Një rreze shprese për nënën!

Opinione

Një rreze shprese për nënën!

Nga: Lavdije Dërguti Më: 30 tetor 2018 Në ora: 10:26
Ilustrim

Nënë...po filloj që të shkruaj për ty, sepse ti je personi më i veçantë në këtë botë. Të shkruaj për ty, çdo fjalë është e paktë, sepse as vet  zemra ime nuk mund të shprehet tek ti. Shumë njerëz në këtë botë luftojnë me kancerin dhe të paktë janë ata që fitojnë, por e di që edhe ti mund të jesh njëra prej tyre.

Edhe pse nuk ke flokë, ti prapë se prapë je më e bukura e kësaj bote, ti dukesh shumë bukur çfarëdo që veshë dhe çdo gjë në këtë botë të bën të lumtur. Buzëqeshja jote më jep frymë mua. Për një buzëqeshje tënde do ta digjja gjithë botën, sepse ti vërtetë dashuron dhe buzëqesh aq bukur saqë më bën të harroj çdo gjë që  më mërzit mua.

Shpeshherë jeta na sfidon për të treguar vlerat që kemi, ashtu siç hekuri që sfidohet në flakë për të treguar vlefshmërinë e tij, kështu që ti bëhu e fortë si hekuri dhe qëndro stoike për njerëzit që ke afër!

Për çdo lot tëndin që ti derdh për ne, unë pendohem aq shumë saqë do isha në gjendje të përkulja gjithë botën para teje, që ti të më falje mua. Por unë e di që ti gjithmonë më përkrah pas çdo gabimi që unë bëj dhe më mëson të mirën ta dalloj nga e keqja.

Duro dhe gjej fuqinë e botës, ashtu sikur shkëmbinjtë që  goditen çdo ditë nga valët e mllefosura të detit dhe prapë dielli i nxeh me rrezet e tij dhe ata shkëmbinj jetojnë me shekuj kryelartë!

E di që këto fjalë nuk janë të mjaftueshme, por me gjithë zemër të dua shumë nënë!  

(Eseja u përgatit përmes një aktiviteti mësimor, me rastin e muajit Tetor – Muaji i luftës kundër kancerit të gjirit, në lëndën e gjuhës shqipe me arsimtaren Lavdije Dërguti –Islami dhe nxënësit e grupit “Dituria”: Laurinda Melenica, Erona Imeri, Agnesa Bekteshi dhe Leonit Istrefi nga SHFMU “Rilindja”, Maxhunaj – Vushtrri).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat