe turpi i tradhëtisë.

Koloneli tani do të pushoj i qetë në Paqe, në tokën Dardane, afër Komandantit të përgjithshëm dhe ish Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa ne do të jemi të qetë vetëm atëherë kur drejtësia të vihet në vend e heronjtë tanë të pushojnë të qetë n'atdheun e tyre.

Ideali i Kolonel Ahmet Krasniqi do të vazhdoj të bën dritë të fortë në tokën Dardane dhe mendjet shqiptare!

Lavdi për jetë e mote!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat