Për lirinë e fjalës dhe diktaturën

Opinione

Për lirinë e fjalës dhe diktaturën

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 31 tetor 2018 Në ora: 16:48
Abdulla Mehmeti

Në shtetet demokratike, respektimi i fjalës së lirë dhe i vullnetit të qytetarëve përbëjnë vlerat themelore qytetëruese përballë çdo qeverie!

Dikur, nga ish regjimi komunist jugosllav kërkohej vazhdimisht „lojalitet pa kusht“ dhe „përshtatshmëri ideopolitike“ nga qytetarët e vendit, sidomos nga shqiptarët, të cilët për t’i gjunjëzuar dhe sunduar më lehtë i ndante në „nacionalistë, separatistë, irredentistë“ dhe në „shqiptarë të ndershëm“, „lojalë“, të përshtatshëm për manipulim nga propaganda e pushtetit të asaj kohe. Përmes kësaj metode të kushtëzimit, kërcënimit dhe frikësimit, jo ndaj shtetit, por ndaj regjimit të asaj kohe, u shkelën pamëshirshëm liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Ai pushtet theu qafën me këtë filozofi politike me frymë mesjetare, me veprimet e tij represive, por dhe e shkatërroi shtetin. Kurrë nuk arriti t'i shuaj idealet e lirisë, barazisë së qytetarëve dhe progresit shoqëror, të frymës demokratike moderne!

Edhe sot, në cilindo shtet ku qeveria kërkon „lojalitet“ pa kusht nga qytetarët e vendit, ndërkohë që vepron kundër, ndërmerr masa të njëanshme dhe përdor metoda policore për shuarjen e fjalës së lirë dhe ndrydhjen e mendimit ndryshe, pa i përmbushur detyrimet e saj ndaj qytetarëve, për aq më tepër, nëse mundohet ta shuaj zërin e qytetarëve për ndryshime, progres, barabarësi për të gjithë qytetarët pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare, gjuhësore, apo çfarëdo përkatësi tjetër, ajo qeveri mban përgjegjësi për shkeljen e parimeve themelore të demokracisë dhe duhet t'i rishqyrtojë politikat e saj që çojnë në regres, zhgënjim dhe diktaturë.

Si mund të pretendojë një qeveri ta ndrydhë fjalën e lirë dhe mendimin ndryshe, kur edhe aktualisht në shtet zhvillohen procese hetimi dhe gjykime ndaj drejtuesve të qeverisë së mëparshme, kundër kryeministrit, ministrave dhe drejtuesve të tjerë të lartë të atij pushteti, të qeverisë e cila gjithashtu gjatë qeverisjes së saj ka kërkuar „lojalitet pa kusht“ nga qytetarët e vendit, ndërkohë që shteti qeverisej keq, plaçkitej dhe rrënohej vazhdimisht dhe papengueshëm nga po ajo qeveri, e jo nga qytetarët e saj?!

Nëse zëri i qytetarëve të Maqedonië nuk do të ishte ngritur me kohë kundër atij pushteti jodemokratik dhe diktatorial, kundër konceptit të shtetit PARTI, të udhëhequr nga OBRM-PDUKM dhe BDI, sot Maqedonia kush e din në cilin kaos apo humnerë do të kishte përfunduar! Si mundet që sot zëri i lirë i qytetarëve të luftohet me mjete jodemokratike dhe me metoda policore, kur sovrani në çdo kohë dhe në çdo vend mban përgjegjësinë më të madhe për të ardhmen e qytetarëve dhe të vendit, për lirinë, demokracinë dhe sovranitetin e shtetit?!

Qeveritë demokratike duhet të jenë kudo dhe përherë përçuese të ZËRIT TË QYTETARËVE, prijetare për ndryshime, përgjegjëse për zhvillim dhe progres, në interes të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat