Dy të rinjtë shqiptarë në Novi Sad i kanë rrahur edhe politikanët plaçkitës të Kosovës

Opinione

Dy të rinjtë shqiptarë në Novi Sad i kanë rrahur edhe politikanët plaçkitës të Kosovës

Enver Robelli Nga Enver Robelli Më 9 tetor 2018 Në ora: 16:45
Sulmi brutal kundër dy të rinjve nga disa kriminelë serbë në Novi Sad tregon surratin e një Serbie agresive. Por, rrahja na tregon edhe diçka tjetër: pushtetet e korruptuara kosovare ua kanë bërë jetën ferr të rinjve, saqë ata duhet të shkojnë edhe në Serbi për të kërkuar punë. Çlirim Malokun dhe shokun e tij mund ta kenë rrahur nacionalistët serbë, por atje, në pritën e rrahësve, Çlirim Malokun dhe shokun e tij e dërguan politikanët plaçkitës të Kosovës, pasi e kanë vjedhur të ardhmen e shoqërisë kosovare.

Rrahja e dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad ishte një rast i mirëseardhur për presidentin serb Aleksandar Vuçiq që të shfryhet me cinizëm. Ai tha: «Ata janë shtetas serbë të nacionalitetit shqiptar. Kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme që të gjenden njerëzit që janë sulmues të atyre dy shqiptarëve. Të gjithë qytetarët tanë duhet të gëzojnë mbrojtje të barabartë ligjore. Ne nuk jemi egërsira, ky është vend i rregulluar dhe askush nuk guxon të sulmojë askënd vetëm pse është shqiptar».

Një krim në shtetin e tij Vuçiq e shfrytëzon për të politizuar çdo gjë, për t’i quajtur shqiptarët e Kosovës shtetas të Serbisë dhe për të aluduar se Prizreni nuk është gjë tjetër veçse një qytet i Republikës së Serbisë, dikur «kryeqytet» i Perandorisë Serbe të Dushanit. Kjo është logjika me të cilën bën politikë presidenti serb.

Dy të rinjtë shqiptarë sapo kishin arritur në Novi Sad për të kërkuar punë. Njëri prej tyre për televizionin N1 tha: «Kaluam semaforin dhe pamë dy veta që po vinin drejt nesh, ndërsa mua më thanë: ‘çfarë problemi ke me mua?’, por unë i thashë se nuk e kam të qartë për çka bëhet fjalë, nuk më tha asgjë tjetër, vetëm më goditi, ai i pari, ai tullaci, pastaj tjetri më qëlloi në kokë me grusht dhe më nuk kam ditur se çfarë ka ndodhur… Kur erdha në veta pashë shokun tim, ishte i tëri i mbuluar me gjak, gjak në buzë, vrapova te ai, nuk bëhesha merak nëse do të më rrihnin, vetëm shoku më interesonte».

I lënduari i parë, sipas autoriteteve serbe, nuk është më në rrezik për jetë, ndonëse ka marrë lëndime të rënda. I lënduari i dytë ka braktisur spitalin. Disa politikanë serbë kanë dënuar rrahjen e të rinjve shqiptarë, në mediat serbe është raportuar me rezervë për rastin, me përjashtim të televizionit N1. Sipas përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Novi Sad dy të rinjtë nga komuna e Prizrenit janë sulmuar vetëm për shkak se kanë folur shqip.

Në Kosovë presidenti i vendit, i cili është orë e çast aktiv për të marrë vëmendjen e opinionit mbi idenë e tij për ndarjen e Kosovës, deri në postimin e këtij teksti nuk e ka dënuar sulmin ndaj shtetasve të Kosovës në Vojvodinë. Kryeministri ka reaguar të hënën rreth orës 22:00, duke e dënuar sulmin. Ramush Haradinaj ka shkruar në profilin e tij në Facebook: «I pashembullt akti i rrahjes brutale të dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad. Sulmi mbi dy udhëtarë shqiptarë dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin serb nuk është e garantuar dhe çdo akt dhune është larg vlerave europiane. Derisa Çlirim Maloku po lufton për jetë, nga lëndimet e marra, një shtet që negocion për anëtarësim në BE duhet të ndërmerr veprime të shpejta për ta zbardhur rastin. Dy të rinjve shqiptarë u uroj shërim sa më të shpejt, ndërsa sulmuesit të sillen para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin meritor». Akti i rrahjes nuk mund të quhet i pashembullt as për Serbinë, as për Kosovën. Ndokush mund të zemërohet, por pas luftës një bullgari i është marrë jeta në Prishtinë vetëm pse ka folur sllavisht, të tjerë sllavishtfolës janë rrahur e keqtrajtuar në mënyra të ndryshme. Fatmirësisht këto kohëra kanë kaluar në Kosovë, të shpresojmë përgjithmonë.

Rrahja e dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad tregon surratin e një Serbie agresive. Tregon se fantazmat e së shkuarës ende lëvizin nëpër terr në qytete serbe dhe godasin çdokënd që nuk i përket kombit serb. Por, rrahja tregon edhe diçka tjetër: pushtetet e korruptuara kosovare ua kanë bërë jetën ferr të rinjve, saqë ata duhet të shkojnë edhe në Serbi për të kërkuar punë. Tani fotografia e Çlirim Malokut qarkullon gjithandej si dëshmi për brutalitetin e një pjese të shoqërisë serbe. Por, në Kosovë fotografia e Çlirim Malokut duhet të nxisë opinionin të shtrojë pyetje të tjera: përse të rinjtë e Kosovës detyrohen të shkojnë edhe në Serbi për të kryer punë të rënda fizike? Përse këta të rinj shkojnë gjurmëve të hamajve shqiptarë, të cilët në vitet ’50 bartnin qymyr nëpër Beograd dhe kryenin punë të tjera të rënda fizike? Përse të rinjtë e Kosovës nuk kanë perspektivë në vendin e tyre? Si u bë që një djalë me emrin Çlirim, i lindur në vitin e çlirimit, më 1999, të neveritet nga Kosova e çliruar dhe të braktisë vendin? Kush i ka fajet për këtë? Rrahja e dy të rinjve shqiptarë na tregon se pushtetet e korruptuara kosovare ua kanë bërë jetën ferr të rinjve, saqë ata duhet të shkojnë edhe në Serbi për të kërkuar punë. Mijëra të tjerë viteve të fundit kanë ikur në Perëndim. Qindra të tjerë po ikin. E mijëra të tjerë po e presin heqjen e vizave për të ikur. Ndonëse vizat hiqen për turistë dhe jo për punëkërkues.

Qeverisja e keqe, shkatërrimi shumëvjeçar i resurseve shtetërore, paraliza ekonomike, mbytja e shpresave, plaçkitja e arkës shtetërore, polarizimi politik, intrigat e pushtetarëve, vjedhja e votave, shkelja e ligjeve, ndikimi në drejtësi, privatizimet kriminale, pasurimi ilegal i politikanëve – të gjitha këto po i bëjnë shumë të rinj të mendojnë vetëm të largohen nga Kosova. Çlirim Maloku është njëri nga ta. Atë dhe shokun e tij mund ta kenë rrahur nacionalistët serbë, por atje, në pritën e rrahësve, Çlirim Malokun dhe shokun e tij e dërguan edhe politikanët plaçkitës të Kosovës, pasi e kanë vjedhur të ardhmen e shoqërisë kosovare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat