Përkushtimi shpirtëror e krijues

Opinione

Përkushtimi shpirtëror e krijues

Nga: Xhemail Peci Më: 22 shtator 2018 Në ora: 13:12
Dr. Sali Bashota

Në vend të hyrjes

“Një personalitet krijues që i ka merenditë me cilësi të lartë e të mbaruar, me nivel të lartë artistik e shkencor prirjet e tij krijuese e kritiko-studimore…Sali Bashota ndien përgjegjësi dhe përkushtim ndaj fjalës poetike.

Sali Bashota është i njohur në letrat e sotme shqipe si poet dhe studiues i letërsisë. Të lexosh poetin nga libri i parë “Album i grisur” (1986), duke vazhduar me veprat poetike “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994), “Dalje nga trishtimi” (1999) e deri te librat e fundit poetikë “Bukuri e nëmur” dhe “Ëndrra në parajsë” (2006), nga njëra anë dhe të lexosh njëherësh edhe kritikun e studiuesin me librat kritiko-letrarë e studimorë “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli-poet-prozator-kritik” (1999), “Domethënia e ideve letrare” (2001) e deri te ky i fundit “Proza e filleve të modernitetit” (2006), nga ana tjetër, kjo do të thotë të vështrosh, të ndjesh, ta zbulosh dhe ta shohësh një profil krijues në dy hapësira të shkrimit letrar, duke e shtruar fillimisht pyetjen: çka ka ndodhur për këto dy decenie rresht në literatureë, nga njëra ana dhe në jetën tonë nacionale, nga ana tjetër”. (Prend Buzhala: Opusi krijues e studimor i Sali Bashotës)

***

“Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin e huaj për shpirtin shqiptar…Sali Bashota nuk është vetëm një poet i shquar i bashkëkohësisë, por edhe një njeri i shquar i kulturës, studiues i letërsisë, si dhe drejtues i një instutucioni shumë të rëndësishëm, siç është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës.

Sali Bashota dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për ta hetuar natyrën dhe botën, para së gjithash, ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërëse të poezisë së tij.

Poezia e Sali Bashotës nuk mund të klasifikohet lehtë si: erotike, kombëtare, historike etj., poezia shndërrrohet menjëherë në një poezi universale-njerëzore. Një element përbërës i detajeve inspiruese të Bashotës është ëndrra. Ëndrra nuk është një dukuri fiziologjike në tekstin poetik, por më shumë si një realitet onirik i kashtosur me realitetin”. (Luan Toçiu, Shpirti fisnik i një poeti të jashtëzakonshëm. Kur të tjerët flasin për poetin tonë Sali Bashota)

***

“Lansime shqiptare në kryeqendrën rumune. Lidhur me përurimin e librit Ekzili i shpirtit, më 23 qershor 2005 në Bukuresht:

Sali Bashota është shqiptari që di t’i mobilizojë njerëzit, institucionet, atdhetarizmin dhe frymëzimet. Në vargjet e tij ndjehet përshpëritja e truallit shqiptar.

Në nëntitullin: Poeti është shpirt në shpirtin e kombit të tij:

U potencua me këtë rast se Sali Bashota është poeti i parë shqiptar nga Kosova, të cilit i organizohet një lansim libri në Bukuresht. Fjala është për një vepër të suksesshme, ku reflektohet poetika magjike shqiptare, e cila brenda një kohe të shkurtë qe kurorëzuar me 15 recensione të botuara, duke pasur për autorë emra të njohur, si: Luan Topçiu, Octavian Soviany, Adrian Majuru, Aurelian Qivu, Mihai Antonescu.

Në vargjet e Sali Bashotës fshihet kushtrimi për të qëndruar në zemër të historisë…(Baki Ymeri, Një poet vlerash universale, për librin e përkthyer në gjuhën rumune “Shiu pa Ty”). Vargjet e Sali Bashotës janë margaritarë ku ndjehen përshpëritjet e truallit shqiptar… Frymëzime të thella që e pasurojnë thesarin e lirikës moderne shqiptare”. (Baki Ymeri, poet, eseist, përkthyes dhe editor, Bota poetike e një jete të pavdekshme, për librin “Jetë me vdekje”)

***

“Lirika e shqiptarit Sali Bashota, njëri nga penat më të shquara të bashkëkohësisë së juglindjes europiane, është ajo e një poeti të jashtëzakonshëm. E trajtuar nga perspektiva e një koncepti të dhembjes e të durimit kosovar, krijimtaria letrare e kësaj ane të kontinentit veçohet në përgjithësi përmes një etosi nën horizontet e të cilit ajo shndrit si një vlerë shpirtërore e historisë në frymën e së cilës gjallëron, në formë të kondensuar, gjë që i detyrohet një epoke”. (Mircea Vulc?nescu).

***

“Koncepti përmes të cilit tentojmë t’i trajtojmë poezitë e Sali Bashotës, paralajmëron faktin se Europa është jo vetëm Perëndim, por edhe Lindje, dhe, plus kësaj, siç pohojnë analistët, nënvizon edhe nevojën e domosdoshme për të portretizuar ekzistencën e një profili shpirtëror të përbashkët.

Magjia e fjalëve të një shpirti fisnik”. (Dan Anghelescu. Poet, kritik letrar dhe profesor universitar. Poetika midis metafizikës, historisë dhe bashkëkohësisë)

***

“Lirizmi i Sali Bashotës, i një dramatizmi fisnik, i pakrahasueshëm për nga zëri i tij, integrohet në mënyrë harmonike me zërat e poetëve të mëdhenj, të mëdhenj dhe të papërsëristshëm…

Poet i vuajtjeve kosovare…misionar i shpirtit shqiptar”.(Georgeu Gibesku, poet rumun, kritik letrar, profesor universitar: Ndërmjet antikës dhe historisë, për librin “Ekzili i shpirtit”)

***

“Sali Bashota konsiderohet si njëri ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të poezisë shqipe në Ballkan”. (Victoria Milesku, poete dhe eseiste rumune: Ndjenja e besimit dhe zemërgjerësisë njerëzore, shkruar për librin “Ekzili i shpirtit”)

***

“Temperament poetik dhe ndjeshmëri dardane”. (Lucian Gruria, poet dhe eseist rumun: Poezia monolitike, për poemat në prozë të Sali Bashotës)

***

Nga shtëpia e Zeusit të Vajmarit te vatra e pashuar e atdhetarizmës shqiptare

Sali Bashota është krijues i cili shquhet për nderimin, vlerësimin dhe lartësimin e figurave eminente leterare dhe historike. Duke evokuar kujtimet e tij nga vizita që i kishte bërë shtëpisë-muze të poetit të madh botëror, ai është shprehur gjithë pietet lidhur me përmasën e përjetësisë së këtyre figurave:

“Në vitin 2004, kur e kam vizituar studion e punës krijuese, dhomën-muze të Gëtes në Vajmar, kam menduar me vete se poeti është qenie e mbinatryrshme, i cili shndërohet në Figurë të Përjetshme. Ngjashëm më ka ndodhur kur kam hyrë në kafenenë e Xhojsit në Dublin, por edhe në shtëpinë-muze të Emily Dickinosnit në Amherst, apo kur kam vënë lule të bardha mbi varrin e Lasgush Poradecit, apo kur kam marrë kumtin në Shëngjin për vdekjen e Ali Podrimjes.”

Një përmasë e tillë për Sali Bashotën ngërthen në vete edhe përmasën e ndikimit dhe të frymëzimit krijues, e cila shpesh është pjesë përbërëse e formimit të një individualiteti krijues:

“Kam menduar se mabse do të ndikohem nga udhëtimi i jetës së tyre krijuese përbrenda botës së artit, duke paragjykuar se madhështia e shëmbëlltyrave krijuese i ngjason njëra tjetrës. Kështu do të mund të kuptohej procesi i ndikimit, apo dëshmisë apo edhe sipas imagjinatës së poetit”.

Nëpërmjet anaforës poetike të përdorur në funksion të shtresimit të fjalës së latuar përgjatë një bashkëbisedimi mjaft të larmishëm, Sali Bashota ka shpalosur fare natyrshëm prjekcionin e të sotmes dhe të së ardhmes:

“Kam menduar se të gjithë shkrimtarët kanë synuar gjithmonë ta ndërtojnë një të tashme për të ardhmen e njerëzimit”. (Ego)

Duke rendur gjurmëve të pararendësve tanë, të ciliët e bënë Shqipërinë me hir o me pahir, Sali Bashota nuk e ka lëshuar rastin pa takuar e pa u çmallur me ata që e mbjatën gjallë flakën e dashurisë për mëmëdheun. Takimin e tij me përfaqësuesit e breznive orëmira, e ka skalitura aq bukur në penën e tij brilante, përkthyesi i veprës së Sali Bashotës e veprimtari i pandalshëm me kontributin e tij prej një rilindësi të mirëfilltë, Baki Ymeri:

“Përgjatë ditëve të qëndrimit të tij në Bukuresht autori realizoi një sërë vizitash protokollare e miqësore në Bibliotekën Nacionale të Rumanisë, në Bibliotekën Universitare të Bukureshtit, në Bibliotekën e Akademisë Rumune, si dhe në institucione të tjera të kulturës, duke vizituar ish-kishën shqiptare të Bukureshtit, në të cilën Fan Noli mbajti meshën e parë shqipe (1911), hotelin “Continental” ku u mbajt mbledhja historike e Kolonisë Shqiptare me delegacionin e Ismail Qemalit, ku u vendos që Shqipëria të shpallet e lirë dhe e mosvarme (1912). E vizitoi, po ashtu, shqiptaren më të moshuar të diasporës së këtushme shqiptare, zonjën Anastasia Gjergji, 95-vjeçare, e bija e ish-presidentit të Komunitetit Ortodoks Shqiptar të Rumanisë (Nikolla Gjergj Pallamida).

Me këtë rast, ditën e dytë të këtij manifestimi, Ambasada shqiptare e Bukureshtit në bashkëveprim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë organizoi një takim me diasporën dedikuar 600-vjetorit të lindjes së Skëndërbeut, rast me të cilin qe përkujtuar edhe Kosova nëpërmjet mysafirit të saj në Bukuresht, dr. Sali Bashotës. Përveç ambasadorit shqiptar dhe profesorëve Maksuti, Miku e Nikolla Çakiri, figurën legjendare të Skëndërbeut e evokoi edhe autori i “Ekzilit të shpirtit”, i cili bëri fjalë mbi veprat e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut nga shek. XV-XVIII, si dhe koleksionin e zonjës Patricia Nugee nga Londra, lidhur me librat e legjendës mesjetare shqiptare”.

Poezinë e dua gjithmonë dhe përpiqem të jem vetëm poet

Pyetjes: “Si mund ta përfytyrojmë poetin pa shtëpi, pa bibliotekë, me dorëshkrime të djegura”, Sali Bashota i është përgjigjur me dhembshurinë e theksuar që ka njeriu dhe poeti për studion e tij krijuese: “Është e dhembshme, vërtet e dhembshme. Është dhembja e poetit për librin e djegur, malli i tretur për vetminë, fëmijërinë, rininë, dashurinë e humbur në atë studion e krijuesit, që quhet parajsë shpirtërore, ku thureshin trazimet e brendshme dhe zhvillohej beteja me jetën a vdekjen. Unë e kam pasur një bibliotekë të pasur në katin e dytë të shtëpisë që e quanim kullë, sepse ndërtesa u ngjante kullave të moçme shqiptare, sipas arkitekturës së jashtme por edhe brendisë. Biblioteka i kishte raftet prej druri me ngjyrë të kuqëreme. Tash ka mbetur vetëm në imagjinatën time bashkë me vetminë e shoqëruar me librat, kujtimin e ringjallur për të dhe zhurmën e fëmijëve që ndonjëherë e prishnin qetësinë time dhe padurimin. Unë kam mall për librat kurse ata për fotografitë e djegura. Kjo është gjendje e trishtueshme që njeriu i letrave mund të riprodhojë në kujtesën e vet: ishte 2 gusht 1998 dhe Ceroviku, vendlindja ime digjej nga barbarët serbë.

Nëse më lejohet po i kthehem artit të të shkruarit, procesit të krijimit dhe po prezantoj disa vargje nga poezia “Dhe tani digjen librat”: Ferri është më i bukur se jeta/ Lamtumirë trishtim/ Dhe tani digjen librat. Poezia vazhdon duke e ruajtur shtresën e fortë të malenkolisë dhe të tmerrit, por nuk mbaron…”

Ndërkaq, pyetjes: “Lexuesi e di se shkruani në disa zhanre. Keni botuar poezi, kritikë dhe studime letrare. Cilin zhanër e preferoni më tepër?”, ai i është përgjigjur sërish duke theksuar anën shpirtërore prej poeti dhe prej krijuesi:

“Frymëzimet krijues përpiqem t’i projektoj, t’i vizionoj dhe t’i sistemoj përbrenda një hapësire ku mbizotëron dritësimi për të zbuluar misterin e fatit njerëzor apo zjarrminë e botës sime shpirtërore. Dihet, poezia e krijon mitin për njeriun. Kësisoji, imazhet dhe simbolet e mia poetike i kam formësuar brenda atyre rrathëve që na burgosin, duke e kërkuar gjithmonë, nëpërmjet fjalës poetike, lirimin prej dhembjes, vetmisë, tmerrit. Krijuesi, pra qenien njerëzore e përcepton dhe e modelon ndryshe nga të tjerët. Ai gjithnjë kërkon shtegdalje nga gjendja ekzistuese, kërkon dritë për të tjerët, mbijetesë. Puna krijuese është sakrifica që ka diçka të magjishme.”

E duke folur për raportet mes krijuesit dhe veprës, Sali Bashota me të drejtë e ka vënë theksin sa tek dhuntia po aq edhe tek përsosmëria, sa tek pasioni po aq edhe tek përkushtimi:

“Pra, origjinaliteti dhe përsosmëria janë dy faktorë të domosdoshëm esencialë në laboratorin krijues…

Krijuesi gjithmonë insiston të mbërrijë rezultatin poetik duke shkruar vepra të mira, të pëlqyera që të mos ngjasin njëra me tjetrën, të mos ketë përsëritje apo rrotullim të pasioneve rreth vetvetes.

Borhesi ka thënë: “meqë arti i letërsisë sajohet me këmbimin e fjalëve, duhet që të ketë një lloj ekuilibri midis këtyre tri elementeve: ndjenja, frymëzimi dhe ritmi. Ato janë thelbësore.

Krijuesi është gjithmonë në kërkim të përsosmërisë. Shkrimtari u drejtohet të gjithë njerëzve - ka thënë Sartri, por të gjithë nuk e kuptojnë, nuk e besojnë, nuk e pranojnë njësoj. Kjo kohë i kërkon krijuesit e ditur, të talentuar, ata që punojnë me seriozitet e përkushtim.”

Në sofrën dardane

Duke u përgjigjur në një nga pyetjet e veçanta, e cila lidhet me një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij si studiues i përkushtuar i letrave shqipe: “Ju jeni laureat i çmimit më të lartë letrar në Kosovë “Pjetër Bogdani”, që e jep Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës për librin më të mirë të botuar brenda vitit 1999. Si u lindi interesimi për veprën e Mitrush Kutelit dhe si e pritët këtë çmim letrar?”, Sali Bashota ka folur në mënyrë mjaft të shkoqur për ndikimin letrar të Mitrush Kutelit:

“Qëkur isha student i letërsisë shqipe në vitet e tetëdhjeta, më lindi dashuria dhe m’u shfaq interesimi për veprën e Mitrush Kutelit. Në vendlindjen time, në një dhomë të vogël gjumi, gjithnjë në mbrëmje i lexoja me zë, herë librin e rrëfenjave Net shqiptare, herë Poemin kosovar. Kureshtja më smadhohej saqë i magjepsur nga këto krijime, jo befas, i shfletoja ato, madje edhe në sforën e bukës. Kështu vepra e Kutelit dhe shembëlltyra e tij dalëngadalë bëheshin pjesa më e dashur e jetës sime krijuese e shkencore në atë bibliotekën e vockël që shpesh nisi të rritej, të bëhej e madhe, por që barbarët serbë e dogjën dhe e bën shkrumb e hi. Mirëpo, tashti më mjafton vetëm ky kujtim: pse dorëshkrimi për Kutelin i shpëtoi zjarrit dhe asgjësimit…”

Nuk do mend se një përmasë të tillë ndikimi ai do ta çonte më tej, e që do të bëhej kështu një prej studimeve më serioze dhe më të merituara për Mitrush Kutelin:

“Duke i kërkuar idetë esenciale për pjesën e letërsisë së pastudiuar, pa asnjë ngurrim interesimi im filloi të përqëndrohej edhe në rrafshin e studimit. Prandaj, në dimrin e vitit 1988, proza e Kutelit u mbrojt si punim i magjistraturës. Këtu filloi të ndërtohej mendimi im kritik për veprën e këtij autori të pëlqyer për të mos mbërritur asnjëherë në fundin e kërkimeve letrare, por në hulumtimin sistematik të artit të tij.

Me vite të tëra dashuria e pakrahasueshme për veprën e Kutelit vazhdonte të më rrëmbente sikur t’i ngjante një ngazëllimi të çuditshëm fëmijëror. Kësisoji, tiparet kryesore të prozës së tij, rrëfimi dhe stili, bënin jetë në mrekullimin tim të pambaruar për rëndësinë dhe origjinalitetin që kishte vepra e Kutelit, sidomos tregimtaria”.

Kështu, në këtë prizëm vlerësimi dhe adhurimi, vizioni dhe misioni i rilindasve shkrihen dhe bëhet një, si në kohë ashtu edhe në hapësirë, prandaj Sali Bashota sërish e vë theksin tek forca ripërtërirëse e krijimtarisë së tij letrare:

“Ky çmim letrar gjithsesi, e ka simbolikën dhe domethënien e veçantë. Së pari, ky çmim jepet në rrethana të lumtura kur Kosova tashmë është e lirë. Po kështu jam shumë i gëzuar pse çmimi i jepet veprës monografike që është shkruar për njërin ndër prozatorët më të mirë shqiptarë të shekullit njëzet. Me këtë rast le të thuhet se këtë botim e bën më të dashur edhe emri i botuesit tonë të mirënjohur “Rilindja”.

Këto të dhëna më gëzojnë dhe më nxisin që ta ruaj forcën e dashurisë për letërsinë dhe që ta mbaj ritmin dhe gjallërinë e krijimit edhe për vepra të tjera të reja.”

Kundër tiranisë së medikoriteteve e në mbrojtje të vlerave të mirëfillta

Duke bërë fjalë për probleme dhe dukuri bashkëkohore në fushën e kulturës, letërsisë e veçmas në fushën e botimeve, në shkrimin e titulluar Dukuri aktuale të letërsisë shqipe (në librin “Shqipshkrimi kritik”), si studiues dhe ligjërues i letërsisë, Sali Bashota ka shpalosur një të vërtetë tepër të hidhur, e cila mjerisht po e përcjellë jetën kulturore në vazhdimësi: “Edhe në 50 vjetët e fundit janë botuar libra që s’duhej të shkruheshin dhe janë shkruar libra që s’duhej të botoheshin.”

Pra, Sali Bashota flet me një shije sa të formuar po aq edhe të stërholluar estetike. Një mendim i tillë, i shpalosur kaq bukur e si një postulatë filozofike, jo vetëm që e thotë të vërtetën e një realiteti të hidhur letrar dhe kulturor por na shpie vetvetiu tek betejat mendore që bënin intelektualët e mirëfilltë në kohë të ndryshme.

Fjala vjen, kritiku i madh francez Sent Bevi, në artikullin e titulluar Letërsia dhjetë vjet më pas, të shkruar më 1 mars 1840, vinte në pah se letërsia moderne është në rrezik për t’u shndëruar në komercializëm: “Shkrimtarët e rinj nuk mendojnë aq shumë për artin sa për suksesin dhe profitin. Standarded e industrializmit dhe të komercializmit, rrezikojnë ta rrënojnë traditën letrare dhe integritetin krijues të shkrimtarëve. Çdo gjë duket si një konspiracion për ta korruptuar poetin apo shkrimtarin e ri - dëshira për publicitet dhe sukses, dëshira për para, apo edhe influenca e salloneve, të cilat edhe pse ndoshta mund ta zhvillojnë shijen e tyre letrare, në fund të fundit po e dëmtojnë origjinalitetin e tyre.”

“Ah Francë!”, do të shkrunate Sent Bevi një vit para vdekjes së tij, “gjithmonë e kënaqur me veten tënde, gjithmonë duke i thënë vetes se gjykatat tua janë më të pakorruptueshmet, se armata jote është më trimja, madje edhe se priftërinjtë e tu janë më të dlirët, dhe se gjykimi yt në shije dhe dije nuk lë asgjë për të dëshiruar!”.

Në po këtë prizëm sikurse Sent Bevi, do të shprehej edhe poeti, nobelisti e diplomati meksikan Oktavio Paz, në librin “Flaka e dyfishtë, ese për dashurinë dhe erotizmin”, duke vënë në pah shqetësimin e tij të drejtë për prishjen e harmonisë së dikurshme: “Ekuilibri në mes trupit dhe shpirtit është prishur. Trupi në vazhdimësi është kthyer në mekanizëm, dhe e njëjta gjë ka ndodhur edhe me shpirtin. Një sëmundje si kjo po e godet edhe kulturën nëpërmjet komercializmit të artit - në mënyrë të veçantë pikturën dhe romanin - dhe gjithashtu duke u shtrirë në përhapjen e modës jeshtëshkurtër letrare dhe srtistike, e cila përhapet aq shpejt sikurse epidemitë mesjetare, duke lënë prapa kaq shumë viktima.”

Nuk është pra rastësi, pse libri “Ego” i Sali Bashotës, përmbyllet me një mision kaq të rëndësishëm siç është misioni kundër tiranisë së mediokriteteve:

“Parapëlqej mendimin e Herman Heses, i cili kishte vazhduar “betejën e tij kundër mikrobeve të shpirtit në fushën e letërsisë”.

***

Një misioni të tillë, sa të veçantë po aq edhe aktual, Sali Bashota ia shton më tej edhe përmasën e dinjitetit personal dhe kombëtar. Në vështrimin eseistik Situata e poezisë shqipe sot, (në librin “Shiqpshkrimi kritik”), duke e ritheksuar mendimin e njohur të Ernest Koliqit se poezia është një kryengritje, ndërsa poeti është një hakmarrës, Sali Bashota e ka shpalosur edhe më të plotë misionin fisnik të poezisë: “Do të thosha kryengritje sublime e ndjenjave, mendimeve, ideve, shpirtit krijues…, i cili ëndërron lirinë dhe dinjitetin individual dhe kombëtar. Ky do të ishte shqiptimi i parë i kuptimit”.

Sali Bashota është gjithashtu krijues i cili ka shkruar për raportet, përkatësisht përplasjet e letërsisë me pushtetin, për vlerat dhe pseudovlerat, për traditën dhe bashkëkohoren, për shtresimin e ideve krijuese, për qartësinë e thënies poetike, për domethënien poetike të historisë dhe aktualitetit, për përjetimin estetik të poezisë dhe të prozës shqiptare, për vetëdijen shkrimore si pararendëse e vetëdijes kombëtare, për artin naimian si dhe për artin fishtian.

Ai ka shkruar me admirim dhe me përkushtim të veçantë për Jeronim De Radën si poet, duke potencuar se: “Vepra e tij bëhet burim tematik për autorët e romantizmit shqiptar. Nuk është vetëm ndjenjësore por edhe mendimore” (Jeronim De Rada - Poet, në librin “Studime letrare”), ka shkruar me adhurim të njëjtë edhe për Zef Sermeben dhe poezinë e tij erotike, por në mënyrë të veçantë e madje krejtësist origjinale nga studiuesit dhe krijuesit e tjerë, Sali Bashota ka shkruar për poetin kombëtar Naim Frashëri, duke e pagëzuar për vizonaritetin e tij dhe madhështinë e tij krijuese, me njërin prej epiteteve më të veçanta: Shqipërikrijues.

Sali Bashota ka shkruar me një zotësi të rrallë për Naim Frashërin si poet i përveçëm i kombit, ka shkruar për shembëlltyrën e tij fisnike dhe atdhetare, por edhe për madhështinë e tij krijese si dhe për poezinë e tij rrezatuese, madje ai ka shkruar në përmasën e një admirimi të denjë për çdo lakmi.

Ai ka shkruar për shkrimtarët e rëndësishëm të traditës, si Faik Konica; për Gjergj Fishtën (si poet, si estet dhe si kritik), për ato që ai i ka quajtur “mjeshtërinë briliante dhe universin magjepsës fishtjan”, duke e lartësuar me të drejtë heroizmin epik të Oso Kukës si “gati hyjnor”, dhe duke lëshuar zemërthirrjen se: “Fjala e tij murmurit deri pavdekësia”.

Si studiuesi i letërsisë shqipe, ai ka shkruar gjithashtu për prirjet moderne të prozës brilante të Faik Konicës (shtresimi i ideve dhe personazhin e vetëdijes kritike), për Ernest Koliqin-për prozën e tij si dhe për të e për dy shkollat letrare shkdorane, për shkrimtarët me prirjet e veçanta-tregimtaria e Mithat Frashërit dhe e Mehdi Frashërit (si romancier e dramaturg), për veçoritë e tregimtarisë së Mitrush Kutelit si dhe për poezitë e tij të fundit, por gjithsesi edhe për perlat-poema të tij “Poemthi kosovar” dhe “Poemi i Shëndnaumit”.

Në mënyrë të veçantë, studimi i Sali Bashotës “Kuteli prozator, poet, kritik” është një studim historiko-letrar dhe teorik mjaft unik, si me qasjen, metodoligjinë po ashtu edhe vlerësimin kritik të veprës kuteliane.

Duke depërtuar thellë në anataminë krijuese të shkrimtarëve shqiptarë të etapave dhe periudhave të ndryshme, ai ka shkruar me një qasje origjinale dhe me kritere të një kritike të argumentuar bukur dhe qartë edhe për ligjërimin profetik të Vinçenc Prenushit, për “Udhën e shqiptarizmës” së Vangjel Koçës, për librin publicistik “Formula e neoshqiptarizmës” të Bramko Merxhanit,  për veprën e Anton Harapit “Kulla e Babelit”, për librin “Misioni i Shekullit XX” të Tajar Zavalanit, për “Librin e Burgut” të Arshi Pipës, për përmbledhjen poetike “Tufa” të Latif Berishës, për Kosovën si gjakim i përjetshëm krijues dhe për Kosovën si metaforë poetike; për fatin e krijuesit, për djegien e dorëshkrimeve, për plagomën shqiptare, për dhembjen e bekuar, për Ismail Kadarenë, për Rexhep Qosjen; për format përkatësisht kodet e narracionit dhe prirjet moderne në letërsinë shqipe, për poetikën e personazhit, për idetë letrare dhe përmasat e tyre në vizonin e përfytyrimeve atdhetare, për realitetin dhe mitin në letrat shqipe, si dhe për një numër të shkrimtarëve të traditës apo bashkëkohorë (tek libri më i ri “Enigma e shkrimit”), për dukuri dhe fenomene aktuale në letërsinë shqiptare, për temë-dilemat krijuese dhe për fatit e krijuesit shqiptar, ku ka çmuar vlerat-duke i afirmuar ato, dhe ku i ka fshikulluar pseudovlerat-duke i vënë në pah ato.

Fjala vjen, duke i analizuar, intrepretuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike dhe krahasimtare modelet e prozës së Faik Konicës, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit dhe Migjenit, prirje me të cilat lidhen fillet e modernitetin të prozës shqipe të shekullit XX (në librin “Proza e filleve të modernitetit”), me një prizëm mjaft origjinal dhe me një qasje metodologjike të veçantë shkencore, me një stil mjaft konciz e me një mendim të mprehtë kritiko-estetik, me një gjuhë mjaft të rrjedhshme e me një terminologji moderne të kritikës letrare, me qasjen e theksuar për të shpalosur lidhshmërinë e tekstit dhe të nëntekstit letrar, të traditës me bashkëkohësinë, ai i ka riafirmuar këto vlera të mirëfillta krijuese.

Në të pesë veprat e tij studimore: “Shqipshkrimi kritik” (1997), “Kuteli-prozator-poet-kritik” (1999), “Domethënia e ideve letrare” (2001), “Proza e filleve të modernitetit” (2006), “Studime letrare” (2008), si dhe në librin më të ri, të titulluar “Enigma e shkrimit” (2018), ai mbetet ithtar i madh i parimit të shpalosur me një qartësi sa transparente po aq edhe domethënëse, se: “Afirmimi i vlerave të një kulture apo letërsie është e ardhmja e një kombi” (në librin Ego).

Një Parathënie Programatike për Shqipërinë Etnike

Në librin e tij “Shqipshkrimi kritik”, botuar nga “Rilindja” më 1997, në shkrimin e tij nga më të veçantit dhe gjithsesi nga më të përkryerit, shkrim të cilin jo rastësisht e ka titulluar Mërgimi - plagë e pambyllur për shqiptarizmin (eseja është parathënie e librit Malli i Atdheut -poezi për mërgimin, Prishtinë, 1995), Sali Bashota ka shkruar në të vërtetë një programatikë të përshkuar jo vetëm me poetikë.

Nuk ka dyshim se një poet i cili është vlerësuar lart dhe gjykuar drejt nga kritika bashkëkohore shqiptare, si dhe një individualitet krijues të cilin kritika rumune e ka quajtur me të drejtë “poet të vuajtjeve kosovare e misionar i shpirtit shqiptar” (George Gibescu në shkrimin Ndërmjet antikës dhe historisë), temperament poetik dhe ndieshmëri dardane (Lucian Gruia, në shkrimin Poezia monolitike), por edhe për të cilin është thënë me aq shije se: “Edhe pse fizikisht nuk është i shpërngulur, shpirti i tij ndjehet i këtillë” (Vasile Moldovan, në shkrimin Ekzili i brendshëm i një poeti kosovar), Sali Bashota e ka shkrirë gjithë dhuntinë e tij krijuese duke krijuar një perlë të papërsëritshme të këtij zhanri shkrimor.

Rëndom, numrat që përdor Sali Bashota në sistemin e tij poetik, janë numrat 3 dhe 9; ndarje në tri pjesë, përkatësisht 333 poezi tek vëllimi “Dhembje e bekuar”, apo “Rruzulimi i zjarrit” në nëntë kaptina, gjegjësisht edhe 99 poezi, tek libri më i ri “Në fillim ishte drita”.

Në librin e tij “Ego”, duke i zbërthyer kodet e tij diskursit të tij krijues, ai ka sqaruar domethënien e përdorimit të numrave përkatës në krjimet e tij letrare:

“Përmes poezisë dëshiroj të dalë nga situatat e mitizuara, nga ajo legjenda e kujtimit midis ëndrrës e zhgjëndrrës, midis realitetit e fiksionit, midis sitautave të zakonshme dhe të pazakonshme, midis jetës e vdekjes, për të sprovuar një parim krijues me ide, vargje dhe imazhe simbolike të numrave: 333.

Përmes poezisë dëshiroj t’i gjej pikëtakimet e vetmisë dhe të dhembjes, të fatit dhe të fatalitetit, të etikës dhe estetikës, të motivuara përbrenda fanitjeve refleksive në kohën dhe hapësirën e vet.”

Ky shkrim-sa manifest poetik po aq edhe testament etnik, të cilin jo rastësisht ai e ka ndarë në tri pjesë-ashtu siç ishte e ndarë edhe harta e atdheut në vitin 1995 (kur Kosova nuk ishte shpallur shtet), dëshmon mjaft qartë se Sali Bashota e ka shkruar një triptik tipik poetik për mëmëdheun, dhe se brenda këtij shkrimi shkrihen dhe bëhen një poeti dhe studiuesi, profesori dhe intelektuali, duke gjakuar në pafundësi për një Shqipëri natyrale në kufijtë e saj normal.

Në pjesën e parë të shkrimit në fjalë, shpaloset një si prelud i qëndresës historike të shqiptarëve kundruall barbarëve. Lufta është sa e pabarabartë, po aq edhe e padrejtë dhe mizore nga ana e tyre që kanë lakmuar dhe mjerisht po i lakmojnë ende padrejtësisht tokat tona stërgjyshore:

“Pika e shikimit e tërhequr dhembshëm në prapavështrimin historik. Ardhja e pushtimeve vargëzore romak, bizantin, serb, turk dhe prapë serb për të gjunjëzuar e shprishur farën iliro-shqiptare. Grindja e shekujve: shpërngulja, shpopullimi, kolonizimi, konventat. Lakmia e shtuar pushtuese për t’i copëtuar trojet tona etnike. Dhe qëndresa shqiptare, përfytyrim i moçëm në kërkimin e lirisë”.

Me një gjuhë poetike të gërshetuar me tematikë dhe motive epike, autori shfaq tablonë e ndeshur aq shumë tek poetët arbëreshë, atë të dheut të huaj. Mërgimi shfaqet në jetën e shqiptarëve si një fat i zi, ku tragjikja e ndjekë si hije sa të panjohurën po aq edhe të papriturën:

“Po, mbi të gjithë, çelja e udhës së mërgimit për shqiptarët është një fat i zi në kohën e paharruar. Gjithashtu, edhe dheu i huaj i lagur me lotët e mërgimit për të rritur bimën e huaj e përplotëson këtë skenografi të tragjicitetit, e vijëzon botën personale dhe kolektive përmes një universi të panjohur…”

Në verbin poetik të Sali Bashotës shfaqet gjuha shqipe në logun e luftës, e bashkë me të edhe malli i pashuar. Ndërkaq, kujtesa në këtë sfond është projektuar si një libër i grisur, libër ky i cili do të shfaqet në opusin estetiko-poetik të Sali Bashotës përmes sfondit historik, herë si bibliotekë e djegur e herë si dorëshkrim i ringjallur. Por së pari, ai do të ndalet tek përmasa më e dhimbshme, ajo e prerjes së Etnisë. Sërish janë gërshërët e padrejtësive historike ato që kanë prerë hartën e bekuar të gjeografisë sonë, prandaj pena e poetit nuk lëshon asgjë në misionin për të hedhur dritë mbi të kaluarën tonë të dhembshme historike:

“Gjuha shqipe, e përpëlitur, përvajshëm nëpër dhëmbë, e vetmja pasuri e bartur me vete. dhe malli i pashuar për atdheun. Të përkujtojmë vetëm shek. XV. Pushtimi i katërt me radhë: pushtimi otoman. Fati tragjik i nguljes së arbëreshëve përtej Adriatikut e vazhdon shfletimin e librit të grisur të kujtesës së kobshme brez pas brezi për farën e shkepur shqiptare nëpër botë. Është kjo, e para, prerje e Etnisë. Më e dhimbshmja.”

Duke shpalosur kështu në mënyrë poetike trajektoren historike të mbushur me aq shumë ngjarje tragjike, mërgimi për Sali Bashotën nuk shfaqet ende si një bekim hyjnor, por si një lumë i pandalshëm njerëzor, rrjedhës e së cilit ai e përjeton me një ndieshmëri të theksuar e ku verbi poetik thadron në kujtesën krijuese rrugëtimin biblik. Fatin tragjik të kombit të tij, Sali Bashota e shpalos në sfondin e një përmase e cila mbase edhe do të ishte shpresa e një ditë të re, shfaqja e letërsisë shqipe si faktor i mendësisë së bërjes së Shqipërisë:

“Mërgimi, plagë e pambyllur edhe sot, është ngulitur në mendësinë e shqiptarizmit me shekuj duke e përthekuar shpirtin e përvëluar në udhëtim, duke e shkallëzuar odisejadën e lotve nëpër rrathët e muruar të ëndrrës mijëvjeçare për liri dhe identitet. Kësisoji, edhe letërsia shqipe bëhet dëshmi e trajtimit të këtij fenomeni, sa herë tragjik, nga këndvështrime të ndryshme, tek e artikulon përmasën e re të mallit e të dhimbjes përbrenda qenies krijuese shqiptare.”

Përmes një gradacioni të tillë, në të cilin ai ka kapur përmasën sa poetike po aq edhe historike, Bashota nga sfondi i përgjithshëm i letërsisë zbret fare natyrshëm tek kurora e kësaj letërsie, tek poezia shqipe dhe flamurtarët e shqiptarizmës së rishlindur, siç do të thoshte profesor Selman Riza për misionarët dhe vizionarët e ringjalljes kombëtare:

“Megjithatë, kjo nuk është kryesorja. Janë poetët, ata që “baltën” e atdheut e bartën në shpirt përbrenda kolonive të ndryshme nëpër botë (Turqi, Itali, Rumani, Bullgari, Amerikë, Egjipt, e tjerë) Është pra, ekzodi i shkrimtarëve më të rëndësishëm që jashtë atdheut të tyre krijuan në mendje dhe në letrat shqipe dashurinë për Shqipërinë, duke e bartur atë gjithkund me vete. Është e djeshmja e kolonisë dhe e sotmja e ekzodit (Gjermani, Zvicër, Suedi, Australi, e tjerë), e mbushur, fundekrye, me format e dhembshme të rrnesës mbi të cilat krijohet aq tmerrësisht, fjala, mbase e nemun: kurbet.”

Pasi ka bërë kështu krahasimin e qëlluar në mes të djeshmes dhe të sotmes, pasi që ka shfaqur sfondin e mërgimit si fat i zi e si mall i pashuar, në gjuhën e nëntekstit të tij poetik vërehet qartë se në sfondin e paraqitjes së projektuesve të atdhedashurisë mërgimi zë vend edhe si një bekim hyjnor, ndonëse njëmendësia e ka ruajtuar ende një fjalë me mall të valë përsipër, e që Sali Bashota e rikujton si një fjalë ‘mbase e nemun: kurbet.”

Përderisa në pjesën e parë të triptikut të tij poetik shpaloset sfondi i prerjës së Etnisë me pasojat e shumta, në pjesën e dytë të kësaj programatike të Shqipërisë Etnike, ky sfond del edhe më i përgjakshëm, sepse të tillë e kanë bërë faktorë të shumtë.

Tani, në këtë pjesë, përshkallëzimi i shprehjes është më i ngadalshëm, dhe se çdo pikë e çdo presje shpalos tragjiken e përjetuar thellë, fatin e pafat që e ka shoqëruar këtë komb të përvuajtur si shpata e Damokluet mbi kokë.

Duke e gërshetuar një sfond të tillë me gjuhën poetike të njërit prej shkrimtarëve të cilin ai jo vetëm qe njeh aq bukur, por prej të cilit edhe është frymëzuar, Sali Bashota me fjalën e bukur shqipe përshkon truallin e shqipeve, Gernikën e përgjakshme të këtij kombi, qëndresën epike të Kosovës në shtetrrethime të panumërta:

“Trualli i shqipeve e ndien thellë e më qartë syrgjynërisht ekzilin, ekzodin, shpërnguljen dhe të gjitha format e këtij kompleksi shpirtëror e fizik, të ngujuar jashtë atdheut.

Ndër të parat. Është kjo, Kosova, Shqipëria e Jashtme, siç e quan Mitrush Kuteli, edhe sot e pikturuar përgjakshëm në kujtesën reale e historike. Përbrenda trupit dhe shpirtit të saj zhvillohet lloji i vet i tragjedisë së projektuar nga barbaria serbe. Shpopullimi. Shpërngulja. Kolonizimi. Por, jo edhe shfarosja. Është Kosova, degë e njomë e Atdheut të Plotë, e ballafaquar dhe e kacafytur aq gjatë me dhunën, me shovenizmin sllav, me antilirinë. Është Kosova e rrudhur me pamjen ilirike, dardane - qëndresë e vetëdijes së lartë kombëtare, burim i rezistencës, zë i fortë i kushtrimit. Kurrë e përkulur”.

Kosova shfaqet dhe rishfaqet sërish si latjtmotivi i qëndresës kombëtare, por edhe si lajtmotiv i krijimtarisë poetike të Sali Bashotës. Dega e njomë e Atdheut të Plotë, në prizmin krijues të Sali Bashotës, mbetet gjithmonë një zemërrthirje e kushtrimeve për liri: Kurrë e përkulur.

Një krenari e ligjshme e përshkon qenien prej poeti, por gjithsesi edhe qenien prej shqiptari. Një frymëzim por edhe një përdëllim i thellë për fatet e atdheut e të kombit. Dallëndyshja e poetit të kombit Naim Frashëri, hap përsëri krahët dhe përshkon gjeografinë e Shqipërisë, numëron plagët që kullojnë gjak. Verbi poetik shfaq në sfond për të satën herë kryevargun e Namit. Eni vjen prej Çamërie:

“Dhe fjala tjetër e shkrumbosur: Çamëria. Çamëria e truallit ilir, plagë që kullon ende gjak nga vandalizmi Helen. Gjymtyrë tjetër e Etnisë, tash e mbetur shkret, pa zot. Gjithmonë shqiptare.

Janë trojet etnike në Maqedoni, tokë e kufirit të ndarë që duhej të shtrihej në hartën e Etnisë. Poashtu, gjithmonë shqiptare.

Është Kosova Lindore, pjesë e trungut të prerë, dhe i lashtë i Ilirisë, e futur dhunërisht përbrenda rrethojave të hekurta sllave.

Më tutje, janë viset shqiptare në Mal të Zi, mbi të cilat edhe sot shtrihet gjerë e gjatë hija e truallit ilirik, hija veriake, Malësia e Mbishkodrës.”

Shqiponja në shterrethime, kthetra në hekura! Mizori dhe padrejtësi, sa mbi historinë tonë e sa mbi gjeografinë tone! Molla e kuqe është Mollë e përgjakur, e kujtesa historike shpaloset sërish në përmasat e veçanta të shprehjes poetike, latuar me aq mjeshtëri, menduar me aq hollësi, theksuar me aq dhembshuri:

“Është Toplica deri përtej Naisusit që flet mbi shpirtin antik për ikjet dhe vrasjet, kjo Mollë e përgjakur, në sytë e një poeti kombëtar. Assesi. Fatit të dhembjes atdhetare, nuk i ikën konventa jugosllavo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, një nga plagët tona më të mëdha të këtij shekulli të fundit.”

Nuk ka dyshim se një rrugëtim biblik me plagët e shtatit që kullojnë gjak, ka gjetur poetin e denjë, i cili në artikulimin e tij poetik ka shkrirë gjithë fjalët shqipe për të risjllellur në kujtesën kombëtare një përfytyrim të paharruar. Dhembja për atdheun dhe gjakimi shpirtëror për lirinë e kombit të shumëvuajtur, vështirë të kenë gjetur shprehje kaq bukur dhe kaq mjeshtërisht sesa tek këto flatra të fjalës shqipe, të derdhura me një ritëm kaq të veçantë e me një stil kaq të goditur të penës poetike të Sali Bashotës:

“Prapë, duke “kënduar” mërgimin e jetës, çelet porta e vetmisë arbëreshe. Copat e vendlindjes së dheut të paharruar të futura nëpër vazot e luleve, të ujitura me lotët e përgjakur, përfytyrojnë e kujtojnë Shqipërinë Etnike. Janë gjurma të mbetura nëpër brigje atdhetare ku skicon e vizatohen rrugët e largëta, rrugët pa kthim, ku dëgjohen dhe humbasion zërat e nënave, të nuseve, të fëmijëve, të të dashurve. Tërë jeta e shkruar nën ritmin dhe shkëndijimet e mallit”.

Në pjesën e tretë ligjërimi për fatin tragjik bëhet, ritmi i të shkruarit shfaqet edhe më poetik, e ku lirika fare natyrshëm gërshetohet sërish me epikën:

“Mërgimi, fat i dhembshëm i kombit të ndarë shqiptar, artikulohet në vargjet e poetëve të sotëm me alfabetin dhe gramatikën e pasthirrmave, e jo rrallë edhe të këngëve lamtumirëse; me fuqinë e shkallëzuar të ndjenjave e të mendimeve, herë kryengritëse, herë pikëllimtare; me heshtjen ideale dhe atë të ëndërruar nëpër plasat e shpirtit që nuk mbyllen aq lehtë nëpër kohë”.

Në sfondin e përpëlitjeve historike zë vend ajo që poeti Sali Bashota e quan një plagomë shqiptare, por që nuk mbetet më pa zë, sepse siç e thotë krijuesi, plagoma tani është artikuluar si një kod i shkruar i dhimbjes shqiptare:

“Kështu formësohen e shformësohen pamjet rrëqethëse. Ekzodi. Ikjet e njerëzve e të turmave nga pozicioni social, e veçan nga presioni pushtues. Të gjitha këto soditen gjatë me tingujt e furishëm të mallit atdhetar. Është kjo, një plagomë shqiptare. Një vizatim i panoramaës së vendlindjes me portretin lirik shprehur në gji. Dhe shpirtëzim i të gjitha lamtumirave.

Shpalimi i temës së mërgimit në letërsinë shqipe, doemos, është shpupuritje nëpër plagën e hapur, nëpër imagjinatën e djegur të mëmëdheut, nëpër realitetin shpirtëror tek i cili shqiptohet vijimisht thirrja, kushtrimi, rikthimi apo qoftë edhe mbetja e gjithmonshme. Ky, në një formë është kodi i shkruar i dhimbjes shqiptare, i krahasuar me thellësinë e mallit, me magjinë e frikës e të shpresës, kur e kur vijëzohet fundi i dhimbjeve, mbarimi i brengave dhe i shqetësimeve njerëzore”.

Tkurrja e atdheut i ka hapur plagët edhe më shumë, e plagosjen e ëndrrave krijuesi letrar sërish e ka shfaqur në sfondin e dhembjes dhe të mallit, të një si rituali që po na përsëritet kaq shumë e nuk ka të ndalur:

“Në botën e largët e të panjohur, njeriu shqiptar rrokulliset padiskutueshën nëpër rrathët e hidhur të asimilimit e të harresës. Aty, jo rrallë, atdheu vizatohet nëpër pëllëmbë duarsh si “parajsë e humbur”. Plotësohet, pastaj kronika e dhembshme me fytyrën e ëndërruar të atdheut vetëm në memorie, vetëm nëpër radiovalët e emisioneve për njerëzit e dashur. Por, të gjitha këto i prodhon mërgimi. Ajo plagë e hapur edhe sot për shqiptarizmin, e cila, ka shkaktuar mungesën, humbjen, vetmin, zymtësinë tragjike për njeriun e truallit ilirik.”

Është njëmendësia e hidhur historike, është plaga e thellë, është përmasa e tragjikes ajo që nuk i hiqet krijuesit nga mendja. Ajo e shqetëson dhe e shoqëron kudo dhe kurdo. Ai me poetikën e tij, me bukurinë dhe me fuqinë e fjalës shqipe, dëshmon amanetin e përveçëm sa dhe të përjetshëm për Shqipërinë Etnike:

“Një varg, një poezi, një vepër e shqiptuar për mërgimin, ekzodin, shpërnguljen është shenjë dhe simbol i dhembjes atdhetare. Ai është ngulitur thellë në trurin shqiptar me përmasat e tragjikës. Ai është formësuar përbrenda hartës estetike si shkak - pasojë e pushtimeve. Ai është realitei ynë i hidhur, në ecjen tonë, vërtet të dhembshme historike.

Dhe krejt në fund: ky libër i zgjedhur dhe i sajuar me prezencën e motivit të mërgimit në poezinë e sotme shqipe, le të përpjetësojë një vijë tematike, të ndërlidhur shtrëngueshëm me fatin e qenies sonë kombëtare nëpër kohë dhe histroi të ndryshme. Se, Shqipëria Etnike, gjithmonë mbetet amaneti i përjetshëm i shqiptarëve, kudo që janë ata: brenda atdheut, në diasporë, në mërgim, në ekzil. Pikën e fundit në kërkimin dhe realizimin e lirisë së plotë”.

Nuk ka dyshim se për mërgimin dhe plagën e tij, për ekzodin biblik të shqiptarëve është shkruar shumë dhe do të shkruhet edhe më. Janë shkruar artikuj, fejtone, libra e ese. Janë bërë dokumentarë të shumtë e janë evokuar kujtime nga më të ndryshmet në gjini të ndryshme letrare dhe artistike, por vështirë të jetë shkruar kaq bukur dhe në mënyrë kaq të thukët si ky shkrim përmasash vërtet antologjike. Madje, duke shkruar kështu në vitin 1995, me një guxim dhe angazhim të veçantë intelektual, autori e ka parandier rrjedhën e ngjarjeve që do të vinin. Ai e ka shpalosur kështu të djeshmen, e ka thënë të sotmen dhe e ka parandier edhe të nesërmen. Ai ka shkruar pra jo vetëm një promemeorie poetike me sfonde të një historie shpesh tragjike, por ai ka përpunuar edhe përfytyrimin e një të ardhmeje të cilën e sheh vetëm sipri një pike: “Pikën e fundit në kërkimin dhe realizmin e lirisë së plotë.”

Ky shkrim antologjik për eksodin tonë biblik, kjo perlë e vërtetë letrare, do të duhej të zinte vend në çdo antologji të letërsisë shqipe. Gjithsesi, duke qenë një shkrim përplot frymëzim dhe artikulim i denjë letrar, poetik, estetik e edhe historik, që të kujton shkrimin njëlloj antologjik të Kristo Floqit Atdheu juaj, ky shkrim që shfaqet në sfondin e shpirtrave të ringjallur, e thënë me gjuhën poetike të Sali Bashotës-përbërë sa nga kujtimet e ringjallura po aq edhe nga dorëshkrimet e ringjallura, ka premisat jo vetëm të një programatike për fatet e Shqipërisë Etnike, por gjithsesi se mund të lexohet sa një parathënie po aq edhe si një poemë liriko-epike, sa një zemër-klithje për të djeshmen po aq edhe një zemër-thirrje për të sotmen dhe për të nesërmen tonë; sa një tekst antologjik po aq edhe një tekst i mirëfilltë dramatik, të cilit do ta kishte për lakmi çdo teatër kombëtar, sepse në radhë të parë, shkrimi antologjik i Sali Bashotës për plagën e hapur të mërgimit, na e kujton misionin dhe vizionin e Naim Frashërit, të përmbledhur aq bukur dhe aq madhërishëm në vargun naimian: Eni vjen prej Çamërie…

E zemër-klithje si këto, zemër-thirrje si këto hyjnë në sfondin e letrave shqipe si memorje historike, si pjesë e vetëdijesimit të domosdoshëm kombëtar, aq më tepër kur zare të reja po luhen mbi hartën e atdheut, si në Shqipërinë e Brendshme-Londineze (siç shprehej Lasgushi) ashtu edhe në Shqipërinë e Jashtme (siç na e përkujton Sali Bashota shprehjen e Mitrush Kutelit).

Prandaj, do të ishte mirë sikur diplomacia shqiptare t’ua hidhte një sy promemorieve kombëtare dhe programatikave të projektuara nga mendësia letrare shqiptare, sepse siç thekson profesori, poeti dhe studiuesi Sali Bashota, fati “i dhembshëm i kombit të ndarë shqiptar, artikulohet në vargjet e poetëve të sotëm me alfabetin dhe gramatikën e pasthirrmave…”

E gramatika e pasthirmmave në gjuhën e Sali Bashotës, rikujton se misioni dhe vizioni i një poeti bëhet misioni dhe vizioni i krejt breznvie orëmira: Naim Frashëri është Shqipërikrijuesi. Ndërkaq, sipas Borhesit të gjithë ata që përsërisin një varg të Uilliam Shekspirit, janë Uilliam Shekspir…

Në fillim ishte drita

Në librin “Ego”(botuar nga Pen Qendra e Kosovës, Prishtinë 2014), duke shpalosur misionin e tij prej poeti, Sali Bashota ka shpalosur gjithashtu edhe arsyet pse shkruan:

“Shkruaj për të kuptuar më qartë rruzullimin e ndjenjave dhe të mendimeve që ikën nga një skaj në skajin tjetër, për të zbuluar kuptimin e ëndrrave magjike, të cilat nuk mund të shpjegohen kurrë deri në fund, apo për t’i bashkuar kujtimet dhe përjetimet në një vend, i cili e kërkon bekimin e gjuhës poetike.

Shkruaj për të kuptuar më qartë preokupimin tim krijues e ekzistencial: Pse Zoti është Një? Pse, pas krijimit të Tokës dhe Qiellit, u krijua Drita?”

Pikërisht, siç pat thënë Miltoni: “Drita që fituam nuk na u dha që të vazhdojmë gjithnjë ta fiksojmë, por nëpërmjet saj të zbulojmë gjëra të reja më të tejshkauara se njohja jonë”.

Ndieshmërinë e veçantë lirike, persiatjen e theksuar filozofike, tingëllimat poetike, reflektimet idilike, Sali Bashota i ka të lidhura ngusht me dhuntinë e tij krijuese, me gjakimin e tij estetiko-poetik, me frymëzimin e tij-me shkrimin. Kjo lidhshmëri e natyrshme shpaloset si një dashuri e përmasave të mëdha, e cila shfaqet çdo ditë, çdo mëngjes, çdo mbrëmje. Magjia e shkrimit për Sali Bashotën sa dhunti po aq është edhe ripërtëritje e jetës, e dashurisë, e dorëshkrimeve të djegura dikur, por të cilat ringjallen prapë sepse ato rrojnë në flakën e frymëzimit, sepse për Sali Bashotën flaka e frymëzimit krijues është si zjarri i rruzllullimit, dhe se që të dyja përshkrohen nga përjetësia.

Në fund të këtij rrugëtimi, në këtë rrugëtim drite e dashurie, poeti krijon sfondin përmbyllës në të cilën shpirtat përshëndeten me ikjen. Një botë mallëngjimi dhe amshimi bashkë, në të cilën ai përkujton se janë poetët ata të cilët, përmes butësisë dhe bukurisë së fjalës, e bekojnë aq shumë botën e dashurisë.

Poeti ia falë zërin zemrës, e fjalën si një mall të valë ia falë dritës, si një kundërpërgjigje për shqetësimin, përkatësisht klithjen se në epokën e modernizmit “po vdes poezia!...”

Me përmbledhjen e tij të fundit poetike, të shkruar në harkun kohor prej tridhjetë vitesh: 20 shtator 1987-20 shtator 2017(botuar nga Pen Qendra e Kosovës, Prishtinë 2017), si dhe në veçanti me strofën e fundit të poezisë së fundit të këtij vëllimi vlerash të veçanta ideo-estetike, Sali Bashota dëshmon sërish se poezia vdes vetëm atëherë kur të vdes dashuria, sepse në universin poetik të Sali Bashotës, dashuria është ashtu siç shkroi Knut Hamsun: “Fjala e parë që tha Zoti!”

Pra, Sali Bashota në gjakimin e tij të njohur krijues dëshmon se dashuria është vetë përjetësia:

                        Asnjë zjarr nuk e ka flakërimin e shenjtë

                        Nëse dashuria hesht bashkë me shtrëngatën

                        Asgjë nuk harrohet mbi sipërfaqen e njëjtë

                        Kur shpirtrat zgjohen me uratën

Gjithsesi, përmbledhja e fundit poetike e Sali Bashotës është një vepër poetike e cila lë mundësi të shumta të interpretimit të tekstit. Pa dyshim që kjo vepër vlerash të veçanta ideo-estetike, përveç si një vëllim lirikash intime mund të lexohet edhe si një vepër me konotacione të shumta filozofike, apo edhe si një vepër që në sfond ka po ashtu një vel erotik. Gjithashtu, kjo vepër poetike e Sali Bashotës, e titulluar jo rastësisht “Në fillim ishte drita” mund të lexohet edhe si një parodi, përkatësisht si një ironi e kohës sonë, e mbarsur aq shumë me lojëra të shumta politike, shpesh një kohë me shumë zymtësi e me më pak dashuri!...

Në përgjithësi, poezia e Sali Bashotës është poezi e frymëzimit të thellë dhe e mendimit me peshë. Ajo është sa poezi e përjetimit të drej

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat