Shqiptarët e Luginës nuk e kanë njohur kurrë Serbinë për shtet të tyre

Opinione

Shqiptarët e Luginës nuk e kanë njohur kurrë Serbinë për shtet të tyre

Nga: Ilmi Musliu Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 10:28
Ilmi Musliu

Këshilli Politik për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ia kishte bërë me dije faktorit ndërkombëtar qysh në vitin 2001 se këto territore shqiptare, historikisht kanë qenë pjesë integrale e trungut etnik, por i ishin aneksuar dhunshëm Serbisë, pas luftërave ballkanike. Serbia, kurrë nuk i ka njohur shqiptarët për qytetarë të saj, po as shqiptarët nuk e kanë përjetuar Serbinë si shtet të tyre.

Historikisht, Serbia i ka shtypur e shkelur shqiptarët, me qëllimin përfundimtar për zhdukjen e tyre. Për këtë, ekzistojnë edhe elaborate, projekte e dëshmi.

Në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së (2001), Këshilli Politik për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, thoshte se territoret autoktone shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, historikisht kanë qenë pjesë integrale e trungut etnik, por pas luftërave ballkanike, dhunshëm iu aneksuan Serbisë, së bashku me Kosovën e sotme dhe Maqedoninë.

Në lidhje me çështjen e pazgjidhur politike dhe të sigurisë në rajonin e banuar me shumicë shqiptare, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të njohur nga ndërkombëtarët si Lugina e Preshevës, aktualisht të administruar dhunshëm nga Serbia, Këshilli Politik për këto tri komuna, një subjekt ky me një legjitimitet ndërkombëtar, i kishte dërguar nga selia e tij në Gjilan, një Promemorie Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku e vinte në dijeni se këto territore ishin aneksuar dikur dhunshëm nga Serbia dhe që ende administrohen nga ajo.

Serbia, asnjëherë deri më tash dhe askund nuk i ka trajtuar shqiptarët si pjesë e qytetarëve të vet dhe, as shqiptarët nuk e kanë ndjerë Serbinë për shtet të tyre, thuhej ndër të tjera në këtë letër të dërguar KS OKB-së, nga faktori politik në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, qysh në vitin 2001.

Shqiptarët në këto territore kanë zhvilluar edhe një luftë me Serbinë, për të drejtat e tyre, e cila është mbyllur me një marrëveshje të paqe, në Konçul (2001), ndërmjet përfaqësuesve politiko-ushtarak të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe zyrtarëve të Beogradit, të ndërmjetësuar e  garantuar nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët këtu kanë mbajtur edhe një referendum (1992), ku janë përcaktuar për bashkim me Kosovën.   

Serbia mund t`i kthehet vetvetes, stabilitetit, mirëqenies dhe prosperitetit në bashkësinë e shteteve demokratike, vetëm pasi të ketë pranuar një zgjidhje të drejtë për Luginën e Preshevës, duke respektuar vullnetin e shqiptarëve atje, pa bërë kushtëzime për ndërrim territoresh, ku Kosova dhe shqiptarët si komb, në përgjithësi, do të dilnin të humbur. 

Presheva, Medvegja e Bujanoci nuk mund as të injorohen e as të heshtën më nga Beogradi e, aq më pak të shtypen e zhvendosen në mënyrën si është vepruar me vite të tëra. Realiteti  dëshmon se shqiptarët janë të vendosur të konfrontohen me skenarë të tillë dhe të mos pranojnë pozicionin e tashëm diskriminues në Serbi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat