‘Piramida Thaçi’ dhe zhbllokimi i demokracisë në Kosovë

Opinione

‘Piramida Thaçi’ dhe zhbllokimi i demokracisë në Kosovë

Nga: Faton Abdullahu Më: 27 shtator 2018 Në ora: 12:07
Faton Abdullahu

Kur flasim për Hashim Thaçin sot në politikën kosovare, nuk flasim vetëm për Presidentin e Kosovës, nuk flasim vetëm për një individ apo për një institucion, flasin për ‘Piramidën Thaçi’. Në të vërtetë flasim për një piramidë pushtetare, një mekanizëm me hierarki tipike ballkanike, flasim për një ngrehinë që tash dy decenje është në pushtet, më saktë ajo është vetë pushteti. Pavarësisht se në cilën pozitë ka qenë Presidenti aktual, pavarësisht prej cilës pozitë në cilën ka lëvizur, kryeministër, kryetar partie, ministër apo president, bashkë me te aty është bartur, edhe pushteti edhe shteti. Bashkë me te aty është shkarkuar edhe një pjesë e mirë e krahut të luftës, edhe një pjesë e madhe e bizneseve dhe biznesmenëve, edhe shumë para e shumë investime, edhe një pjesë e medieve me ndikim, edhe një numër i konsiderueshëm matrapazësh, mashtruesish e hajnash, por edhe një numër i të rinjëve e të rejave me perspektivë, një numër i intelektualëve, profesorëve, akademikëve, dhe gjithësesi edhe një numër i ndërkombëtarëve. Për më shumë “Piramidës Thaçi” i ka shkuar për dore që moralin e lutës, të fituar para dy dekadash, ta konvertoj në ultra moralizim politik për ta mbajtur e mbrojtur pushtetin. E mban aktive këtë vazhdimisht me financime, përfitime e beneficione për shresën e identifikuar me këtë trashëgimi. E mban gjallë me ceremoni varrimi e rivarimi, me ngritje lapidarësh e përmendoresh, me memoare, përkujtime, e vizita frekuentuese familjesh, dëshmorësh e heronjësh. Pastaj mediet brenda Piramidës kujdesen që kjo mendësi të pulsoj aktive. Ky moral politik, për qëllime përfitimi, nuk lejohet të kaloj në histori. Si i tillë ky diskurs është shtyllë e fortë e kësaj ngrehine e cila me qëllim mbetje në pushtet, bënë edhe shumë të pabëra, sikundër është edhe afera, nga më të turpshmet e prodhuar brenda në këtë “Piramidë..” ajo e ‘veteranëve të rrejshëm’ e nxitur nga po kjo mendësi por me grykësi të papërmbajtur. Ky ndikim dhe kjo jetëgjatësi e Thaçit në politikën kosovare, nuk është determitë e ekspresivitetit të personalitetit të tij, por është dëshmi se institucionet e Kosovës jo që nuk janë demoratike, por ato janë të kapura dhe se Kosova është në masë të madhe dhe për kohë të gjatë një vend me autokraci. Por kjo ngrehinë institucionale në Kosovë, konspirative, klandestine dhe me element, jo rrallë, mafioz, ka një prirje unike, një sens orientimi pragmatic; raportin e mirë me faktorinë ndërkombëtar. Kjo është vitale dhe për këtë Piramida është djallëzisht e vetëdijshme. 

Pensionimi i Thaçit dhe pasojat e rrënimit të ‘Piramidës’

‘Piramida Thaçi’ nuk është e vetme në Ballkan. Një e tillë e Gjukanoviqit është në Mal të Zi, një tjetër është e Zaevit në Maqedoni. Ato kanë ngjajshmëri. Por ka një dallim të madh ndërmjet tyre kur është fjala për një dimension të faktorit ndërkombëtar me këto piramida. Për perëndimorët apo thënë ndryshe për interesat gjeopolitike dhe jo vetëm, të perëndimorëve në Ballkan, nuk ka qenë aspak e lehtë ta gjejnë një Gjukanovic në Mal të Zi, një politikan, i cili në shtetin ku 30 për qind e popullsisë është serbe dhe ku tradita e rreshtimeve politike, kulturore dhe të tjera, të këtij shteti me shumicë sllavo-ortodokse, kurrë nuk kanë qenë perëndimore, ai zbatoj politika pro-perëndiore dhe solli këtë shet me një finale të mrekullueshme, anëtarësim në NATO që para jo shumë vitesh do të ishte e paimagjinueshme. Po ashtu nuk ka qenë aspak e lehtë për perëndimorët që ta gjejnë një Zajev në Maqedoni. Një politikan maqedon i cili në një shtet gjithashtu jo me traditë rreshtimesh properëndimore, ku problemi më i madh është raporti ndëretnik maqedon - shqiptarë, do të pranohet më shumë se cilido tjetër nga pala shqiptare për të krijuar kështu balancin e munguar etnik dhe si tërësi ta shtyj këtë shtet të hapëroj sigurtë drejtë BE-së dhe NATO-s.

Për perëndimorët të gjendet një Hashim Thaç në Kosovë nuk do të duhej të ishte aspak e vështirë, përkundrazi. Disponimi properëndimor apo proamerikan në Kosovë është i pazakonshëm, krejt unik, ai nuk është vetëm rreshtim interesi gjeopolitik por është edhe identitet shtetndërtues i Kosovës, është sinonim i vetë lirisë. Politikanët në Kosovë janë të gjithë properëndimor, pa alternativë tjetër. Kështu janë edhe qytetarët edhe elita intelektuale edhe ajo biznesore thjeshtë të gjithë. Por përkundër kësaj, si Thaçi s’ka një tjetër tash dy decenje në Kosovë. Ai vazhdon të mbetet më i përshtatshmi dhe mbase më i përkdheluri i perëndimorëve . Pse është kështu? Sepse ai ka ndërtuar Piramidën sikundër e shpjegova më lartë. Vazhdon të jetë kështu edhe pse Piramda e tij është bërë edhe e korruptuar edhe mafioze edhe degraduese dhe gjthsesi pengesë serioze për demokratizimin e Kosovës. Për rrjedhojë të largohet Thaçi e të vije një tjetër për ta zëvendësuar nuk bëhet lehtë sepse detyrimisht bije edhe ‘Piramida Thaçi’. Por si duket droja nga turbulencat që do të shkaktohej me shembjen e kësaj Piramide në Kosovë bën që të vazhdohet edhe më tutje me Thaçin për të përmbyllur kështu procese tjera të rëndësishme për Kosovën. Dhe këtu ka një problem, një nyje të ndërlikuar. Piramida Thaçi në Kosovë po bëhet gjithnjë e më shumë një pengesë për demokraci dhe zhvillim. Përderisa është kjo Piramidë aktive, pengesat për çbllokimin e demokracisë në Kosovë do të jenë të pakalushme. Prandaj ‘Piramida Thaçi’ duhet të davaritet, thjeshtë Thaçi të pensionohet dhe të fillojnë proceset përmbajtësore te demokratizimit dhe zhvillmit në Kosovë dhe anëtarësimit në BE dhe NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat