A kanë moral politikanët e sotëm për të bërë moral dhe për t’u dukur në Ditën e Pavarësisë?!

Opinione

A kanë moral politikanët e sotëm për të bërë moral dhe për t’u dukur në Ditën e Pavarësisë?!

Nga: Skënder Sadri Kapiti Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 13:36
Skënder Sadri Kapiti

Besoj se kjo pyetje ka brënda  edhe përgjigjen e saj, atë se politikanët shqiptarë ,politika dhe pushteti janë sot më të neveritshmit te shumica e shqiptarëve. Kur pushtetarët shqiptarë, krerët me të lartë të shtetit e të politikës  dalin sot në përvjetorin e Pavarësisë për ta kremtuar atë, ajo nuk u shkon atyre për t’u dukur në krye të kombit , por duhet të fshihen sepse ekspozimi,  amoraliteti dhe hipokrizia e tyre vetëm sa e venit festën më të madhe të shqiptarëve.

Për çfarë duhet të dalin ata në këtë festë, për të mbuluar dhe për ta justifikuar  veten e tyre para popullit  si “kombëtarë  e patriotë”  një herë në vit?!

Apo duan të dalin për t’u dukur  si “baballarë e burra  shteti” sa për të mbuluar korrupsionin, mashtrimet, zullumet, tradhëtitë dhe hajnit kombëtare të tyre?!

Dita e Pavarësisë duhet të jetë protestë, pra një festëprotestë popullore  kundër papërgjegjshmërisë, kundër varfërisë, papunësisë dhe kundër politikës dhe drejtësisë së korruptuar dhe të kriminalizuar, të cilat kanë viktimizuar shumicën e shqiptarëve duke i detyruar ata që të largohen nga atdheu.

Për çfarë dalin këta  “kryetëparë” të kombit në Festën e Pavarësisë për t’u mburrur me atë se prej tyre shqiptarët marrin arratinë dhe largohen nga atdheu prej padrejtësive të atyre të cilët ua kanë bërë jetën  shqiptarëve sketerrë, të padurueshme dhe të pamundur në Shqipëri.    Dita e Pavarësisë  nuk u takon pra këtyrëve, të cilët vetëm sa kanë spekulluar me sakrificat e atyre të cilët dhanë gjithçka për Pavarësinë e Shqipërisë.

Kjo festë i takon që ta festojnë vetëm shqiptarët, Gjithë Kombi Shqiptar. Nuk i takon politikës shqiptare që ta festojë këtë festë , nuk u takon atyre që ta privatizojnë këtë festë sepse prej tyre mbahet peng zhvillimi, ndërtimi dhe konsolidimi i Shtetit ligjor dhe demokratik shqiptar;prej tyre Shqipëria ka mbetur e fundit në Europë në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit për në BE.

Festa Kombetare është një festë madhështore në kujtim të ngjarjes më të madhe historike të kombit, por ajo shërben njëkohësisht edhe si një “gjyq” për ata të cilët e drejtojnë shtetin shqiptar sot, gjyq i cili i vë ata përpara përgjegjsive se a e meritojnë ata vëndin që kanë në krye të shtetit e të kombit, a janë ata me të vertetë të merituar  për të qeverisur  dhe si pasues  dhe respektues të  vërtetë  të sakrificave të jashtëzakonshme të atyre prej të cilëve erdhi Pavarësia Kombëtare?!

Sot më shumë se çdo ditë tjetër opinioni gjykon se a i meriton këta, a e meritojnë shqiptarët  këtë elitë politike në krye, a e meriton këtë politikë dhe pushtet që të qeveriset prej tyre. Festa shërben si kujtim e nderim për të shkuarën , por edhe si reflektim , gjykim  dhe reagim për të sotmen në atë që në rastin më të afërt të zgjedhjeve kombëtare populli të gjykojë dhe të ndëshkojë të pamerituarit, të korruptuarit dhe të gjithë ata të cilët kanë interesin personal mbi ata kombëtar, për të dëbuar nga politika e pushteti të gjithë ata prej të cilëve  dhe për shkak  të të cilëve  kërcënohet sovraniteti kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat