Taktikat e gabuara të Thaçit si komprometim i strategjisë së drejtë të Kosovës

Opinione

Taktikat e gabuara të Thaçit si komprometim i strategjisë së drejtë të Kosovës

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 30 shtator 2018 Në ora: 18:35
Dr. Islam Lauka

Hashim Thaçi u përpoq dy herë për ndryshimin e statukuosë në Kosovë. Herën e parë, kur si udhëheqës politik i UCK-së, përcaktoi drejt strategjinë e saj – mbrojtjen e popullsisë nga makineria ushtarako-policore serbe dhe çlirimin e Kosovës, natyrisht, me ndihmën e NATO-s, si dhe taktikën e duhur për realizmin e kësaj strategjie – luftën guerile. Strategjia dhe taktika e UCK-së iu bënë të qarta popullit dhe ai e mbështeti, pa rezervë, atë. Eshtë fakt i pranuar, gjerësisht, që lufta guerile e UëK-së ishte ndër më të suksesshmet në historinë e luftërave të ksaj natyre. Ajo u dëshmoi miqve tanë që shqiptarët e Kosovës jane gati të vdesin për lirinë e tyre dhe ata nuk na lanë vetëm në këtë kauzë. Në pranverë të vitit 1999, NATO sulmoi ish-Jugosllavinë dhe Kosova u çlirua nga pushtuesi serb. Hashim Thaçi hyri në Prishtinë si fitues dhe këtë fitore ai e shfrytezoi me mjeshtëri për të hipur në pushtet.

Hera e dytë që Thaçi po përpiqet për ndryshimin e statukuosë në Kosovë është tani. Këtë radhë, për të qëndruar në pushtet. Ashtu si në rastin e parë, objektivi strategjik i Kosovës, i përcaktuar nga parlamenti dhe gjjithë forcat politike dhe intelektuale të vendit, është i qartë – konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ky objektiv gëzon mbështjetje të gjerë politike dhe shoqërore, në vend.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm që procesi i njohjeve të reja ka ngecur, që anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është bllokuar dhe se vazhdimi i mëtejshëm i kësaj situate dëmton interesat tona shtetërore, aktuale, por edhe ato afatgjata. Ajo që nuk shkon tani, duket se është taktitka e gabuar që Thaçi ka zgjedhur për sendërtimin e një objektivi të saktë strategjik, sic është ai për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Siç dihet, para disa muajsh, ai vendosi, individualisht, që në axhendën e bisedimeve me Serbinë të fusë çështjen e korrigjimit të kufijve, që, sipas tij, do të bëjë të mundur njohjen e Kosovës nga Beogradi dhe nënshkrimin prej tij të marrëveshjes me Kosovoën, ligjërisht të detyrueshme.

Duke qenë se këtë vendim ai e mori pa u konsultuar me faktorët politikë të koalicionit qeveritar a të opozitës dhe pa dhënë sqarime në kuvend, as në opinionin publik se çfarë kupton ai me termin “korrigjim kufiri” dhe si do ta zbatojë atë praktikisht, nuk ka se si vendimmarrja e tij e njëanshme të gëzojë mbështetje politike e shoqërore. Ai ka pretenduar se gëzon mbështetjen e 80% të qytetarëve të vendit, por një hulumtim i këtyre ditëve i Institutit Demokratik të Kosovës, dëshmoi të kundërtën, vetëm 11% e mbështesin idenë e tij, ndërsa 77.6% janë kundër.

Pas kthimit nga një vizitë që shihet si e dështuar në SHBA, Presidenti Thaçi nuk po flet me nervin e mëparshëm rreth idesë së tij për korrigjimin e kufirit. Megjithatë, në shkrimet autoriale dhe konferencat e shtypit, ai përmendi tre elementë të kësaj ideje: se pari, Thaçi deklaroi se mori mbështjetjen e Uashingtonit për demarkimin e kufirit, apo siç u shpreh ai, për “korrigjimin e lehtë të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë”. Së dyti, ai siguroi se Kosova ka qenë dhe do të mbetet një rast sui generis. Së treti, tha se bashkëbiseduesve u ka bërë të njohur vullnetin politik të udhqëheqësve të komunave të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për tu bashkuar me Kosovën.

Në të tre rastet, Thaçi dëshmoi atë që ka dëshmuar, qëkur doli me tezën e korrigjimit të kufirit – mungesën e plotë të transparencës e llogaridhënies, shpesh, edhe mungesën e të kuptuarit, drejt, të proceseve historike, nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ashtu siç nuk e bëri kurrë të qartë se çfarë do të “korrigjojë” Serbia, në këmbim të, gjoja, bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, as këtë radhë, nuk shpjegoi se çfarë do të thotë “korrigjim i lehtë”. ëfarë ndodhi që nocioni i tij i “korrigjimit të kufijve” a këmbimit të territoreve, u lehtësuaë Duket se në Uashington, Presidneti Thaçi është kthjelluar dhe ka kuptuar se nuk e ka mbështetjen e jashtme që ai ka pretenduar për ndryshimin e kufijve. Ai duhet të jetë vetëdijësuar që Presidenti Tramp nuk e ka kund në defterët e tij Kosovën, jo e jo, por as Ballkanin. Kur ai u thotë aleatëve të vjetër të Amerikës, Gjermanisë dhe Francës, mjaft më, pa biletë nuk mund të udhëtohet, apo se nuk ka më djathë pa pare, në kuptimin që për sigurinë duhet paguar, nuk është vështirë që të merret me mend se çfarë mendon ai për Ballkanin dhe vendet e tij të vogla që nuk paraqesin ndonjë interes për të dhe, për më tepër, nuk kanë as para. E vetmja gjë që dëshiron Trampi nga Ballkani është që ai të mos i nxjerrë telashe dhe mundësisht, të mos harxhojë asnjë cent për të. Lëvizja e kufijve e Thaçit del jashtë këtij kuadri.

Nuk është fort larg këtij koncepti as Europa, e mbërthyer në krizë. “Pragmatizmi parimor” i Brukselit po reduktohet, gradualisht, në pragmatizëm joparimor. As BE nuk do telashe e shpenzime në këto kohë të vështira.

Nga takimet në Nju Jork, Presidenti Thaçi duhet të ketë kuptuar që detyra e shtetarit të vërtetë është, jo të përvjedhë ndonjë informacion se nga cila ide anon ky, apo ai zyrtar amerikan a europian, për ta paraqitur pastaj atë ide si interes të shqiptarëve, por të përcaktojë dhe përkufizojë interesin shqiptar, mbi bazën e një analize të thellë e gjithëpërfshirëse dhe, vetëm pas kësaj, të përpiqet që të sigurojë mbështjetjen maksimale të miqve dhe aleatëve për realizimin e tij.

Sa i takon theksimit, nga ana e Thaçit, të karakterit sui generis të rastit Kosovë, vec mungesës së njohjes së këtij koncepti, kemi të bëjmë me një përpjekje të dështuar për të justifikuar taktikën e tij të gabuar të korrigjimit të kufijve me Serbinë, me unikalitetin e Kosovës. Logjika e tij është e thjeshtë: meqenëse Kosova është vlerësuar si rast i veçantë, ndryshe nga vendet e tjera, asaj mund t’i lejohet edhe loja me kufijtë. Përderisa nuk shërbeu si precedent me 1999, as me 2008, përse u dashkërka trajtuar si i tillë, me 2018, në rast të lëvizjes së “lehtë” të kufijveë Ky është një ndër spekulimet më të paskrupullta që bëhet me tezën shkencore të karakterit sui generis të rastit Kosovë.

Ndërhyrja e NATO-s më 1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës me 2008, me të drejtë janë argumentuar me natyrën, krejt të veçantë, të këtij konflikti. Por kjo nuk u jep aspak të drejtë politikanëve si Thaçi, që çdo veprim të tyre ta justifikojnë me veçanësinë e Kosovës. Nëse duhet folur për veçanësi në rastin e Thaçit, atëherë ajo lidhet me përmasat e arbitraritetit në vendimmarrjen e tij.

Lidhur me shqiptarët e Luginës së Preshevës, Presidenti Thaçi, lau duart si Pons Pilati. Në kalim e sipër, ai përmendi se e ka përcjellur dëshirën e tyre për bashkim me Kosovën, por nuk tha asnjë fjalë se cili ishte qëndrimi I bashkëbiseduesve për këtë çështje. Qëndrimi i tyre, jo se ka munguar, por, me siguri, ndryshon ose është krejt I kundërt me atë të tijin dhe Thaçi nuk dëshiron ta bëjë atë të njohur.

Postulatet se “ligji ndërkombëtar i lejon shtetet sovrane të përcaktojnë kufijtë e tyre, siç e shohin ato të arsyeshme”, apo se “çdo marrëveshje përfundimtare me Serbinë duhet të adresojë kufijtë tanë shtetërorë”, që ai përpiqet t’i paraqesë si zbulime, jane të njohura edhe për filloristët. Vetëm se, që të ndodhë kjo gjë kaq e thjeshtë dhe normale, duhet, së pari, që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, pastaj të bien dakord për shënjimin e kufirit midis tyre.

Duket se ideja e Thaçit për “korrigjim” a këmbim territori, po rrëzohet, në planin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Atë nuk mund ta shpëtojë as Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka filluar ta nxjerrë kokën, nga poshtë sofrës, ku kishte muaj që fshihej si macja e zënë në faj. Në emisionin Opinion të TV Klan, datë 20.09.2018, duke cituar dy figura të njohura, si Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja, të cilët, sipas tij, janë shprehur për këmbim territoresh, në fakt, ai u orvat ta mbështesë Thaçin. Por kjo mbështetje u ngrit mbi shtrembërimin e së vërtetës. Siç dëshmon ish-Kryeredaktori i gazetës “Zëri”, Blerim Shala, aktualisht këshilltar politik i Thaçit, Ibrahim Rugova vërtet e ka përmendur një herë këmbimin e territoreve, por është tërhequr menjëherë prej kësaj ideje, për t’i qëndruar besnik, deri në fund të jetës së tij, asaj të Kosovës së pavarur në kufijtë ekzistues. Sa i takon Rexhep Qoses, ai është distancuar publikisht nga Thaçi dhe taktika e tij e rrezikshme.

Dhënia e Ramës pas idesë së këmbimit të territoreve, i dyshuar edhe vetë ai se në këtë cështje ka konspiruar me Presidentin serb A.Vuçiç, e çon atë në gabime parimore të tipit “Detyra ime është të mbështes Kosovën, cilidoqoftë vendimi i saj”. Për cilin vendim të Kosovës e ka fjalën Rama, sepse kemi të bëjmë me disa të tilla: një, të Hashim Thaçit për “korrigjim të kufijve”, një tjetër të Ramush Haradinaj, që e konsideron korrigjimin e kufijve si ftesë për luftë dhe një të tretë të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit që, me 29 shtator 2018 dolën në protestë, duke kërkuar largimin e të dyve nga pushtetië Dhe më tej, si mund të mbështetet, apriori, çdo vendim i Prishtinësë Po, nëse ai bie në kundërshtim me interesat shtetërore të Kosovës dhe ato kombëtare të shqiptarëveë I djegur nga qulli (i akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës) Rama kalon në ekstremin tjetër, i fryn edhe kosit. Vërtetë vendimmarrja për punët e Kosovës i takon institucioneve të saj, por kur ajo është e dëmshme dhe e rrezikshme, si në rastin e këmbimit të territoreve, Tirana zyrtare nuk duhet ta mbrojë, por ta bëjë të qartë qëndrimin e saj të prerë, kundër këtij vendimi.

Nuk e ndihmojnë Presidentin e Kosovës as thirrjet moralizuese të Ramës për kujdes e maturi, që të mos sulmohet Thaçi. Me ndonjë përjashtim të vogël, shumica e politikanëve, analistëve dhe studiuesve, po godet taktikën e tij të rrezikshme për këmbime territoriale me Serbinë, të cilën ai e ka zgjedhur qëllimisht, në funksion, jo të interesave të Kosovës dhe shqiptarëve, por të axhendave personale të tij dhe të klanit të vet të ngushtë.

Kjo taktikë e rrezikshme komprometon keq startegjinë e drejtë të Kosovës për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj. Jo vetëm kaq, por vazhdimi i saj kërcënon të zhbëjë lirinë, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, arritje këto, që mund të krahasohen me ngjarje të tilla madhore si themelimi i shtetit shqiptar, me 1912. Mbrojtja e këtyre arritjeve dhe e kufijve të Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht, si dhe anëtarësimi i saj në OKB duhet të jenë midis atyre objektivave strategjikë, pa realizmin e të cilëve nuk mund të flitet për axhenda të tjera, përfshirë atë ta bashkimit kombëtar, për të cilën është kujtuar të flasë, tash së voni, edhe kozmopoliti i regjur, Edi Rama.

Që nuk ka djathë pa pagesë, kjo gjë, tashmë dihet. Por si në çdo rregull, edhe këtu ka ndonjë përjashtim. Djathi në kurhtin e miut ëstë falas. E tillë është ideja serbe, e përqafuar nga Thaçi, për shkëmbimin e territoreve, për të zënë në kurth Kosovën. Nëse ne i lejojmë. Protesta masive e djeshme me moton “një popull nuk i nënshtrohet një njeriu” dëshmoi se qytetarët e Kosovës janë ndërgjegjësuar për t’i thënë ndal kësaj të keqeje. Në vend që të dëgjonte me vëmendje zërin e popullit të vet në shesh, Presidenti Thaçi zgjodhi të shëtisë në liqenin e Ujmanit. Kësaj i thonë, fshati digjet, plaka krihet. E pakta që duhet të bëjë Thaçi në këtë situatë, është që të thërrasë kuvendin e Kosovës në seancë dhe mbi bazën e një analize kritike dhe vetëkritike, ta pranojë së taktika e zgjedhur prej tij për futjen në axhendën e bisedimeve me Serbinë të këmbimeve territoriale me të, rezultoi e gabuar. Ashtu siç ishte e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën dhe rajonin taktika e tij dhe e Presidentit serb, Vucic, e shpallur në Alpbach të Austrisë, për t’i zhvilluar bisedimet Kosovë-Serbi, prapa shpinës së BE-së dhe SHBA. Teza që ballkanasit duhet t’i zgjidhin vetë problemet e tyre, në thelb, është tezë ruse që synon çfaktorizimin e perëndimorëve në këtë rajon dhe fuqizimin e ndikimit dhe pranisë së Moskës në të.

Thaçi duhet të distancohet nga këto taktika të rrezikshme dhe në vend të “korrigjimit të kufirit”, të merret me korrigjimin e vetes së tij. Ai duhet të japë llogari dhe të shpjegojë si ndodhi që tabloja pozitive e Kosovës, e propaganduar 10 vjetë rresht prej tij, të degradojë, menjëherë në ngërç politik. Apo ajo nuk ka qenë reale, por një fake tablo, e pikturuar për qëllimet e tij elektoraleë 

Pa mohuar ndikimin negativ të faktorëve reajonalë e jashtërajonalë, sidomos të atyre që njihen si ndryshues të rregullave, Thaçi duhet të pranojë pjesën e tij të përgjegjësisë për krijimin e këtij ngërci, gjatë 10 vjetëve, në krye të pushtetit në Kosovë. është e drejtë e Kuvendit që të vlerësojë shkallën e tij të përgjegjësisë. Nëse Thaçi nuk e bën këtë gjë, atëherë, protestat si ajo e 29 shtatorit, mosbindja  civile dhe zgjedhjet e reja, të parakohsme, i kanë dyert e hapura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat