Elena Gjika – Shqiptarja më e shquar në Europë në shek.XIX

Opinione

Elena Gjika – Shqiptarja më e shquar në Europë në shek.XIX

Nga: Jahja Lluka Më: 5 tetor 2018 Në ora: 18:43
Jahja Lluka

“Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm Shqiptar bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut” Elena Gjika Një personalitet i shquar, një grua e rrallë me tipare të veçanta pushtoi botën në shek.XIX. Ajo quhej Elena Gjika, një shqiptare fisnike e cila zgjodhi rrugën e Dijes, për të mos u harruar kurrë.

Filozofe dhe artiste Elena Gjika u paraqit para kulturës europiane me pseudonimin “Dora d’Istria”, sharmi, mençuria dhe natyraliteti ishin gërshetuar në figurën e Elenës, e që në kohën sa jetoi ishte e respektuar dhe e admiruar nga shoqëria aristokrate dhe njerëzit e thjeshtë. Vepra e saj u bë e përjetshme duke na bërë krenar para botës, që nga gjaku ynë kishim një femër të tillë, e cila më vonë do bëhej pasqyrim për femrën shqiptare duke nxitur breza frymëzimi pas vetes.

Dija thonë është pushtet, që Elena e përdori për ta pushtuar kohën në të cilën jetoi. Andaj saherë, lexojmë apo shkruajmë diçka për personalitetin e saj ne çdoherë do gjejmë diçka të re që na mbush me frymëzim. Elena Gjika mbeti e përjetshme me mençurinë e saj, duke mos harruar asnjëherë origjinen prej nga vinte, figura e saj unike do jetojë sa të jetë njerëzimi. Me 22 janar 1828 në Bukuresht të Rumanisë, lindi Elena Gjika.Babai i saj ishte princ Gjika me origjinë shqiptare. Gjika përveç që ishte guvernator i principatës së Vllahisë, ai ishte dhe arkeolog. Muzeu i parë kombëtar në Rumani u themelua pikërisht nga babai i Elenës, Mihal Gjika,ndërsa nëna e saj ishte Katinka Faka, njihet si shkrimtare dhe poashtu përkthyese e veprave të huaja, e cila dha kontribut në zhvillimin e shoqërisë së asaj kohe, duke përkthyer në rumanisht veprat më të arrira nga letërsia e begatë franceze.

Nga dera e familjes Gjika dolën dhjetë princër të cilët sunduan Vllahinë dhe Moldavinë dhe poashtu dy kryeministra të Rumanisë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Elena kishte fatin që të rritej me një kulturë aristokrate, e që kjo frymë e përcolli gjatë gjithë jetës, duke qenë një ndër personalitetet e rralla të asaj kohe në Evropë. Mësuesi i saj, të cilit iu besua edukimi i Elenës, ishte nga Selaniku dhe quhej Gregor Gjergj Papadopulos. Qysh herët tek Elena u shfaqën cilësi të veçanta, të cilat e dërguan më pas në rrugën e gjatë të Njohjes. Për këtë në mesin e aristokratëve Elenes i’u jep epiteti “Mrekullia e Vogël”, fliste nëntë gjuhë të huaja, qysh në moshën katërmbëdhjetëvjeçare.

Ishte e martuar me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij, por jeta e saj bashkëshortore nuk i solli aspak lumturi. Kështu, ajo largohet për në Zvicër dhe udhëtimet e saj zgjasin deri në Amerikën e largët. Shpirti i saj i trazuar dhe i etur për dije nuk mundi të qëndroj vetëm në një vend, ajo ëndërronte që ta shihte botën dhe të njihej me kultura e popuj të ndryshëm.Por asnjëherë nuk e harroi origjinën e saj, në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Për kontributin e saj në skenën e kulturës europiane, mori titullin Qytetare Nderi e Athinës në vitin 1862. Elena me sharmin dhe mençurinë e saj nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Ishin miq të afërt me poetin e madh arbëresh Jeronim de Rada, poashtu njohu rilindasit shqiptar Zef Jubani dhe arbërshin Leonardo de Martino.

Të tre këta e vlerësuan lartë kontributin e Elenës për ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin botëror të asaj kohe.

“Ajo zgjodhi si pseudonim artistik emrin “Dora d’Istria”, sepse përmblidhte gjithçka që përbën themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me vendin, rrënjët e saj dhe në të njëjtën kohë një konceptim kozmopolit dhe tolerant, të hapur ndaj botës dhe kulturës.” Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888 duke lënë pas vetes një krijimtari të gjërë në fusha të ndryshme.

Veprat e saj njihen në të gjithë Europën, ajo shkroi “Les Femmes en Orient” (Femrat në Lindje) në vitin 1860 dhe “Des femmes par une femme” (Femrat për një femër) e vitit 1865, “Les Femmes fortes” (Femrat e forta) të 1871-shit, “Lettre à la presidente de l’Association des dames grecques pour l’istruction des femmes” (Letër drejtuar kryetarit të Shoqatës së zonjave greke për arsimimin e femrave) 1872, ”The ëoman question in Austria e The ëoman question Germany” (Çështja e gruas në Austri dhe çështja e gruas në Gjermani në 1873-shin), e të tjera. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat