Dy budallë vlejnë më shumë se një i mençur

Opinione

Dy budallë vlejnë më shumë se një i mençur

Nga: Nehat Hyseni Më: 27 tetor 2018 Në ora: 07:17
Nehat Hyseni

Po e filloj këtë artikull me proverbin e njohur popullor:

“Kur udhëheq i keqi,

popullin e merr dreqi”!

Thuase ky proverb është sajuar enkas për ta përshkruar gjendjen e krijuar në pushtetin lokal, që u instalua nga zgjedhjet lokale të 24 dhjetorit 2017 në Komunën e Preshevës, që u mbajtën pas vendosjes së të ashtuquajturit “Organ i Përkohshëm”, dmth Masave të dhunëshme nga Qeveria e Serbisë, më 15 shtator 2017 dhe me dekret qeveritar u shkarkua Kryetarja e Komunës, zonja Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik dhe u instalua Shqiprim Arifi me SNS-in e Aleksandar Vuçiqit në krye të kësaj komune me shumicë shqiptare (mbi 90%) në Serbi.

Serbia postmillosheviqiane e Aleksandar Vuçiqit nuk ishte aspak e kënaqur me partitë e vjetra politike të shqiptarve: PVD-në dhe PDSH-në, të cilat e organizuan dhe udhëhoqën me sukses Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 në Luginë të Preshevës, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Realisht, ai e kishte halë në sy Riza Halimin, i cili i priu organizimit të politikbërjes së pavarur të shqiptarve nga Beogradi dhe Leskovci, si dhe kryetarin e PDSH-së, Ragmi Mustafën.

Prandaj, në kuzhinat xhihadiste të shqiptarve në Gjermani, SNS-i i Aleksandar Vuçiqit, investoi shuma marramendëse financiare dhe logjistikën shtetërore serbe për rrëzimin e “politikbërjes së vjetër” të shqiptarve të Luginës dhe për “dërgimin e tyre në pension”.

Prandaj, Serbia nuk kurseu para në zgjedhjet e 24 dhjetorit 2017, duke “investuar” mbi 250 mijë euro për një këshilltar të APN-së Shqiprim Arifit, të cilin do ta instaloj si vasal apo argat besnik të vetin në Komunën e Preshevës.

Gjatë dhjetë muajve të bashkëqeverisjes së tyre më SNS-in e Serbisë, komuna e Preshevës është sjellur buzë greminës, me kuadrot analfabetë, joprofesionalë e muxhahedinë, të cilët në mënyrë të verbër dhe të paskrupulltë janë vënë në shërbim të politikbërjes antishqiptare e anticivilizuese të Serbisë dhe kanë stërmbushur Administratën komunale me militantë islamikë, që sa duket janë në shërbim të misionit serbo-rus, deri në shpërnguljen e shqiptarve të fundit nga pjesë e gjeografisë shqiptare.

Seanca e VIII-të e Kuvendit Komunal e 26 tetorit 2018 dëshmoi se në mënyrë banditeske dhe paushalle ata kanë eliminuar plotësisht ekspertët dhe profesionistët më të aftë dhe më me përvojë dhe i kanë vendosur bashibozukët, analfabetët dhe kuadrot militantiste, kryesisht ekstremistë islamik dhe me mision antishqiptar.

Kështu, ata vendosën që të mos e mbështesin Shtëpinë Informative- RTV Preshevën dhe 26 gazetarë dhe punëtorë të tjerë i kanë lënë pa rroga një vit të tërë, meqë pretendojnë se ata e mbështesin “politikbërjen e vjetër”.

Ky degradim kriminal i këtyre shqipfolësve me mision të verbër antishqiptar e serbo-rus, 

u pa edhe gjatë marrjes së vendimit kundërligjor për vazhdimin e mandatit edhe për një vit të ushtruesit të drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Moravica”, i cili është një person pa kualifikim përkatës, joprofesional dhe i pa ditur, prandaj ka punësuar një pensionist 75 vjeçar, serb nga Vranja, të cilin e paguan në mënyrë të kundërligjshme komuna reth 800 euro në muaj, nga buxheti, dmth me paratë e taksapaguesve preshevarë. 

Ky analfabet është i njohur me veprime kriminale të shpërdorimit të parasë publike për blerjen e pushtetit APN-SNS, për çka duhet të përgjigjet para ligjit dhe para popullit.

Por, kulmi i cinizmit antishqiptar e jocivilizues u arrit me rastin e refuzimit të Raportit të punës së Çerdhes së fëmijëve parashkollorë “8 Marsi”, i cili ishte maksimalisht korrekt dhe gjithëpërfshirës. 

Kurse, drejtoresha e këtij institucioni parashkollor, një zonjë e nderuar dhe shumë e respektuar nga qytetarët e kësaj komune, u sulmua pa kurrëfarë të drejte dhe fakti e argumenti, në mënyrë shizofrenike e paranojake nga një këshilltare militante e këtij koalicioni të turpshëm e antishqiptar, pa fije turpi dhe pa konsiderata njerëzore e civilizuese.

Mjerisht, në rastin e pushtetit lokal të Komunës së Preshevës vlen thënia e gjeniut gjerman, Albert Ajnshtajn, se: “Demokracia është sistem politik në të cilin dy budallë vlejnë më tepër se një i mençur”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat