Refleksione mbi ndryshimet e reja kushtetuese në Maqedoni

Opinione

Refleksione mbi ndryshimet e reja kushtetuese në Maqedoni

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 9 tetor 2018 Në ora: 15:02
Abdulla Mehmeti

Në „Aktvendimin për shpalljen e KAÇKM-së si organ suprem ligjdhënës dhe ligjzbatues i Maqedonisë demokratike“ (1944), në Nenin 3, thuhet:

„KAÇKM është formuar nga përfaqësuesit e popullit, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fenë, gjininë, racën dhe përkatësinë politike-partiake, të cilët dëshmojnë se e përkrahin luftën për pavarësinë dhe lirinë e popullit të Maqedonisë dhe luftën çlirimtare të popujve të tjerë në Jugosllavi, dhe janë kundërshtarë të papajtueshëm me okupatorin dhe ndihmësit e tij.“

Në preambulën e Kushtetutës aktuale të Maqedonisë (1991/2001), mes tjerash thuhet:

„Duke u nisur nga trashëgimia historike, kulturore, shpirtërore dhe shtetërore e popullit maqedonas dhe nga lufta e tij shekullore për liri nacionale dhe sociale dhe për krijimin e shtetit të vet, e veçanërisht nga traditat shtetërore juridike të Republikës së Krushevës dhe vendimeve historike të KAÇKM-së dhe kontinuitetit kushtetues juridik të shtetit maqedonas si Republikë sovrane në Federatën Jugosllave, nga vullneti lirisht i shprehur i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë në Referendumin e 8 shtatorit 1991, si dhe nga fakti historik se Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, e me qëllim që: - Republika e Maqedonisë të konstituohet si shtet sovran dhe i pavarur dhe si shtet qytetar dhe demokratik;“

Në këtë frymë dhe sipas këtij parimi, me ndryshimet e reja kushtetuese në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës, nëse ndryshohet koncepti i shtetit, nga ai unitar dhe njëetnik, në shtet qytetar dhe demokratik, në preambulën e Kushtetutës duhet të saktësohet si vijon:

„Republika e Maqedonisë Veriore është konstituuar si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, gjuhësore dhe çfarëdo përkatësie tjetër.”

?o siç ka qenë deri më sot:

„Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas, në të cilin sigurohet barazia e plotë qytetare dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë e tjera që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.“

Nëse pushteti aktual në Maqedoni dëshiron ta ruaj konceptin e mëparshëm të shtetit, duhet të merren parasysh sugjerimet dhe propozimet e Këshillit të Intelektualëve Shqiptarë në Maqedoni, sipas Memorandumit dhe Kërkesës së drejtuar kohë më parë organeve të pushtetit dhe institucioneve ndërkombëtare, përkatësisht:

I

„Republika e Maqedonisë është shtet i popullit maqedonas dhe i popullit shqiptar, si dhe i bashkësive etnike, turke, vllehe, bullgare*, serbe, rome, boshnjake dhe të tjerë që jetojnë në këtë shtet.“

II

„Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare janë gjuha maqedonase me alfabetin e saj cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj.“

Në të dyja rastet, me asnjë kusht nuk duhet të lejohen formulime jodemokratike dhe shoviniste, me të cilat populli shqiptar në Maqedoni trajtojet si përqindje (20%) dhe gjuha shqipe si gjuhë të cilën e flasin mbi 20% e qytetarëve të saj. Ky formulim sipas parimeve të së drejtës ndërkombëtare ka përmbajtje diskriminuese dhe raciste!

*Bullgarëve në Maqedoni duhet t’u njihet e drejta e përkatësisë etnike të tyre në Maqedoni, meqë nuk kanë qenë më parë të pranuar me Kushtetutë, me qëllim të eliminimit të pretendimeve të disa qarqeve bullgare mbi Maqedonisë si shtet i dytë bullgar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat