Mbi qëllimin kombëtar dhe interesin strategjik të shqiptarëve në Maqedoni

Opinione

Mbi qëllimin kombëtar dhe interesin strategjik të shqiptarëve në Maqedoni

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 15:56
Abdulla Mehmeti

Anëtarësimi në NATO dhe BE është interes strategjik, partneritet i nevojshëm, ndërsa qëllim i shqiptarëve është mbrojtja e qenies kombëtare dhe përparimi i të drejtave kolektive, sidomos në mjediset me popullsi të përzier siç është Maqedonia. Paramendoni se çfarë mund të ndodhë me fatin dhe të drejtat e shqiptarëve deri në vitin 2025-2035, kur mund të anëtarësohet Maqedonia Veriore në BE. Prandaj, secili duhet ta dijë se qëllimi kombëtar është i përhershëm, ndërsa interesat strategjike të përkohshme.

Në periudhat si ajo e Rilindjes kombëtare dhe e Pavarësisë, kur nuk kanë ekzistuar këto struktura globale, NATO dhe BE, sado që sot janë të rëndësishme, shqiptarët a nuk kanë pasur qëllime kombëtare? Sigurisht që kanë pasur, prandaj edhe kanë mbijetuar dhe janë zhvilluar në nivel kombi dhe kanë krijuar shtetin e tyre të pavarur kombëtar. Edhe atëkohë kanë pasur interesa strategjike, të cilat i kanë lidhur me aleatët e tyre, varësisht nga rrethanat, siç kanë sot interes strategjik të jenë pjesë e NATO-s dhe BE-së, e që në një të ardhme të largët mund edhe të mos jenë, por gjithmonë do të kenë qëllim kombëtar për mbijetesë.

Qëllim kombëtar i shqiptarëve është sigurimi i barazisë së plotë, i të drejtave kolektive si popull shtetformues në Maqedoni, ndërsa anëtarësimi në NATO dhe BE është interes strategjik, partneritet, synim afatgjatë për mbrojtjen e po këtyre të drejtave kombëtare të shqiptarëve, për zhvillimin dhe përparimin e tij në kuadër të këtij shteti të përbashkët me të tjerët.

Shqiptarët në Maqedoni nuk mund ta kenë qëllim strategjik vetëm integrimin në NATO dhe BE, por sigurimin e barazisë dhe të drejtave të tij kolektive në shtetin e Maqedonisë Veriore, sepse askush nuk mund ta paramandojë se çfarë mund të ndodhë me fatin dhe të drejtat e shqiptarëve deri në vitin 2025-2035, kur mund të anëtarësohet Maqedonia Veriore në BE, duke pasur parasysh përvojat e derisotme të shqiptarëve në këto hapësira, ndaj të cilëve janë zbatuar plane dhe stategji nga më armiqësoret nga popujt dhe shtetet fqinje të tij.

Deklaratat e disa politikanëve shkurtapmës se qëllim strategjik i shiptarëve është anëtarësimi i Maqedonisë Veriore në NATO dhe sidomos në BE është një parullë demagogjike, një mashtrim dhe shpëlarje e trurit të shqiptarëve që të mos e marrin fatin e tyre në dorë, si edhe përgjegjësinë për transformimin demokratik të shoqërisë dhe ndërtimin e shtetit të Maqedonisë Veriore, si shtet të përbashkët me të tjerët, ku ata duhet të jenë të barabartë si popull shtetformues, jo qytetarë të rendit të dytë që t’i shërbejnë pushtetit vetëm si argatë, që kur të duan mund ta braktisin vendin e tyre në mungesë të të drejtave kombëtare, për mungesë sigurie, zhvillimi normal ekonomik dhe perspektive; për t'ua lënë të lira trojet etnike të tjerëve dhe një klani të politikanëve shqiptarë të korruptuar e mercenarë, të cilët mund të bashkëjetojnë përjetësisht si vasalë të çdo pushteti në këtë shtet.

Për shqiptarët në Maqedoni, rruga e integrimeve europiane dhe auroatlantike është synim dhe interes strategjik i shqiptarëve dhe mundësi për zgjidhjen e të drejtave kolektive të ligjshme të tyre në bazë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, sigurimin e mirëqenies ekonomike dhe sociale, hapjen e mundësive për investime të jashtme, përkrahjen ndërkombëtare për konsolidimin e shoqërisë demokratike në vend dhe ndërtimin e shtetit ligjor, jo si qëllim strategjik dhe kombëtar.

Aleancat dhe strukturat e integrimeve rajonale dhe globale janë të dobishme, por ato janë të përkohshme, ato ndryshohen varësisht nga rrethanat, ndërsa të drejtat kombëtare, mbrojtja, ruajtja dhe forcimi i identitetit, i trashëgimisë kulturore dhe historike, i gjuhës, veçorive dhe vlerave kombëtare, janë të domosdoshme, të natyrshme dhe të përhershme, janë JETA DHE VAZHDIMËSIA E NJË POPULLI në rrjedhat e kohës, jo interes strategjik në një periudhë të caktuar historike, siç është aktualisht interesi i shqiptarëve në Maqedoni dhe i kombit shqiptar në përgjithësi për përfshirjen e tij në procesin e integrimeve europiane dhe uroatlantike.

Për sqarim më të plotë: qëllimi kombëtar lidhet me vetë qenien e një populli, me vazhdimësinë historike dhe mbijetesën e tij, ndërsa intresi strategjik nënkupton partneritet, përkrahje të nevojshme me qëllime zhvillimi të një populli në një perudhë të caktuar historike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat