Demokratizimi i brendshëm i partive politike të Kosovës, domosdoshmëri e kohës!

Opinione

Demokratizimi i brendshëm i partive politike të Kosovës, domosdoshmëri e kohës!

Nga: Ilir Ejupi Më: 5 tetor 2018 Në ora: 08:50
Ilir Ejupi

Duke u mbështetur në situatën politike të Kosovës, e cila është në një rrugë me mjaft sfida dhe sakrifica, është e  nevojshme krijimi i kushteve të përshtatshme për freskimin dhe demokratizimin e brendshëm të partive politike të Kosovës. Ky rifreskim dhe ristrukturim i brendshëm duhet të ndodhë në mënyrë që brenda partive politike të kemi njerëz profesionistë dhe të aftë, të cilët do të kontribuojnë në ndërtimin e politikave progresiste dhe demokratike, politika të cilat janë bindëse dhe të argumentuara. Prandaj, nëse dëshirojmë që të kemi stabilitet politik, institucione demokratike, fillimisht duhet të kontribuojmë në strukturimin dhe freskimin e brendshëm të partive politike të Kosovës, parti të cilat do të synonin pushtetin përmes ofrimit të alternativave politike, jo duke u thirrë në meritat e grupeve dhe individëve të caktuar. Ky demokratizim i partive politike të Kosovës është i domosdoshëm për faktin se para qytetarëve do të kemi alternativa politike mjaft serioze, politika të cilat mbështeten në ofrimin e alternativave bindëse dhe argumentuese. Prandaj, nga ky demokratizim i partive politike do të arrijmë që të ndërtojmë institucione demomratike që mbështeten mbi parimet e lirisë, drejtësisë dhe barazisë, të zgjedhura në mënyrë të drejtë dhe të lirë nga qytetarët.

Gjithashtu, është edhe një vlerë shumë e rëndësishme që i mungon shoqërisë tonë dhe në veçanti politikës së Kosovës, e që është pluralizmi politik si një vlerë shumë e rëndësishme e sistemeve liberal-demokratike. Pluralizmi politik është shumë me rëndësi, sëpse ndikon në ngritjen e nivelit politik të një vendi, në të cilin ofrohen alternativa politike për qytetarët. Në atë vend ku ekziston pluralizmi politik, ofrohet një politikë më e mirë që del si rezultat i konkurrencës politike, dhe njëherit, qytetarët kanë mundësi alternativash për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre që ata mendojnë se janë mbrojtësit më të mirë të interesave të tyre. Në ato vende ku mungon pluralizmi politik, mungon edhe demokracia, sëpse nga mungesa e alternativave politike për qytetarët, një pjesë e tyre mbesin jashtë përfaqësimit, sëpse në atë skenë politike nuk ekzistojnë politika të cilat përkojnë me bindjet dhe interesat e një pjese të qytetarëve.

„Prandaj, në qoftë se dëshirojmë që shoqëria e hapur të bëhet realitet, kërkesa më fondamentale është ajo që njerëzit në pushtet të mund të ndërrohen brenda intervaleve të arsyeshme dhe pa dhunë, dhe të zëvendësohen nga njerëz të tjerë me politika të ndryshme.“

Pra, për t’u bërë realitet që një politikë të zëvendësohet me një politikë tjetër, duhet të ekzistojë pluralizmi politik, që t’u ofrohen alternativa politike qytetarëve për të pasur mundësi zëvendësimi dhe ndryshimi përmes kritikës. Vetëm qytetarët janë ata të cilët mund t’i zgjedhin dhe të sjellin alternativa politike përmes votës së tyre.

Popperi, me shoqëri “të hapur” dhe “pluraliste” nënkuptonte një shoqëri në të cilën çdokush është i lirë t’i hulumtojë situatat problematike dhe të propozojë zgjidhje për to, një shoqëri në të cilën çdokush është i lirë t’i kritikojë zgjidhjet e propozuara nga të tjerët, bile edhe propozimet e Qeverisë, një shoqëri në të cilën ndryshon politika si rezultat i kritikës.

Kritika është një element shumë i rëndësishëm, që çon në progres politik. Fjala kritikë, në të shumtën e rasteve keqkuptohet, duke u kuptuar si një veprim negativ. Mendoj se, është e nevojshme që të shpjegohet kuptimi etimologjik dhe i qartë i fjalës kritikë, e cila mund të përdoret pavarësisht fushës së studimit apo edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. “Fjala “kritikë” rrjedh nga fjala greke “krino” që to të thotë, përveç të tjerave, “të hetosh” dhe “të shqyrtosh”. Kritika i përshtatet funksionimit të një shoqërie demokratike dhe të avancimit të kulturës politike qytetare. Pra, qytetarët duhet të jenë aktiv në jetën politike dhe qytetare, duhet të interesohen për veprimet politike, pra duhet të jenë aktiv, ku në një mënyrë ta ndiejnë vetën të lirë. Pra, individi duke qenë i angazhuar, duke qenë pjesë e aktiviteteve politike, ai e fiton lirinë. Nëse qytetarët nuk janë të angazhuar në jetën politike, nëse nuk marrin pjesë në proceset politike dhe nëse nuk janë pjesë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, në një ambient ku ekzistojnë alternativat e ndryshme politike, ata jo vetëm që e humbin të drejtën e tyre qytetare për të kërkuar përgjegjësi ndaj udhëheqësve, por ata në një mënyrë shkëputen nga jeta qytetare dhe nga shoqëria.

Kur e shpjeguam kuptimin etimologjik të fjalës “kritikë” e pamë se ka kuptimin “të hetosh”. Pra kush duhet të hetojë?. Qytetarët duhet të jenë ata të cilët duhet të hetojnë, të vrojtojnë dhe t’i njohin alternativat që i ofrojnë partitë politike, në mënyrë që mos të mashtrohen nga ofertat e tyre. Qytetarët, gjatë përpjekjeve dhe hulumtimeve të alternativave politike nuk duhet që të nguten dhe të marrin ndonjë vendim. Qytetari duhet të vendosë për të përkrahur një variantë politike, vetëm atëherë kur mendon që ajo variantë është përfaqësuesi dhe mbrojtësi më i mirë i interesave të tij. Nuk duhet të vendosë nga emocionet, duhet t’i ikë afërsisë së gjakut, regjionalizmit dhe individit, që janë elemente të një shoqërie primitive.

Partitë politike të Kosovës duhet të konsolidohen dhe të freskohen brenda strukturave, në mënyrë që të reflektojnë përpara qytetarëve, ta kthejnë shpresën para qytetarëve, duke i ofruar të rinjtë brenda strukturave, jo vetëm si numra por si vlera të partisë që mund të konsiderohen si potencial i partive politike. Partitë politike të Kosovës kanë nevojë për kuadro të përgjegjshme, të pakorruptuara, të cilët respektojnë ligjin dhe janë në gjendje që interesin e përgjithshëm ta vendosin mbi çdo lloj interesi tjetër.

Nëse brenda partive politike mund të ndodhë një transformim i tillë pozitiv, përmes freskimit të strukturave të brendshme, atëherë qytetarët do të kenë mundësi  të zgjedhin në mes të alternativave politike serioze që mund t’u ofrohen nga partitë politike.

Autori është anëtari i PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat