Një fytyrë tjetër e Edi Ramës u pa në Pejë

Opinione

Një fytyrë tjetër e Edi Ramës u pa në Pejë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 28 nëntor 2018 Në ora: 20:52
Edi Rama

Vjen në Kosovë një person si Edi Rama, i cili gjatë vizitës kishte shumë tendenca në kokën e tij që i plasoi në qytetin e Pejës. Ai kishte ardhur që t’ia “rrah” shpatullat presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke ofenduar shumicën e qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se gomarë janë të gjithë ata që po e quajnë tradhtarë presidentin Thaçi, në idenë e tij për korrigjim kufijsh me shtetin serb. Përveç kësaj, Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ofendoi edhe gazetarët me shprehjet e tij prej një injoranti, duke i quajtur ata “kazanë”.

Një fytyrë tjetër e Edi Ramës u pa në Pejë. Fytyra prej mashtruesi që ka ardhur me porosi. Është pikërisht Rama që vendosi taksë për qytetarët e Kosovës të cilët kalojnë kufirin për në Shqipëri, për të derdhur para atje në shtetin, të cilin ai e drejton. Shumë shqiptarë të Kosovës nuk e dinë se përveç taksës rrugore, paguajnë taksë edhe për shërbimet tjera të vogla.

Edi Rama erdhi në Kosovë për të shitur patriotizëm të rrejshëm, e në të njëjtën kohë qëllimi i tij kryesor ishte mbështetja e Hashim Thaçit në aventurën e rrezikshme. Për t’u dukur sa më shqiptarë, ai me eufori tërhoqi kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj që t’i bashkonin duart mbi flamurin shqiptarë, në një formë betimi për marrëveshjet e arritura.

Derisa ai e qon në “qiellin e shtatë” qeverinë e Kosovës për taksën e vendosur prej 100% për të gjitha produktet dhe mallrat serbe që hynë në Kosovë, ministrat e tij po përqafohen me homologë të tyre serb, duke iu premtuar mbështetje morale pas taksës së vendosur dhe duke iu ofruar ndihmë në këtë “krizë”. E në Pejë, një pjesë e asaj qeverie erdhi në Kosovë me duar lartë duke bërë shqiponjën për të tentuar që t’i bindin qytetarët e Kosovës se qeveria Rama mbështetë çdo vendim të qeverisë së Kosovës.

Me qeverisjen e tij, Edi Rama po afrohet në bashkëpunim tregtar me Beogradin, ndërsa po bën një bllok me Prishtinën. Nën prezencën e tij, pushtetarët e Kosovës dukeshin sikur qyqarë dhe të paguximshëm përballë Ramës. Askush nuk mori iniciativën për një pyetje të vetme, që me siguri nuk do të kishte përgjigje, mirëpo do ta ndalte hovin e Ramës prej një patrioti të rremë. Askush nuk e pyeti se çfarë do të ndodh me taksën rrugore për qytetarët e Kosovës. Taksën e vendosur për rrugën e kombit, e cila u emërua kështu, në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të ishin një.

Edi Rama i quajti gomarë mijëra protestues që mbushën sheshet e Prishtinës më 29 shtator, për të kundërshtuar idenë e Thaçit. Edi Rama i quajti ashtu edhe qindra mijëra të tjerë të cilët nuk ishin prezent në protestë.

Pavarësisht disa marrëveshjeve të nënshkruara dhe disa “shqiponjave” të ngritura lartë, ekonomia nuk pritet të përmirësohet mes dy vendeve shqiptare. Rama me prezencën e tij në Kosovë, dha mesazhin për të cilin kishte ardhur, t’i ofendonte qytetarët e Kosovës dhe t’i jepte një mbështetje Thaçit me mashtrimet e tij të shoqëruara nga injorimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat