Koloneli që ia vuri themelet ushtrisë së Kosovës

Opinione

Koloneli që ia vuri themelet ushtrisë së Kosovës

Nga: Shpend Shala, ushtarak Më: 21 shtator 2018 Në ora: 08:56
Shpend Shala, ushtarak

-Të nderuara zonja dhe zotërinjë !

-Të nderuar organizatorë !

-Të nderuar oficerë e bashkëluftëtarë të Kolonelit !

-Të nderuar miqë dhe të afërm të kolonelit !

-E nderuara Familje Krasniqi!

Kjo akademi përkujtimore po mbahet me rastin e 20 - vjetorit të vrasjes së Ministrit të Parë të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit”, e ne sot me krenari po e përkujtojmë Komandantin e parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrin e Parë të Mbrojtjes që e kishte Republika e Kosovës.

Tani në këtë përvjetor shihet më së miri se plumbi kurrë nuk mund ta vret individin, plumbi i tradhtarëve e pengoi vetëm ecjen e Ahmet Krasniqit drejt fitores së lirisë, por kurrë nuk ka mundur ta vret madhështinë dhe famën e tij. Se fama e një oficeri të karrierës, ishte fama që pat koloneli ynë i nderuar dhe i paharruar për të gjallë dhe tani kjo famë e ngriti Ahmet Krasniqin deri në Hero i Kosovës edhe për të vdekur.

Pikërisht ajo dorë që shtiu mbi Ahmet Krasniqin, në mes të Tiranës (ku nuk duhej të ndodhte),  shtiu edhe në fushëbetejat, edhe në prag lirie, edhe në lirinë e Kosovës. Po ai plumbi antishqiptar e çoi në përjetësi edhe Salih Çekajn, nënkryetarin e Degës së LDK-së në Gjermani dhe komandantin e betejave të famshme në Koshare, padyshim njeriun që luajti rol me rëndësi në krijimin dhe organizimin e bërthamave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj tradhtia do të ndryshojë formën e veprimit, por rruga e krimit të zi do të veshi me zi edhe shumë familje shqiptare. Me një fjalë do të fillojë gjuetia e shtrigave e cila do të vazhdojë edhe në kohë paqeje, edhe në ditë lirie, duke vrarë komandant Drinin, pastaj komandantin e Dukagjinit, Smajl Hajdarajn, luftëtarin dhe komandantin Ukë Bytyçin e deri te kolonel Tahir Zemaj, si dhe një varg emrash e personalitetesh  tjera që në këto çaste përkujtimi nuk po i përmendi.

Sado që këto vrasje, këto krime ishin të mëdha, ishin të rënda dhe jo vetëm që shkaktuan dhembje, por deshën të lënë vakum institucional, megjithatë, “Fama nuk vritet”, ajo i çoi proceset përpara dhe Kosova e fitoi pavarësinë e saj për të cilën Kolonel Ahmet Krasniqi luftoi dhe punoi duke u bërë edhe theror i kësaj pavarësie.

Tani Pavarësia e Kosovës erdhi, ajo tashti është pjesë e përditshmërisë sonë, pjesë e familjeve tona, prandaj edhe ne më me krenari  po e kujtojmë kolonelin tonë Ahmet Krasniqi.
 
Pasi ne jemi në një akademi që i kushtohet personalitetit të shquar, oficerit të karrierës kolonel Ahmet Krasniqit,  Ministrit të Parë të Mbrojtjes që e pat Kosova, e ndiej për obligim moral dhe profesional  t’i them dy fjalë për njeriun dhe ushtarakun  Ahmet Krasniqi,  i cili padrejtësisht u nda nga ne, u nda nga ushtarët dhe u nda nga Kosova më 21 shtator 1998, atëherë kur flaka e luftës pat përfshirë, cep më cep, tokën e Kosovës.

Dihet se për krijimin e strukturave ushtarake të Republikës së Kosovës janë bërë përpjekje qysh në vitin 1993, por siç e dini në atë kohë patën ndodhur burgosje masive, të cilat për një kohë e shtynë procesin e krijimit të ushtrisë.  Ideja për rikrijimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës u përsërit në mars të vitit 1998, gjë që krijoi bazën e një organizimi institucional të luftës çlirimtare të popullit tonë, që ishte nën robërinë e atëhershme serbe.
 
Në funksionin, “Ministër i Mbrojtjes”, u caktua kolonel Ahmet Krasniqi, një atdhetar që rridhte nga një familje me tradita të larta të atdhedashurisë dhe të trimërisë. Ai ishte eprori ushtarak me përgatitje të lartë profesionale.

Siç e theksuam edhe më lart, forca të errëta dhe antikombëtare për të penguar forcimin dhe zhvillimin e luftës së UÇK-së, në terren, e vranë kolonel  Ahmet Krasniqin, të vetëdijshëm se po ndikojnë drejtpërdrejtë në organizimin profesional të ushtrisë në frontet e luftës, (gjë që u vërtetua më vonë), pasojat e të cilës i bartën në kurrizin e tyre luftëtarët dhe popullsia e Kosovës në përgjithësi.

Por dymbëdhjetë vjet më parë, në kohën kur okupatori barbar serb, bënte vrasje masive dhe terror të paparë në shkallë gjenocidi, në mes të Tiranës, kriminelët vranë kolonel Ahmet Krasniqin, i pari Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës. Dhe kjo ishte gjëja më e shëmtuar, tradhtia më e madhe që pushtetarët socialistë të Tiranës po i bënin Luftës së Kosovës, jo duke lejuar, por duke ia përgatitur atentatin Ministrit të Mbrojtjes.

Vrasja e njerëzve me ndikim ushtarak shqiptarë ishte e planifikuar. Këtë gjë Serbia dhe shërbëtorët e saj e bënin me plan dhe me strategji. Ata e patën kolonel Ahmet Krasniqin në shënjestër që nga fillimi i Luftës së hapur në Kosovë. Kjo ndodhte për të dobësuar Luftën Çlirimtare të Kosovës po më shumë për të futur ndasi e përçarje ndër shqiptarë, për t’i shtuar krimet dhe vrasjet në mes ushtarëve, e përgjithësisht kundër shqiptarëve.

Vrasja e Ahmet Krasniqit, ushtarakut më të shquar që e pat UÇK-ja,  njeriut që personalisht doli në ballë të luftës për pavarësinë e Kosovës, u bë vetëm
e vetëm për ta vrarë Lirinë e Kosovës.  Ai ishte i guximshëm prandaj u likuidua fizikisht, sepse prania e tij ua verbonte sytë, sepse madhështia e tij nuk arrihej, prandaj nga smira dhe urrejtja shtinë mbi Njeriun e Madh të Kosovës, që pa asnjë dyshim Ahmet Krasniqi ishte ndër më të mëdhenjtë që pat Kosova. 

Por, atentati mbi Ministrin e Mbrojtjes dhe pikërisht në mes të Tiranës ishte kulmi i provokimit masiv, për ta çorientuar luftën dhe lirinë e Kosovës. Ajo vrasje pat qëllim për ta përçarë UÇK-në, ashtu siç u përça përmes atij atentati të planifikuar që pastaj krimi të shtrihet edhe në frontet e Luftës, edhe në pragun e lirisë, por vazhdoi edhe në vitet e pas
luftës deri sa erdhën vet në pushtet për t’ia marrë tashti edhe pasurinë Kosovës.
 
E ritheksoj, se vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit, njërës nga figurat më markante të Ushtrisë së Kosovës, jo vetëm që e pengoi ngritjen dhe zhvillimin e saj mbi konceptin institucional, por ndikoi negativisht në përçarjen e strukturave të UÇK-së dhe filloi një luftë likuidimesh, jo për të vrarë serbë, me të cilët ishin të hapura frontet, por për ta eliminuar kreun ushtarak të Kosovës, në mesin e të cilëve në frontin e luftës u vranë edhe Salih Çekaj e Agim Ramadani, kurse kulmi i këtij terrori do të arrihet
me vrasjen në liri të kolonel Tahir Zemajt, për t’u shtrirë këto vrasje edhe në rrafshin e personaliteteve të jetës politike.
 
E shoh mbase të arsyeshme ta theksoj se kolonel Ahmet Krasniqi mbetet personaliteti më tragjik i uniformës ushtarake të Ushtrisë së Kosovës, i cili në funksionin e Ministrit të parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, u vra në Tiranë, në kohën kur në Kosovë flaka e luftës çlirimtare kishte përpirë shumicën e territorit të saj.

Për meritat e tij për Luftën e Kosovës, po sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ai është nderuar e respektuar nga Populli i Kosovës, ai sot për të gjithë është Hero i Luftës dhe në analet e ushtrisë së Kosovës do të mbetet si i Pari Ministër i Ushtrisë së Kosovës dhe nuk do të shkojë  larg dhe do ta pranojnë të gjithë, se  “askush më shumë se kolonel Ahmet Krasniqi, nuk ka bërë përpjekje për bashkimin e faktorit politik dhe ushtarak ndërmjet UÇK-së dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës”.

Tani Kosova Jonë, pa asnjë dyshim do të integrohet në bashkësinë e kombeve të lira, dhe kështu do të realizohet edhe ëndrra e kolonel Ahmet Krasniqit.

Zoti e bekoftë Ministrin e Parë të Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqin !

Zoti e bekoftë familjen Krasniqi !

Zoti i bekoftë dhe i ruajtë fëmijët e Ahmet Krasniqit !

Zoti e bekoftë Kosovën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat