Krenaria e kombit shqiptar - Kthimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë - Bota Sot
Krenaria e kombit shqiptar - Kthimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë

Opinione

Krenaria e kombit shqiptar - Kthimi i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Krujë

Nga: Sami Arifi Më: 18 nëntor 2018 Në ora: 13:39
Sami Arifi

Kur trojet arbërore (shqiptare) u pushtuan nga ushtria otomane, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte 9 (nëntë) vjeçar. Ai së bashku me tre vëllezërit e tij u mor peng nga Sulltani, ku ai si fëmijë, rininë e kaloi në shkollat ushtarake të Sulltanit në Edrene. Vëllezërit e tij ishin ekzekutuar në forma më barbare nga Sulltani. Sulltanët ishin të pamëshirshëm, nëse vdiste Sulltani, posti i tij ishte trashëgimi, që zakonisht e merrte këtë titull djali i tij, poqese ishin dy e më tepër vëllezër (bijtë e Sulltanit), ai vëlla që merrte titullin Sulltan, u heqte kokën së pari vëllezërve të tyre, kështu bëri edhe Sulltan Selimi.

Për kthimin e Skënderbeut në atdhe, ishte rasti më i përshtatshëm kur ushtria otomane u thye keq nga ushtria e Hungarisë nën udhëheqjen e Janosh Huniadit në fund të vitit 1443. Pra, vendi i luftës ishte “Beteja e Komovicës” afër Nishit, ku Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u largua nga ushtria osmane me 300 (treqintë) kalorës të racës së tij dhe u kthye në atdhe.

Ai, më 28 nëntor të vitit 1443, ngriti flamurin kombëtar në Kështjellën e Krujës, që në popull njihet si nëntori i parë i flamurit, e pastaj ngriti flamurin në Kështjellën e Sfetigradit në Dibër, Kështjellën e Petrelës në Tiranë, Shelishit në Mat e kështu me radhë. Për të forcuar unitetin në mes të racës së tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizoi “Besëlidhjen e Arbrit” në Lezhë, që ndryshe njihet si “Besëlidhja e Lezhës” më 2 mars të vitit 1444 në Lezhë.

Vendimet unanime në Kuvendin e Lezhës ishin: Skënderbeu të jetë komandant i ushtrisë së arbrit, që kishte 8.000 ushtarë, me vullnetarë të përkohshëm arrinte numrin 15.000 deri 20.000. Fitorja e parë e ushtrisë së arbrit (shqiptare) ishte beteja në qershor të vitit 1444 në “Fushën e Torivollit”, pra, në Dibrën e Poshtëme. Me të futur në luftë repartet rezervë të Vrano Kontit, u shpartallua ushtria osmane.

Beteja e dytë u zhvillua më 1445/46, në Dibër e Mokër, pastaj më 1447 për Kështjellën e Dejës afër Shkodrës, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me ushtrinë e tij u gjend në luftë të dyfisht për tokën e arbërit (tokën shqiptare), pra, me venedikasit dhe me osmanet, ku luftoi në dy frontet dhe arriti ta fitoj betejen kundër venedikasëve dhe osmanëve.

Beteja e tretë u zhvillua më 1448, ku ushtrinë osmane e udhëhoqi vet Sulltan Murati i II. Ushtria osmane kishin rrethuar Kështjellën e Sfetigradit në Dibër, ku pas dy muaj luftimesh në mes ushtrisë së arbrit dhe asaj osmane, kështjella u shkatërrua krejtsisht, osmanët u detyruan të tërhiqeshin nga kishin ardhur, ndërsa arbrit (shqiptarët) ndërtuan kështjellën e re në Modricë, pra, ndërtuan “Kështjellën e Modricës”.

Image
Gjergj Kastrioti-Skenderbeu

Fitoret e mëdha para Krujës

Rrethimi i parë i Krujës u bë në vitin 1450 nga vet Sulltan Murati i II me 100.000 ushtarë, ku përball kishte Skënderbeun me 8.000 (tetë mijë) luftëtarë që vepronin jashtë kështjellës, ndërsa brenda kështjellës Skënderbeu kishte caktuar Vrano Kontin me 1.500 luftëtarë. Rrethimi i Krujës zgjati gjatë muajve korrik-tetor. Sulltan Murati i II, pos që la në ushtrinë e vetë me mijëra e mijëra të vdekur, u kthye i mposhtur nga kishte ardhë.

Rrethimi i dytë i Krujës u bë në vitin 1466, nga djali i Sulltan Muratit të II, pra, nga Sulltan Mehmeti i II me ushtri në numër prej 150.000 ushtarësh, ku përballë, jashtë kështjellës, kishte Skënderbeun me numër të luftëtarëve si në rrethimin e parë të kështjellës, por që në këtë rrethim të Krujës në brendi të kështjellës, pra, Skënderbeu kishte caktuar Tanush Topinë. Prapë ushtria osmane pësoi humbje të mëdha në njerëz dhe në material luftarak. Ajo u detyrua, prapë, të këthehej nga kishte ardhurë.

Rrethimi i tretë i Krujës u bë në vitin 1467 nga Sulltan Mehmeti i II me ushtrinë e tij tashmë të zmadhuar në numër prej 200.000 ushtarësh, prapë u mposhtë përballë luftëtarëve të arbrit (shqiptarë) të udhëhequr nga heroi ynë kombëtar i pamposhtur në beteja, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Skënderbeu vdiq më 17 janar të vitit 1468, dhe u vorros në Kishën e Shën Kollit në Lezhë. Ai i tregoi botës se qytetërimi arrihet me lirinë e çdo etnije, duke qenë përmes heroizmit raca e tij e lirë, që përmes tij u pengua robërimi edhe në popuj (etni) e të tjerëve. Pra, liria e popujve të Evropës u mësua dhe u mundësua nga Skënderbeu dhe iu dha rasti këtyre vendeve të bëhet të qytetruara. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte inkurajim i heroizmit, jo vetëm i etnisë sonë, por edhe i gjithë popujve të Evropës, dhe njëherit edhe ndihmëse e tyre për liri.

Rrethimi i katër i Krujës u bë më 17 qershor të vitit 1478, domethënë 10 (dhjetë) vjet pas vdekjes së Skënderbeut, edhe se raca e Skënderbeut (e arbrit e shqipes) u mund, ajo s’u dorëzua asnjëherë në luftë me ata që deshën t’i mohojnë shqiptarëve gjuhën, simbolet, lirinë dhe heronjtë e tyre kombëtar. Shqipëtarët janë të denjë t’i konsiderojnë gjithëherë armiq ata që mundohen të tjetërsojnë, në shërbim të të huajve; heronjtë, gjuhën dhe simbolet e tyre kombëtare.

Kombi ka shumë elemente, pra, për shqiptarët që e quajnë vetën shqiptarë, kombi i tyre është raca, gjeneza e tij, gjuha, gjaku, traditat, zakonet, doket, veshëmbathja, shtroja, mbuloja, pra, e gjithë kjo quhet atdheu i tyre. Me kultivimin e gjuhës shqipe, zgjerohet të folurit e saj, zgjerohet territori kah ishin stërgjyshërit e tyre, forcohet kombi, ndërsa me stërkeqjen e gjuhës së shqipeve t’kurret (ngushtohet) territori i tyre.

Heronjtë kombëtar do të ishin në pjedestalin më të lartësuar dhe të nderuar, atëherë dhe vetëm atëherë kur shtetasit udhëheqin shtetin, e jo pushtetasit të udhëheqin shtetin. Pra, kur shtetasit udhëheqin shtetin kombëtar, heronjtë kombëtar shqiptarë, pa dallim në konfesionin që kishin nëpër kohë, do të jenë në pjedestalin më të lartë të respektit, nderit dhe krenarisë sonë.

Konfesioni është vetëm një element, besimi , bindja që mund të ndjeh individi në brendinë e tij, pa krijuar në racën e tyre hamendje.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...