Zonjat shqiptare

Opinione

Zonjat shqiptare

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 18 nëntor 2018 Në ora: 18:39
Zonjat shqiptare

Sa herë lexoj nga gratë shqiptare, desha apo nuk desha, më bie ndërmend periudha jo fort e largët, kur nuk kishim asnjë grua të famshme, madje pak prej tyre dinin të lexojnë! Gratë i  patëm gozhduar aq pa mëshirë në shtëpi, aq sigurt i patëm rrethuar me mure, i patëm bërë të gjitha aq shumë anonime dhe kishim bindur veten se vetëm me anulimin e lirisë së gruas, vetëm me diskriminimin e nënave, motrave, bashkëshorteve dhe bijave, do të ruanim si duhet nderin dhe moralin: duke i çnderuar ato dhe duke i paragjykuar të gjitha si të pamoralshme.

Nuk ishin vetëm muret e shtëpisë, që pengonin ato të shihnin dritën, por pengesat kryesore ishin muret, që kishin ngritur burrat para turirit të vet dhe që na mësoheshin edhe neve fëmijëve. Ai realitet pat prodhuar bindje te meshkujt, se të gjitha gratë, nëse kanë liri,  e shfrytëzojnë për seks dhe amoralitet. Në anën tjetër, të gjitha nënat, konsideroheshin si engjuj! Kuptohet, jo nga burrat e tyre, por nga fëmijët e tyre! Kjo është arsyeja pse edhe nëpër gazmore apo këngë, kemi gati gjithmonë gra të liga, të përdala dhe burra vetëm viktima!

Burrat silleshim ndaj tyre, por edhe ndaj fëmijëve, siç ishin sjellë me ta pushtuesit! Ata rrihnin, dhunonin, vritnin, mu siç kishte bërë edhe pushtuesi me ta! Ata dominonin gratë dhe bijat dhe me ato së bashku, traumatizonin fëmijët duke rrënuar ardhmërinë, rrjedhimisht lumturinë e kombit! Ato i diskriminonin, i nënshtronim dhe i luftonin për ditë, por pushtuesit, as çdo dekadë jo! Lufta dhe sundimi në shtëpi, ishte më i rëndësishëm se sa pushteti i huaj jashtë!

Sikur t’ i kishim pasur këto gra që kemi sot, në vitet e 30, në vitet 60 apo në vitet e 90, pra nënat apo gjyshet e këtyre që kemi sot, atëherë gjendja jonë sociale ekonomike, do t ‘ishte për disa herën më e mirë dhe nuk do t ‘ishim të fundit në Europë, por aty nga mesi apo më lartë!

Do t’i përmend disa emra që më bien tani ndërmend dhe radhitja nuk do të jetë sipas famës dhe suksesit, duke u kërkuar ndjesë të tjerave, qoftë pse nuk më kujtohen tani, qoftë pse nuk i njoh: Rita Petro, Besa Myftiu, Beti Njuma, Merita Smaja, Rudina Xhunga, Ilva Tare, Arbana Xharra, Entela Tabaku, Vjollca Hajdari, Lindita Agolli, Lindita Arapi, Flutura Akça, Mirella Kumbaro, Majlinda Bregasi, Klara Buda, Irma Kurti, Nexhmije Pagarusha, Mimoza Ahmeti, Elina Duni, Ledia Dushi, Mira Meksi, Musine Kokalari,  Laura Mersini Houghton, Inva Mula, Ana Oxa, Valentina Saraçini, Eliza Dushku, Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Emina Cunmulaj, Kristine Elezaj, Zana Ramadani, Naime Beqiraj, Laureta Meci, Rreze Abdullahu, Ledia Dushi, Flora Brovina, Natasha Lako, Liria Begeja, Vjosa Osmani, Majlinda Kelmendi, Vlora Çitaku, Elsa Lila, Miriam Cani, Ambeta Toromani, Valbona Çoba, Eda Zari dhe qindra të tjera, ose mijëra të tjera në të gjitha fusha e jetës. Si këto gra, shumë të mençura dhe të famshme, kemi pasur mundësinë të kemi edhe më para disa dekadave, por ne burrat nga frika vetjake, i kemi penguar dhe rrënuar mijëra suksese, rrjedhimisht, përparimin kolektiv! Ky është Vetëshkatërrim!

Ato gra dhe qindra të tjera, janë ambasadore të humanizmit shqiptar; një lloj aristokracie shqiptare, që prodhon vetëm imazhe pozitive për kombin, gjersa ne burrat, kryesisht e dëmtojmë atë! Me ato gra dhe shumë të tjera, ka nisur shpresa, se shqiptari ka kuptuar se lumturia vetëm për burra, është makth dhe traumë për pjesëtarët tjerë të familjes! Ato gra ndikojnë në emancipimin e neve burrave, që ishim manipuluar, që ishim prishur dhe besonim se fuqia fizike, është krijuese e inteligjencës dhe ruajtëse e rendit shtëpiak! Që besonim se vetëm organet gjenitale mundësojnë apo pamundësojnë mençurinë, e jo truri, jo liria, jo barazia dhe mundësia!

Këto gra, që sot janë të përkushtuara dhe të suksesshme, edukojnë dhe përgatisin brezin e ri të burrave shqiptarë, të cilët nuk do t’i lejojë vetes të diskriminojë, të sundojë dhe të dominojë gruan, bijën, ose motrën. Ato gra dhe shumë të tjera, që nuk janë përmendur, por që kanë arritur suksese, në historinë e qytetërimit shqiptar, do të regjistrohen si zonja, që shembën muret e imponuar nga obskurantizmi, primitivizmi mashkullor dhe sollën iluminizmin kombëtar shqiptar. Suksesi i tyre, por edhe i disa të tjerave para tyre, motivon të tjerat dhe do të ndikojë në çlirimin e shumë vajzave, që nesër do të realizojnë ëndrrat e veta.

Suksesi i atyre zonjave, është edhe meritë e prindërve modernë: të ndriçuar, të urtë, që kanë kuptuar se nuk është e drejtë të diskriminohet fëmija në shtëpi! Ata prindër, ndryshojnë epoka, të tjerët, dremisin në të kaluarën dhe nga smira, do t’i shajnë ato që profilizohen në jetë!

Ps.: Duke u bazuar në mençurinë e grave tona, mund të thuhet se na pret një ardhmëri e lumtur, por pa larguar së paku gjysmën e burrave nga politika, dhe pa zëvendësuar ata me gra, jo! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat