Himni kombëtar dhe Dita e Flamurit shqiptar

Diaspora

Himni kombëtar dhe Dita e Flamurit shqiptar

Nga: Baki Ymeri Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 07:34
Foto ilustrim

Nuk ka shembëll më të shkëlqyer atdhedashurie dhe nuk ka personalitet më dinamik për gatimin e Njeriut Shqiptar, se sa Burri i Madh i Kombit, Dekani i Flamurtarëve të Veteranërisë, shpirtëzonjësi dhe zemërzjarrti plot famë i Shoqërisë Drita: Nikoll Naço-Korça. Kështusoj do ta përshkruajë Lasgushi figurën qëndrore të atdhetarizmit shqiptar në Rumani, kryeveteranin e Rilindjes Shqiptare që përmes vullnetit,  inisiativave dhe njerëzve të tij, dha kontribut të pashoq për ta mbajtur gjallë gjuhën shqipe, që nga diaspora shqiptare e deri në çdo skutë të shqiptarëve epopeikë “që nxjerrin tym dhe zjarr nga mushkëritë e tyre të çelnikta”. Nga një shkrim i Lasgush Poradecit (Fryma kombëtare shqiptare e Himnti të Flamurit), do të mësojmë se ideja për krijimin e himnit shqiptar u lind në Kishën e Shën Gjergjit të Vjetër, në Bukuresht.

********

Kolonia Shqiptare e Bukureshtit ishte flamurtarja më e madhe e mërgimit shqiptar. Misioni i saj ishte atdhetarizmi dhe qytetërimi, bashkimi, uniteti dhe prosperiteti. Rrënjët shpirtërore të traditës shqiptare në Rumani, sipas  Lasgushit, “qëndrojnë shumë më fellë, sesa mund të mirret me mënd. Kollonija e Bukureshtit ka qenë një Organizatë idealistësh-tregëtarë që mi themelin e lindor të jetës kishin ngritur flamurin e idealit më të pastër kombëtar”. Ideali i tyre, sipas historiografisë shqiptare, ishte Shqipëria, mënyra e tyre ishte veprimi, nevoja e tyre ishte arritja e qëllimit. Nikolla Naço ishte njeri i inisativës dhe krijimit. “Naçua parashtroj një varg çështjesh dhe veprash për t’u marë parasysh me ringjalljen e Mëmëdheut”. Nikolla Naço-Korça ishte veprimtar i vlefshëm për atdheun dhe shoqërinë, themelues i Shoqërise Shqiptare Drita dhe i gazetës Shqiptari. “Ashtu e organizuar dhe futur në urdhër me flakërim, po dhe me shumë peshë dhe mençuri, shoqërija Drita e Bukureshtit vazhdoj e pafjetur vepërimin e saj drejt propagandës kombëtare, duke u përqëndruar kryesisht në përpjekjet konkrete”.

Atë që e thot Lasgushi, nuk ka nevojë ta komentojmë ngase Naçua sipas tij ishte “Njeri me temperament, burrë me vendim dhe kuxim, dhe Shqiptar i zjarrshëm i ardhur prej pak kohe nga Mansura e Egjiptit. Personaliteti i Naços i shkrirë tërësisht për komb dhe atdhe është shprehja më e thjeshtë e racës së tij malësore, që e brumosi ashtu me natyrën e tij të fortë dhe temperamentin plot zjarr, sipas ligjeve të saj të paracaktuara. Në trurin e maleve të Mokrës, në një katund shkëmbor të qarkut të Pogradecit kishin lindur dhe shkuar burrërinë prindërit e tij... Dhe për të fytyruar qëllimin t’onë, zgjothmë kështu të çfaqim përpara vetëdijes së kombit fatosin e veteranërisë shqiptare, fytyrëurdhëronjëse dhe vepërimin heroik të kryeveteranit Nikoll N. Naço Korça, njeriu më tipik, personaliteti më përfaqësonjës i gjeniut të racës për sa i përket lëshimit të çështjes shqiptare, me kurajën dhe energjinë e duhur, në botën e madhe të diplomatisë dhe në qarkun e mosafruarshëm të politikës së lartë....,ay, i cili, me atavizmën e fellë të gjakut, me temperamentin e flakshëm të naturës së tij, me vullnetin e patundur të një shpirti që u pat gatuar në zjarr dhe hekur përmbajti më vete në mes të ngatërrimit kombëtar Themelimin e pavarur më të parë të veteranërisë shqiptare në Rumani, Shoqërinë e Mësimit Shqip “Drita” të Bukureshtit, pikërisht ay u pat sulmuar me ultësi nga ana e armiqve zemër-thatë, një fytyrë urdhëronjëse e pajisur me gjithë cilësitë e njeriut realist, që e shëkon drejt në sy, me vendim, punën për t’u vepëruar: një fytyrë shqiptari e vërtetë”.

Kisha shqiptare dhe Dita e Flamurit

Sipas Rebeka Burdës, çështje tjetër me rëndësi kombëtare ishte futja e gjuhës shqipe në kishat orthodhokse. Lidhur me këtë Nikolla Naço kishte vepruar edhe më parë në Egjipt. Kërkesën për Kishën orthodhokse shqiptare, të redaktuar greqisht dhe shqip drejtuar Patriarkanës Ekumenike të Stambollit, Nikolla Naço deshi t’ia dorëzonte vetë në dorë Patrikut. Për këtë Naço iu drejtua Mareshallit Nusret Pasha, mikut të tij të ngushtë, që të ndërhynte tek ai për ta pritur. Kështu Naçon zyrtarisht e pranoi në audiencë vetë Patriku i Stambollit, Dhionis, si paraqitës të kërkesës zyrtare të formuluar nga ai. Patrikut, Naço i bëri përshtypje të madhe me burrërinë e tij, e vecanërisht njohja e greqishtes “në mënyrë të shkëlqyeshme, të kulluar, në trajtat më klasike të saj”. I tërëshenjtë, po ju sjellim nga një ngazëllim pë orthodhoksizmin, duke ju lajmëruar ngjalljen e Krishtit me popullin shqiptar dhe ngjalljen e popullit shqiptar me Krishtin. Krishti gëzohet se erdhi koha që të lavdërohet sipas Urdhërit të Tij ndër gjithë popujt edhe në gjuhën e popullit të Tij besnik shqiptar”. (N. Naço: Ardhmëria e Rumanizmit, f.50). Kështusoj, konkludon Rebeka M. Burda, kisha shqiptare dhe kombëtarizimi i saj ishte njëra nga kurorat e përpjekjeve të rilindasve tanë që vepruan në mërgim. Së bashku me atë të Bostonit, të formuar nga shoqëria “Besa-Besë”, kjo e Bukureshtit u bë gur graniti i ngritjes së Kishës Autoqefale Orthodhokse shqiptare. Sipas Lasgush Poradecit, festa më e madhe e Kolonisë dhe kishës shqipe të Bukureshtit ishte 28 Nëntori: Dita e Flamurit dhe Shën Gjergji: Emri i Gjergj Kastriotit.

Këto kremtime bëheshin me bujën dhe madhështinë më të madhe, duke e ftuar në Seli të Kolonisë dhe në kishë autoritetet dhe personalitetet më të larta të vëndit, me mbretin në krye të të gjithëve. Ftoheshin dhe përfaqësitë e huaja, ambasadorët, ministrat, konsujt, të cilët në atë atmosferë ngazëllonjëse të botës shqiptare i jepnin kishës dhe festës një madhëri dhe një madhështi të rrallë. Kisha qe e mbushur përplot, dhe tri të katërtat e të pranishmëve rinin nga mungesa e vëndit jashtë në obor, bukur të rrethuar dhe të stolisur për atë festë. Aty jashtë në obor, më të djathtën e hyrjes kryesore të Kishës qëndronte i vendosur me shkëlqim flamuri i Kollonisë, i cili ishte më i madhi dhe më i bukuri nga gjithë flamuret e shoqërive  dhe organizatave të Bukureshtit që kishin flamur. Flamuri i Kolonisë shqiptare ishte i kuq me shkabën dykrerëshe në mes, qe bërë prej mëndafshi të qëndisur rreth-e-përqark me bufka të arta dhe kishte më një anë dy esharpa, njëra e kuqe, tjetra e zezë, të cilat mvareshin me hijeshi prej majës së shtizës gjer përposh. Shumë i rëndë ishte flamuri dhe nga ky shkak e mbanin përherë dy veta, njëri tosk, tjetri gegë, të mveshur secili burrërisht me robet e tyre kombëtare.

Duke bërë fjalë për korçarët e Bukureshtit dhe vlerat e komunitetit shqiptar të Rumanisë, Lasgushi thekson se me rastin e Ditës së Flamurit, pamja e jashtme e kishës ishte impozante, por edhe “përbrenda ajo shkëlqente nga uniformat dhe robat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte në zemra. Dhe pas Te-deumit të shërbyer në gjuhën e ëmbël nënore, vinte fjalimi i parë i rastit i mbajtur prej një personaliteti nga më të lartët e vëndit, i pasuar prej fjalimesh të shqiptarëve, të cilat kurdoherë më çdo festë, kurorëzoheshin në fund prej veteranit të madh Thanas Kantili, të zjarrtit, të flaktit, të djegurit dhe të zhuriturit luftëtar të Kolonisë në Rumani. Ky me gjith natyrën e tij zakonisht hijerëndë, kur fliste në kishë në këto festa kombëtare nuk e përmbante dot veten nga mallëngjimi gjer në mbarim të fjalës, po i shpërthenin lotët mu në mes duke e përfunduar pastaj me fjalët e papritura: Rrofsh moj rrofsh! Ti do të rrosh e do të jesh moj Shqipëri! Dhe kisha mbaronte kështu në mes të gëzimit dhe të dashurisë, që ish gëzim kombëtar dhe dashuri kombëtare, dhe anëtarët ktheheshin nëpër vatrat e tyre me shpresën më të rritur për mëmëdhenë.

Delegacioni i komunitetit dhe shpallja e Pavarësisë

Sipas Lasgushit, “Kollonija ishte e kulluar, e prerë në mendimin e saj; ajo desh një Shqipëri më vetëhe, dhe krejt të çliruar. Me këto lajme Luigj Gurakuqi e la Rumaninë për t’a shpënë ato Ismail Qemalit, po në krye të Nëntorit 1912 këthehet prapë në Bukuresht dyke patur porosi nga ana e tij që të këshillohet edhe një herë me Shqipëtarët e atjeshmë. Kollonija, si përgjigje, i përsëriti mendimin e saj të mëparshëm, që ish vendimi i saj: Shqipëri më vetëhe, krejt e çliruar. Dhe pasi ardhi edhe Ismail Qemali në mes të Kollonisë dhe u mbajt mbledhje e madhe e përgjithëshme në Hotel Kontinental ku muar pjesë dhe Degët e Shoqërive të qyteteve të tjera, dyke rënë aty, mi parimet e Kollonisë, të gjithë në godi për Udhën që duhet marrë, u vendos të shpallet zyrtarisht Pavarësia e Shqipërisë me ngritjen e Flamurit dhe të niset menjëherë Dërgata Historike ku mirnin pjesë anëtarë nga më të lartët të Kollonisë. Për dokumentim u redaktua, më 23/5 të Vjeshtës së tretë 1912 dhe një Proçes-verbal përkatës, i nënëshkruar po thuaj se nga gjithë Kollonija si dhe nga Degët e Shoqërive të qyteteve të tjera të Rumanisë. Kështu u ngrit Flamuri në Vlorë nga dora e Ismail Qemalit që ishte dora e Shqiptarit, dhe nga shpirti i Kollonisë që ishte shpirti i Shqipërisë”.

Sipas historiografisë shqiptare, “Në fund te mbledhjes historike nga gjiri i kolonive shqiptare u zgjodh delegacioni qe do te shkojë në Vlorë, ku do te shpallet Pavarësia e Shqipërisë dhe do të ngritet flamuri i Skënderbeut në vend te atij me gjysmëhane. Në delegacion u zgjodhën: Dimitri Ilo, Dimitri Zografi, Dimitru Emanuel dhe Dhimiter Berati, si vetëdashës (vullnetarisht) për në Vlorë u paraqitën Pandeli Cale, Spiridon Ilo dhe P. Emanueli. Pas mbarimit të mbledhjes historike të 5 nëntorit për në rrugë të mbarë, në Shqipëri, në Vlorë, Kori i Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit këndoi Himnin e ri shqiptar “Rreth flamurit të përbashkuar”. Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi me shokë, morën rrugë për në Shqipëri me mision të shenjtë e vendimtar, në relacionin Budapest – Vjenë. Trieshta ishte vend tubimi i shqiptarëve të mërguar, ku tani vijnë edhe delegatë të Kuvendit te Vlorës. Në këtë vend priste një anije austriake që duhej të udhëtonte për në Durrës.”. Sipas Ismet Dërmakut, delegacioni në krye me Ismail Qemalin arriti në Vlorë më 26 nëntor ne orën 11 të natës. Dita e 27 nëntorit ishte dite përgatitore e këtij akti solemn kombëtar. Me 28 nëntor 1912, ditën e enjte, në orën 16 pasdite, Kuvendi Shqiptar ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kjo ditë e ky çast ka rëndësi të jashtëzakonshme dhe vendimtare për popullin shqiptar. Në këtë ditë lindi shteti shqiptar dhe njëherazi mori fund robëria pesëshekullore osmane, mori fund rilindja kombëtare shqiptare, për të cilën kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe në Bullgari patën rol të veçantë dhe dhanë kontribut jashtëzakonisht të madh.

Historia e Himnit të Flamurit sipas Mitrush Kutelit

(Shënime me rastin e Ditës së Flamurit, botuar në Shqipëria e Re, nr. 572, Konstancë, 28 Nëntor 1934)

Kënga ka qenë e ka mbetur përgjithmonë mjeti më i aftë për të shprehur ndjenjat e një njeriu e mbase të një kombi. Kënga fryn përmi popull si era mbi det. Fryn, rreh e ngreh valë që nuk mundin të këputën zinxhira robërije e të dërmojnë kështjella burgjesh. Pikërisht kështu është edhe Himni i Flamurit. Filloi të fryjë që më 1908, kur agonte dita e lirisë, më të katër çipat e botës shqiptare – botë e djegur për plotësimin e ëndrrës shekullore të vetqeverimit – preku kulmin e katargut në Vlorë më 1912 dhe mbeti përgjithmonë simboli i lirisë, i kombit e i truallit shqipëtar. Koha e luftat, luftat e dëshmorët, dëshmorët e therorët – e shenjtëruar.

Himni i Flamurit u lind në Bukuresht. U lind jo si himn po si këngë. Vetë populli shqipëtar e njojti më vonë për himn. Ja se qysh e ja se si: Më 1908 Shoqëria “Bashkimi” e kollonisë së Bukureshtit, me qendër në atë kohë në rrugën Izvor 16, kish organizuar një kor kishëtar shqip për të luftuar propagandën greke. Kori ish përherë prej anëtarëve të shoqërisë midis të cilëve shquheshin Tasko Iloja, Dhanil Zografi, Asdreni, Dhimitri Zografi, Dhimitri Konea, Llambi Cici Miçe, Kristo Mborja e të tjerë. I ndjeri Arhimandrit Harallambi Çallamani ish një nga frymëzonjësit e këtij kori i cili jipte koncerte në gjuhën shqipe dhe rumune në kishën Shën Gjergji i Vjetër, Për pregatitjen e korit kompozitori rumun Kirika, një mik i mirë i shqipëtarëve, kish ngarkuar një nga nxënësit e tij, Jonesku, i cili përveç këngëve kishtare u mësonte dhe këngë të tjera.

Në atë kohë këndohej në Rumani an’e mb’anë kënga e Ciprian Porumbescut “Pe al nostru steag” (“Mi flamurin tonë”). Sipas thënieve të tyre psalltët t pregatitur për Shën Gjergjin e Vjetër këndonin me ashk të math këngën e Porumbeskos. Disa prej tyre iu drejtuan poetit Asdren dyke iu lutur t’iu bëjë një këngë pas këngës të Çiprian Porumbeskos që t’a këndojnë në rrethin e tyre. Asdreni nuk vonoj t’iu përmbushë dëshirën dhe në pak kohë iu dha një tekst shqip të adaptuar pas tekstit rumun, me disa shtesa origjinale të bëra prej tij. Udhëheqësi i korit, Jonesku, vendosi fjalët shqipe në notat e muzikës të Çiprianit dhe i mësoi anëtarët e bashkimit që t’a këndojnë. Sukses i plotë! Pa ditur qysh, në një kohë të shkurtër, kënga e bërë vetëm për anëtarët e bashkimit u përhap në gjithë Kolloninë e Bukureshtit. Disa të rinj që vajtmë në Korçë e shpumë dhe atje.

Që në Korçë (sa shpirt kanë pasur këta korçarët për shqipen!) kënga e flamurit u përhap në gjithët Shqipërinë. Ngritja e Flamurit në Vlorë e lidhi me historinë e vendit. Sa djem e sa dëshmorë ka frymëzuar Himni i Flamurit. Populli dhe bijt e tij nuk pyeteshin që ku vinte kënga. Ata ishin të drejtuar prej fjalëve ideal, liri e flamur dhe nuk kërkonin “origjinalet” me qiri si kërkojnë epigonët e kësaj dite. Kësilloj u lind e kësilloj u përhap “Himni i Flamurit”.

Këndimi i Himnit Kombëtar sipas Eno Koços

Para do kohe u debatua ndër televizione e u shkrua së shumti për Himnin Kombëtar meqë ishte 100 vjetori i ardhjes së tij në Shqipëri. Secili jepte mendimin e tij për vlerat e himnit. Pati dhe rezerva midis folësve, pasi sipas tyre, me të drejtë, evidentohej fakti se himni ishte kompozuar nga një autor i huaj dhe vargjet ishin po ashtu adoptuar nga një vjershë e huaj, të dyja këto rumune. Pra, është folur a shkruar duke analizuar vetëm vargjet dhe muzikën. Për këndimin të tij, apo për mënyrën si transmetohet nga zërat e njerëzve, pothuajse nuk është folur e shkruar kurrë. Ky komponent, transmetimi nëpërmjet këndimit, është thelbësor, është bazamenti apo kolona e tretë që mban më këmbë ngrehinën e himnit, apo të çdo pjese muzikore. Fjalët dhe muzika do të ishin të vdekura pa interpretimin e tyre. Është pikërisht natyrshmëria me të cilën do të duhej të përcillej himni që dëshiroj të ngre në këtë shkrim. Por më parë, pak më tepër histori do të nevojitet sepse për komponentët e tjerë, fjalët dhe muzikën, të cilët janë padyshim po aq të rëndësishëm sa dhe interpretimi, por që janë dhe më të kapshëm e më konkretë për këdo, prandaj dhe kanë bërë të ketë pasur kaq shumë diskutime rreth tyre.

Që nga koha kur himni u soll për herë të parë në Shqipëri njëqind vjet të shkuara, pra më 1908, duke qenë se ai ishte i huaj, janë bërë përpjekje për të krijuar himne të tjerë kombëtarë, me muzikë e fjalë nga krijues shqiptarë. Dëshira vërtet sublime, por që për rrethana të caktuara nuk janë çuar dot deri në fund. Është thënë dhe vazhdon të thuhet që himni ekzistues i ka rezistuar më së miri kohës, kështu që e ka fituar ligjimitetin e vet. Kjo është shumë e vërtetë. Është lënë të kuptohet që krijimet e tjera gjatë këtyre njëqind vjetëve, si në gjysmën e parë të shekullit XX, ashtu dhe në gjysmën e dytë të po të njëjtit shekull, nuk kanë qenë më të mira se sa himni ekzistues, prandaj dhe nuk i kanë plotësuar kushtet për ta zëvendësuar atë. E marr me shumë rezervë këtë fakt. Kam bindjen se ka qenë më tepër paaftësia për ta çuar deri në fund nismën, mbase dhe për shkaqe subjektive, siç na ndodh shpesh mos rënia në ujdi edhe për çështje të rëndësie të veçantë. Kështu, më mirë me atë të huajin se sa me ndonjë tonin që do t’i gjendej patjetër ndonjë kleçkë si dialekti, etniciteti, fryma që e karakterizon, shtrirja krahinore, intonacionet e melodisë, pulsi ritmik, deri tek prirjet fetare e të tjera, si e si për të mos rënë në një mendje për të pasur një himn tonin.

Himni ynë ekzistues kombëtar është i bukur, shumë i bukur. Ai përçon solemnitet e dinjitet, prandaj dhe i ka rezistuar bindshëm kohës. Jemi mësuar më të dhe breza të tërë shqiptarësh e kanë njësuar me identitetin e tyre kombëtar. Megjithatë, duhet thënë se ai është dhe mjaft i vështirë për t’u kënduar mirë. Kjo sepse kur u kompozua, ai nuk u mendua për të qenë himn masiv i shqiptarëve. Atë e solli koha dhe nevoja në Shqipëri. Fjalët dhe muzika e tij ishin krijuar nga rumunët Andrei Bârseanu (1858-1922) dhe Ciprian Porumbescu (1853-1883) për tjetër qëllim, më saktë, kushtuar Bashkimit të Principatave Rumune në vitet ’50 të shekullit XIX dhe himni përmbante një karakter të thellë patriotik rumun. Ky himn edhe sot vazhdon të këndohet si i tillë dhe të transmetohet në radio e televizione në Rumani. Madje rumunët mburren, në kuptimin e mirë të fjalës, për faktin që një muzikë dhe vjershë patriotike e tyre është bërë himn kombëtar i një shteti tjetër.

Me që tema e këtij shkrimi është kryesisht interpretimi, pra këndimi i himnit, duhet vënë në pah që ishte pikërisht ky përçim i tij që i dha hov shpërthimit të ndjenjave kombëtare përmes këngës. Në traditën e këngëve korçare, si dhe të shqiptarëve të Rumanisë që e trashëguan këtë traditë, këngët në grup shprehnin ndjesi të natyrave të ndryshme, ku vend tepër të rëndësishëm zinin nocionet e bashkimit, protestës, mobilizimit e kushtrimit, me fjalë të tjera, ndjenjave patriotike. Janë pikërisht këto këngë, apo më mirë është interpretimi i këtyre këngëve, që çuan në atë që do të merrnin emrin si këngë karakteristike korçare, por që sot në mënyrë të vazhdueshme, thjesht nga naiviteti e mos-njohja, i ngatërrojnë me serenatat korçare. Adaptimi i melodive të huaja për nevojat shpirtërore të korçarëve, ishte një tipar karakteristik sa i qytetit, aq sa edhe ballkanik e mesdhetar. Pikërisht, pjesë e këtij frymëzimi në grup i të kënduarit, pa çka se nga ç’vend huazohej melodia, ishte dhe përshtatja që i u bë në Bukuresht këngës patriotike “Pe-al nostru steag e scris Unire” (“Rreth flamurit të përbashkuar”).

Lasgushi e përshkruan me ndjeshmëri të lartë këtë moment misionar

Rrethanat e krijimit të këtij himni i ka shpjeguar më së miri poeti ynë i vlertë, Lasgush Poradeci. Por si poet që ishte, edhe ndonjë rrethanë të formimit të himnit e ka shpjeguar në mënyrë krijuese. Në fakt, fjalët me frymë patriotike të këngës u krijuan krejt spontanisht, në rrugë, duke marshuar nëpër rrugën Calea Victoriei të Bukureshtit pas një mbledhjeje të shqiptarëve. Ishin fjalë të shpërndara, pa shumë lidhje, por tërë vrull dhe patos. Të frymëzuar nga ky spontanitet krijues i fjalëve, shqiptarët i kërkuan Asdrenit që ky t’i kthente ato në vargje të mirëfillta. Ai e pa të udhës t’i referohej ndjenjave patriotike dhe fjalëve të Bârseanu-t duke i përshtatur ato mjeshtërisht në shqip. Rrëfimin mbi zanafillën spontane të himnit ma ka thënë gojarisht Dhimitër Kristesku, nga Drenova, bashkëkohës i Asdrenit, që jetoi në Rumani dhe që u ndodh midis grumbullit të njerëzve që marshonin në Calea Victoriei. Gjithnjë sipas Lasgushit, “himni arriti të bëhej kësisoj Himni Kombëtar i Kolonisë së Bukureshtit, që përfaqësonte Shqipërinë në atë vend mërgimi aq të djegur për atdhe, duke u bërë zakon të këndohet rregullisht përpara dhe pas çdo ushtrimi të korit”.

Nuk dua të zgjatem për autencitetin e rrethanave të krijimit të himnit, veçanërisht të formimit të vjershës së tij, pasi kjo ka pak rëndësi tashmë. Vargjet e Bârseanu-t, përshtatur nga Asdreni, i shkonin më së miri frymës patriotike që kalonte Ballkani aso kohe, më konkretisht Rumania dhe më pas Shqipëria, ndërsa muzika ishte kompozuar më 1880, kur Porumbescu studionte aso kohe në Vienë në Konservatorium für Musik und darstellende Kunst, madje dhe u këndua atje si pjesë e programit të mbarimit të studimeve të tij më 1881. Dihet që himni me nota muzikore dhe fjalë u soll në Korçë nga Bukureshti më 1908 (ndoshta dhe më 1909!) nga emisarët atdhetarë ishin Tashko Ilo dhe Hilë Mosi. Lasgushi e përshkruan me ndjeshmëri të lartë këtë moment misionar. Kur në prag të Pavarësisë lindi nevoja për një himn kombëtar, kjo muzikë u përhap në Shqipëri me një shpejtësi të madhe. Kori i Korçës e këndoi himnin në shpalljen e Pavarësisë, në nëntor të 1912. Kush do ta mendonte që një ditë kjo muzikë dhe ato fjalë do të ktheheshin në simbolin kombëtar të shqiptarëve dhe do të jetonin jo pak, por njëqind vjet. Himni u shpërnda gojarisht në popull. Me një fjalë, ishte të kënduarit që përçoi fillimisht, pastaj u botua si vjershë në gazetën “Liri e Shqipërisë” të Sofjes më 1912 dhe më pas në të njëjtin vit në Bukuresht, në vëllimin e Asdrenit, “Ëndra e lotë”.

Himni u transmetua tek njerëzit jo nëpërmjet procesit të mendimit abstrakt, domethënë i porositur apo gjykuar për të qenë një himn kombëtar i shqiptarëve edhe pse ishte krijuar si himn patriotik. Ai u përcoll në popull përmjet një procesi dinamik, për të përçuar energji dhe forcë por dhe solemnitet, për të shprehur ndjenja patriotike, për të lëvizur nga një vend në tjetrin, për t’u adaptuar sipas kërkesave të rrethanave ku ai përdorej. Ai u regjistrua disa herë në disqe duke nisur që nga i pari i kënduar në duet nga arbëreshi Guisepe Mauro dhe muzikanti e poeti nga Korça, Spiridhon Ilo dhe prodhuar nga ky i fundit më 1918 dhe 1923 në ShBA. Por himni që u këndua në krye të herës në një nga sallat e provave të korit të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, më pas do të përhapej në rrugë e sheshe, e më vonë i sjellë në Shqipëri do të përvetësohej nga grupe më të mëdha njerëzish. Ishte ky një proces që karakterizoi krijimin e një sërë këngësh patriotike korçare, emrat e të cilave janë bërë aq të njohura për shqiptarët.

Në traditën tonë muzikore kemi këngë që ashtu si himni ynë ekzistues kanë lindur në momente vendimtare të historisë së Shqipërisë, të cilat kanë të njëjtën moshë të himnit ekzistues kombëtar dhe që shumë shpesh kanë luajtur rolin e një himni të vërtetë kombëtar. Ndryshe nga himni i Porumbescu-t, këngët masive korçare, që morën emrin patriotike, shpesh herë të dala nga buzët dhe shpirti i luftëtarëve të lirisë të çetave kryengritëse, ishin më të lehta për t’u kënduar dhe u fiksuan në memorien e popullit më mirë e më shpejtë se sa himni që do të bëhej më vonë kombëtar. Ato ishin më të shtruara, më të thjeshta, më të ngrohta, jo akademike, me një shtrirje zëri më për të gjithë. Mjafton të përmend njërën prej tyre, “Për Mëmëdhenë”. Ka një shtrirje prej vetëm tetë notash (si shumica e himneve në botë), me intervale të afërt e të rrjedhshme që mund t’i këndojë çdo njeri, ka ngrohtësinë e përzemërsinë, ka dhe dinamizmin dhe pulsin e marshit në refren, ka fjalë kushtrimi thurur maleve të Shqipërisë si dhe evokon ndjesi të mirëfillta vendase. Megjithatë, kjo këngë nuk u bë dot kurrë himn edhe pse teksti dhe muzika e mbanin peshën e himnit, aq më tepër të bëra prej një patrioti shqiptar, kryengritës por dhe i lëçitur, siç ishte Mihal Gramano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat