Korrigjimi i mentaliteteve ballkanike

Opinione

Korrigjimi i mentaliteteve ballkanike

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 25 nëntor 2018 Në ora: 11:33
Nexhmedin Saqipi

Mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë INTERPOL dhe vendimi i qeverisë kosovare për ngritjen e taksave 100 për qind të produkteve të importuara serbe, ka ngritur shqetësim dhe tensione ndërshtetërore mes dy vendeve fqinje, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën nga aspekti i shtetësisë.

Këto shqetësime, të cilat vijnë si rezultat i prolongimit të bisedimeve shqiptaro-serbe me rrugë të Brukselit dhe moszbatimit në praktikë të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka inatet dhe bllokadat, në përmasa të revanshizmave ekstrem.

Këtyre dukurive negative, jo të këndshme për proceset dialoguese e integruese ndërshtetërore dhe ndërfqinjësore, po i ndihmon edhe politika laramane e ndërkombëtarëve, e cila ndonëse ka investuar prej vitesh në ngritjen e urave të bashkëpunimit, për interese të ndryshme globale, vë në rrezik perspektivën evropiane të këtyre dy shteteve me hasmëri qindravjeçare.

Prishtina dhe Beogradi, duhet të kenë kujdes në këto hapa që po i ndërmarrin kundër njëra-tjetrës për krijimin e bllokadave, bojkoteve, revansheve me karakter diplomatik dhe ekonomik, ngase me to vihet në rrezik procesi paqësor, shumë i nevojshëm për këta dy popuj nga më të mëdhenjtë e Ballkanit.

Aspak nuk është e logjikshme, që me politika agresive, nga do që vijnë ato, të rrezikohen proceset paqësore, të vihet në pikëpyetje dialogu dhe investimet ndërkombëtare për tejkalimin e krizave, si dhe të futet vendi në izolim, në kolaps ekonomik dhe ngërç politik.

Ideja e lansuar, kohë më parë, për korrigjimin e kufijve, kishte të bënte pikërisht edhe me korrigjimin e ideve destruktive, që vijnë për shkak të ngurtësisë së raporteve ndërkufitare dhe mentaliteteve të mbrapshta ballkanase.

Është krejt e qartë se bota e qytetëruar nuk na do me këto veprime, që bëjmë në llogari të njëri-tjetrit, duke shembur ura të bashkëpunimit e duke ngritur bllokada politike e ekonomike.

Proceset paqësore përmes dialogut, janë të pashmangshme, askush nuk mund t’u ikë atyre, sepse jemi të shtrënguar të jetojmë njëri pranë tjetrit edhe me këto kufij çfarë janë të mbushur me plot problem e që lypin korrigjim, pastaj edhe me bindjet tona politike të trashëguara nga sindromi i së kaluarës etj.

Prishtina dhe Beogradi, si dy qendra të vendosjes plus ato ndërkombëtare, duhet të kenë parasysh realitetin se elementi etnik shqiptar dhe ai serb jeton edhe në zonat më të thella të tyre, jo vetëm në vijat kufitare, e të cilat nuk guxojnë të jenë pengesë për qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave.

Shumëkujt nga ne na ka ra hise t’i përjetojmë edhe periudhat më të vështira se këto, në kohë lufte kur krisnin pushkët këndej e matanë kufirit me Kosovën, por çështja e tregtisë nuk ka pushuar.

Krijimi i një zone të lirë tregtare, ka qenë njëra ndër projektet më vitale mes Prishtinës dhe Beogradit, ndaj edhe në të ardhmen duhet të jetë si një nga prioritet kryesore.

Prandaj, sa më shpejt të jetë e mundur, kërkohet me dialog një korrigjim mendor, politik, kufitar etj, për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, për të mos ndodhur ndonjë e papritur siç na ka ngjarë gjatë historive tona të përgjakshme, pasojat e të cilave po i heqin popujt dhe pasardhësit e tyre.

(Autori është Koordinator i shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat