Gjergj Kastrioti - Skenderbeu si udhërrëfyes i shqiptarëve dhe shëmbull i shkëlqyer i diasporës

Opinione

Gjergj Kastrioti - Skenderbeu si udhërrëfyes i shqiptarëve dhe shëmbull i shkëlqyer i diasporës

Nga: Frank Shkreli Më: 18 tetor 2018 Në ora: 06:22
Frank Shkreli

Në kuadër të aktiviteteve të Vitit Mbarëkombëtar 2018, kushtuar Gjergj Kastriotit -Skënderbeut me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, në Prishtinë po mbahet një konferencëme pjesëmarrje nga studiues shqiptarë dhe të huaj.

Konferenca është organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, Institutin e Historisë në Tiranë dhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë në Shkup. Disa medie të Kosovës kanë njoftuar se ndonëse Presidenti i Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministri, Z. Ramush Haradinaj, kishin premtuar se do të merrnin pjesë në këtë konferencë kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe, asnjëri prej tyre siç duket nuk ishte i pranishëm në këtë tubim, megjithse ishin pjesë e programit të konferencës, të njoftuar më heret. 

Përfaqsuesi më i lartë i shtetit dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës që mori pjesë në këtë konferencë akademike, ishte Ministrii Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.  Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare.

Image
Pamje nga konferenca

Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi, tha se Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është njëra nga figurat më të respektuara në historinë tonë kombëtare.  “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skenderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar.  Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar.  Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës -- pra me atë osmane -- ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishëmve në këtë konferencë, Ministri Bytyqi tha se Gjergj Kastrioti - Skënderbeu është njëra prej figurave më të respektuara në historinë tonë kombëtare. “Si figurë unifikuese” shtoi ai Gjergj Kastrioti -Skenderbeu, “Çdo herë ka qenë dhe mbetet adresa kryesore e identifikimit të popullit shqiptar. Skënderbeu, si njëri nga strategët më të njohur të artit luftarak, për 25 vite rresht, arriti që të vë themelet e shtetit mesjetar shqiptar. Edhe përkundër që ai u ndesh me ushtrinë më të fortë të kohës -- pra me atë osmane-- ai ishte i pathyeshëm dhe pengesë kryesore për depërtimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore”, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, Z. Shyqiri Bytyqi.

Image
Ministri Shyqiri Bytyqi

Ministri Bytyqi theksoi se Skënderbeu, për vite të tëra shërbeu si figurë pikënisëse e shumë proceseve të mëdha të popullit tonë dhe si i tillë, për shqiptarët e Kosovës, ai ishte shembulli me i mirë për vetëdijesimin e ndërgjegjes kombëtare. “Ai, ishte udhërrëfyesi i jonë në momentet më të rëndësishme të ndërtimit të shtetit tonë, që nga vlimet e mëdha politike në fillimvitet e ’90-ta të shekullit të kaluar, më pas gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e deri në ditët tona”, tha në fund të fjalës së tij,Ministri Bytyqi.

Një prej të folësve në këtë tubim akademik në Prishitnë ishte edhe Përfaqësues i Kishës Katolike të Kosovës, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, Don Lush Gjergji i cili iu drejtua pjesëmarrësve me këto fjalë: “Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe i afroi Arbët, ashtu edhe sot na afron dhe na bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë”.Në fjalën e tij, Don Lush Gjergji bëri pyetjen se çfarë na mëson sot figura, jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit - Skenderbe, për kohën dhe hapësirat tona ndërsa theksoi strategjinë largpamëse dhe vendimtare të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, duke nënvijuar se,“Takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën. Njeri që diti, deshi dhe mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë, afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesit të përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.”

Image
Don Lush Gjergji

Don Lush Gjergji tha se nga Heroi Kombëtar i tyre, shqiptarët në këtë vit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit-Skenderbe, mund të mësojnë shumë edhe sot, sidomos për bashkim, për bashkpunim dhe për bashkjetesë me njëri tjetrin.  Për një bashkim, theksoi ai, “Si shprehje fuqie të bashkimit në dallime, për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështetet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin, për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në të vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale” dhe në bashkpunim nënvijoi ai, “Si domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend, shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë, si një lloj dobësie pothuaj karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë”.  Nga Prijsi i Madh, sipas Don Lush Gjergjit, duhet të mësojmë edhe bashkjetesën, “Si shprehje atdhedashurie dhe flijimi, kërkimi të vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore, që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës”, ka thënë ai.

Image
Kopertina e librit të autorit, Jakup Krasniqi

Këtë temë siç duket trajton edhe libri më i ri i autorit Z. Jakup Krasniqi,“Skënderbeu dhe Porositë për Shekullin XXI”, që u përurua të mërkurën në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.Duke folur për Gjergj Kastriotin – Skenderbe,  të cilin ai e cilësoi si ndër figurat historike më të larta jo vetëm evropiane por edhe botërore, historiani Jakup Krasniqi ka veçuar faktin duke thekësuar se ne e kemi njohurHeroin Kombëtar Skënderbeun si komandant dhe ushtar i fuqishëm, por duhet ta shohim edhe në këndin e mendimtarit të fortë, të një qeveritari që di çka don dhe jo vetëm për kohën e tij, duke i shërbyer edhe kohëve të tjera.Gjatë promovimit të librit, Z. Krasniqi ka porositur qeveritaret shqiptarë t’a shfrytëzojnë pasurinë e begatë që vjen nga Skënderbeu në të tashmen dhe për të ardhmen tonë, njoftojnë disa burime mediatike të Kosovës.

Ministri Shyqiri Bytyqi e cilësoi Skenderbeun si udhërrëfyesin e shqiptarëve të Kosovës gjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit për çlirimin e vendit, ndërsa Don Lush Gjergji u tha pjesëmarrësve në konferencë se Gjergj Kastrioti- Skenderbeu,“Nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare.Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415”, Gjergj Kstrioti-Skenderbeu, sipas Don Lush Gjergjit,“Është shembëll i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “Jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore”.  Skënderbeu shtoi ai -- “Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona komb-formuese dhe shtet-formuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet -- mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona -- nën flamurin e përbashkët drejt historisë dhe ardhmërisë”, përfundoi Don Lush Gjergji, fjalën e tij përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes”, mbajtur në Prishtinë më 16 Tetor, 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat