Të gjitha këto që po i dëgjojmë, lexojmë apo i shohim nëpër ekranet televizive,flasin qartë se mbi Kosovë afrohet një re e zezë. Për këtë situatë të krijuar pas çlirimit të Kosovës dhe pavarësimit të saj me aqë viktima e sakrifica fajtorë kryesorë janë lidershipi i Kosovës dhe partitë politike kosovare, të cilat në rend të parë vunë bajraktarizmin,korrupsionin, interesat vetjake dhe partiake, duke e lënë pezull forcimin dhe promovimin e shtetit të Kosovës. Ky lidership aktual i Kosovës do të mbetet në historinë shqiptare si lidershipi më i dështuar. Serbët e kanë një shprehje popullore që thotë se, “Pred çinjenicama i bogovi qute” (Para fakteve edhe Zotat heshtin). Ndërkaq shqiptarët e Kosovës kanë mijëra fakte bindëse për ta demaskuar Serbinë, por vetëkënaqësia, karierizmi dhe antagonizmi për pushtet i vuri në gjumë. Në vend që parreshtur ta mposhtin Serbinë para botës me fakte të gjalla e bindëse si edhe ta bindin faktorin ndërkombëtar për tmerret që ndodhën në Kosovë nga serbët, lidershipi kosovar po merret me vetveten duke pritur që dikush tjetër tua kryen punët. Doli në shesh se tjetër gjë është ta fitosh lirinë dhe tjetër gjë është ta forcosh shtetin. Shembull më domethënës për këtë mund të na shërbejë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, për të cilin ekzistonte respekt i madh, sepse askush nuk mund tia mohojë angazhimin e tij në luftën për çlirimin e Kosovës, por ai e devalvoi veten së tepërmi me shpenzimet në rritje të qeverisë së tij dhe me rritjen e rrogës së tij, me arsyetimin se i nevojiten më shumë kostume e kollare, dhe harroi fare se njeriu çmohet për nga puna e jo për nga guna. Koha po dëshmon se një herë në njëqind vite lindin patriotë të zellshëm, të ndershëm e modestë si Ukshin Hoti, Fehmi Agani dhe Adem Demaçi. Gjer vonë Adem Demaçin e patëm në mesin tonë, të cilin Zoti na e kishte falë aqë trim, atdhetar, të mençur e fisnik, por nuk u denjuam ti japim të paktën një vend deputeti në Kosovë, e jo më ndonjë post më të lartë, edhe pse baca Adem i kishte të gjitha dhuntitë, zotësitë e nishanet për të patur postin më të lartë ne shtetin e Kosovës, me çka do të na ndihmonte dhe nderonte të gjithëve. Rast më vete është trimi legjendar Adem Jashari që ra dëshmor heroikisht sëbashku me familjen dhe fisin e tij në Prekaz, nga forcat e mëdha ushtarake e policore serbe ku u vranë 56 anëtarë të Jasharajve mes tyre edhe gra, pleq e fëmijë. Si është e mundur kjo papërgjegjësi dhe ky korrupsion i lidershipit në Kosovë që shkel mbi këto viktima dhe mbi këtë gjak patriotik të rënëve në luftë.
Hashim Thaçi, president i Kosovës, ndjehet komod dhe i vjen mirë të qëndrojë një kohë të gjatë në postet më të larta shtetërore dhe sillet sikur me të ka lindur Kosova dhe harron fare sa burra patriotë ka patur Kosova shumë kohë para tij. Hashim Thaçi promovoi në Londër e Paris librin e tij “Kosova shtet i Ri”, si edhe librin autobiografik, por nuk i shkoi kurrë nëdëmend të merr nismën ti përkthejë e ti shëprndajë nëpër botë librat e botuar në Kosovë për dhunimet e femrave shqiptare nga ushtarët e paramilitarët serbë dhe për luftën shkatërrimtare që Serbia e bëri në Kosovë. Këtë gjë nuk e bëri as Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm dhe biznesmen i dalluar në Kosovë, i cili ka avionin dhe jahtën e tij, ka shumë para, por ja që aty ku është më se e nevojshme tregohet i indiferent0.. Sa dobiprurëse do të ishte që lidershipi kosovar në të gjitha takimet brenda dhe jashtë shtetit partnerëve përveç bisedimeve që do të zhvillonte tua jepte edhe nga një kopje të këtyre librave që flasin më shumë se qindra diplomatë në të mirë të Kosovës. Shpërndarjen e këtyre librave mund ta bën me shumë sukses edhe Vlora Çitaku, përfaqësuese e Kosovës në OKB.
Të dhënat historike flasin se mbreti Bardhyl ishte themeluesi i mbretërisë Ilire në shekullin e IV para Krishtit dhe kjo mbretëri shtrihej nga Trieshta e gjer në Gjirin e Artës në jug. Të dhënat historike tregojnë se para 2500 viteve mbreti Bardhyl e kishte ndërtuar Citibardhin (Beogradin e sotëm). Duhet tu themi serbëve e të tjerëve se para 2500 viteve Beogradi e ka folur ilirishten.
Më shumë se 20 vite me shkrimet e mia e kam botuar edhe Hartën e Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihet Serbia e vogël sa Sanxhaku i Beogradit, të cilin e kanë okupuar serbët me ardhjen e tyre nga Karpatet. Ndërkaq historianë shqiptarë, te huaj dhe historianë serbë e pranojnë se fiset ilire-shqiptarët kanë banuar e jetuar gjer në Qupërli (Qupri) përtej Nishit. Këto të dhëna historike i dëshmon edhe Faksimili i hartës së Enciklopedisë Ruse të vitit 1817, ku shihen qartë kufijtë realë të Serbisë në periudhën e viteve 1804, 1810, 1812, 1815, 1820, 1867 që janë shënuar në brendinë e kësaj harte. Kjo hartë e Enciklopedisë Ruse flet qartë se nuk është e vërtetë atë që thonë serbët se Kosova me shekuj paska qenë e Serbisë. Kufijtë e sotëm të Serbisë ku janë përfshirë trojet shqiptare janë arritur vetëm nëpërmjet ekspeditave të përgjakshme serbe ndaj shqiptarëve.
Edhe kjo hartë është më se e nevojshme të shpërmdahet nëpër bote dhe t’i hudhet në tavolinë edhe Aleksandër Vuçiqit në bisedimet ne Bruksel, edhe Frederika Mogherinit e kujtdo tjetër. Këtë ma thotë eksperienca ime dhe instikti i fuqishëm i gazetarit me përvojë gjysëmshekullore.
Kjo do tia mbyllte gojën edhe Patriarkut Irinej të Kishës Orthodokse Serbe i cili më 18 tetor 2018 vizitoi Patriarkanën e Pejës, Graçanicën dhe Manastirin e Deçanit, me ç’rast plasoi gënjeshtra irrituese se gjoja Serbia me shekuj e ka patur Kosovën që tani na i qenka grabitur. Patriarku Irinej duhet ta ketë të qartë se tërë territori i Kosovës ka qenë tokë e Ilirëve, pasardhës të të cilëve janë vetëm shqiptarët dhe se kishat e manastiret ekzistuese janë ndërtuar në trojet shqiptare të okupuara nga serbët me ekspedita të përgjakshme,me agresion e krime duke i dëbuar shqiptarët, ndërsa shqiptarët gjatë tërë historisë së tyre nuk kanë okupuar as edhe një pëllëmbë tokë të huaj. Edhe në kohën që ne po e jetojmë Serbia në shekullin e 20-të ka nxitur dhe filluar tre luftëra të përgjakshme, shkatërrimtare e gjenocidale, edhe atë në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. I din mirë Patriarku Irinej gjenocidet dhe terroret që serbët i shkaktuan në Srebrenicë, Potoçare dhe Vukovar. Serbia fillimisht në Kosovë suprimoi administratën, pastaj arsimin e të gjitha niveleve në gjuhën shqipe e pas kësaj e okupoi Kosovën me dhjetëra mijëra ushtarë të armatosur gjer në dhëmbë dhe me armatim të rëndë karshi popullit shqiptar duarthatë. Ushtria serbe në Kosovë vrau 15 mijë shqiptarë, në mesin e tyre gra, pleq e fëmijë,dhunoi në mënyrë shtazarake 18 mijë femra shqiptare, krijoi shumë varreza masive, dogji qindra mijëra shtëpi, shkaktoi eksodin e 1 milin shqiptarëve, ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk dihet fati i 1860 shqiptarëve të pagjetur. Kjo don të thotë se Serbia e bëri Kosovën shkrumb e hi. Nëpër tërë Kosovën e pavarur tashmë shihen varrezat e shumta përkujtimore të rregulluara e të sistemuara bukur ku prehen bijtë më të mirë shqiptarë që flijuan jetën e tyre për çlirimin e Kosovës. Kjo flet qartë se çdo pëllëmbë toke e Kosovës është larë me gjak. Egzistojnë dëshmi historike se serbët janë ardhacakë në Ballkan. Hordhitë serbe me vrasje i kanë dëbuar shqiptarët nga këto vende dhe i janë afruar edhe bregdetit të Shqipërisë, por në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, dhe në Konferencën e Paqës në Paris në vitin 1920, u vendosën këto kufij aktualë edhe pse në dëm të shqiptarëve. Në viset e okupuara serbët me shpejtësi i kanë zevendësuar toponimet vendase me toponime serbe dhe i kanë ndërtuar kishat dhe manastiret orthodokse serbe.
Aleksandër Vuçiq, presidenti i Serbisë, dhe tërë lidershipi i Serbisë në vazhdimësi janë duke propozuar sipas tyre një Marrëveshje kompromisi me Kosovën, gjoja siç thonë ata që Serbia të mos del humbëse. Lidershipi serb me gënjeshtra të njëpasnjëshme arrijti të sigurojë koheve të fundit tetë kongresmenë amerikanë që me anë të një letre dërguar Mike Pompeo, sekretarit të përgjithshëm të SHBA-ve, të lobojnë që z. Pompeo të ofrojë mbështetje për përpjekjet e Serbisë në arritje të paqes me Prishtinën nëpërmjet bisedimeve. Kjo tregon se kur në Kosovë maçori fle, minjtë heqin valle.
Është çasti i fundit që lidershipi i Kosovës të zgjohet nga gjumi dhe të mos mendojë se dikush tjetër duhet ti kryejë punët e tyre. Pa humbur kohë duhet nisur një punë intensive propagandistike me tekste e fotografi për gjëmat që serbët i kanë bërë në Kosovë. Duhet të arrihet konsensus mbarëkosovar e mbarëshqiptar për sfidat që e presin Kosovën, sepse i vetëm askush në botë nuk mund ti kapërdijë këto kafshata që Hashim Thaçit i duken të vogla. Asnjë bisedë me Beogradin nuk duhet të niset pa u zbuluar personat e pagjetur dhe pa kërkuar Serbia falje publike për të gjitha krimet që ia ka shkaktuar Kosovës. Për bisedimet Prishtinë-Beograd lypset një unitet i çelniktë brëndakosovar dhe të përgatitet një platformë serioze e përmbajtësore. Serbia ende synon që Kosovën ta mbajë si koloni. Ajo kundërshton fuqishëm themelimin e ushtrisë së Kosovës edhe pse kjo ushtri themelohet për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Serbija dëshiron ti shet prodhimet e saj në Kosovë duke mos blerë asnjë prodhim nga Kosova. Tentativa e Serbisë për shkëmbim territorresh apo ndryshim të kufijve me Kosovën është e pallogjikshme dhe e dëmshme, sepse Serbija i ka tkurrë së tepërmi trojet shqiptare dhe i ka ngushtuar kufijtë shqiptarë. Faktori ndërkombëtar do ti zbuste sadopak mëkatet ndaj shqiptarëve po ta detyronte Serbinë që Lugina e Preshevës ti bashkanjgjitet Kosovës dhe asgjë tjetër. Marrëveshja ne frymën e kompromisit që tenton ta arrijë Serbia është thikë në shpinë për Kosovën.