Cilët janë ata që i përlanë fondet e zeza greke?

Opinione

Cilët janë ata që i përlanë fondet e zeza greke?

Nga: Arben Llalla Më: 21 tetor 2018 Në ora: 19:08
Arben Llalla

Fondi Sekret, i MPJ të Greqisë që drejtohej nga Nikos Kotzias u zbulua nga gazetari i portalit në Athinë, iefimerida.gr, Dhimitris Taqis gjatë diskutimit në Kuvendin e Greqisë në 10 tetor 2018, gjatë përplasjes të ministrit të Mbrojtjes Panos Kammenos dhe Nikos Kotzias, të cilin Kammenos e akuzoi për shpërdorim të fondit sekret rreth 45 milionë euro për tre vitet e fundit (ka zëra se fondi sekret i Kotzias ka qenë 100 milion euro për tre vite).

Nga Fondi Sekret i MPJ, por edhe të disa ministrive të tjera të Greqisë prej vitit 1990 mbështeten financiarisht shoqata, parti, gazetarë, politikanë, kanale radiosh, televizione dhe grupacione fetare në Shqipëri.

Fondi Sekret i Greqisë ka mbështetur edhe firmat piramidale në Shqipëri gjatë viteve 1995-1997, ashtu si Fondi Sekret i Serbisë i cili gjatë kësaj periudhë hodhi rreth 25 milionë dollarë për destabilizimin e Shqipërisë.

Fondi Sekret i Greqisë gjatë periudhës 1999 e në vazhdim është përdorur edhe për mbështetjen e disa shoqatave shqiptare, daljen e gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe në Greqi për të rritur simpatinë filogreke. Çështja është se tek shqiptarët nuk ka nevojë për të financuar Greqia për simpati filogreke, por Greqia duhet të rrisë simpatinë tek grekët për filoshqiptarizëm dhe jo për urrejtje ndaj shqiptarëve.

Shumë politikanë, deputetë apo ministra gjatë periudhës së demokracisë janë mbështetur në fshehtësi nga Fondi Sekret i Greqisë. Ky Fond ka mbështetur edhe nxitjen e urrejtjes fetare dhe krahinore në Shqipëri. Por, pyetja është: Cilët janë individët, politikanët, deputetët, ish-ministrat e ministrat, gazetat, radiot, televizionet, shoqatat?

Nuk do shumë përpjekje apo dëshmi për të vërtetuar se cilët janë ata që kanë përfituar mijëra euro nga Fondi Sekret i Greqisë, mjafton të ndjekim cili gazetar shqiptar boton shkrime në mediat greke edhe më tej zbulohet lehtë pagesa nga Fondi Sekret i Kotzias. Në këtë mënyrë janë bërë pagesat si honorare për shkrime apo studime.

Ende nuk është e qartë se sa miliona euro janë hedhur për shpërbërjen e partisë kombëtare PDIU, e cila mbron Çështjen Çame. Fondi Sekret ka mbështetur individë për përçarjen e kësaj partie (mjafton të ndiqet rregjistri TIMS se cili funksionar ka vizituar mbi 20 herë në vit Greqinë dhe ka për t’i dalë emri). Për të vazhduar me zgjedhjet e 2017, ku Nikos Kotzias ka bërë shumë telefonata funksionarëve të lartë të PS-së që Shpëtim Idrizi mos të dalë deputet. Këtë e kanë thënë edhe mediat greke gjatë fushatës dhe nuk është diçka e re.

Unë mund të dilja me emra konkretë, por nuk është moment i duhur sepse çdo ministri në Tiranë është e mbushur me funksionarë të lartë me kombësi greke, me shqiptarë filogrekë e antishqiptarë, duke filluar nga ministri Bushati, shefi i kabinetit të tij Pirro Vengu, diplomat në Athinë, Selanik e Janinë, për të vazhduar në ministrinë e mbrojtjes e me radhë, duke përfunduar tek kryeministri ynë, i dekoruar më 2015 me Kryqin, Kalorësi Mbrojtës i Orthodoksisë Greke, Edi Rama.

Të gjithë në Greqi dhe Shqipëri po mundohen ta mbyllin këtë skandal, duke dënuar gazetarin grek Dhimitris Taqis, i cili tha dhe mbron të vërtetën, por mendoj se nuk do mund të zhdukin gjurmët, sepse angjecitë e zbulim-kundëzbulimit të disa vendeve të huaja, përfshirë edhe atë të Shqipërisë, kanë emra konkretë prej disa vitesh. Jemi në kohën e internetit, vëzhgimit dhe dëgjimit profesional me satelitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat