Festë apo vaj?!

Opinione

Festë apo vaj?!

Nga: Leonor Berisha Më: 3 dhjetor 2018 Në ora: 21:33
Leonor Berisha

Sot, është 3 Dhjetori Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta ( aftësi e kufizuar, siç jemi mësuar shpesh t`a shohim këtë emërim nëpër media, tekste shkollore, rrjete sociale apo diku tjetër, nga njerëzit e rëndomtë e deri tek bartësit e institucioneve, e që kjo përbën një diskriminim direkt të shoqërisë sonë sepse askush nuk e ka atë të drejtë, për t'i vënë kufij aftësive të të tjerëve dhe se askush nuk është aq i aftë, sa t'i dij apo bëjë të gjitha ).

Meqenëse, sot, është dita ime, dua t`a ndaj me të gjithë juve një pjesë të vogël të përjetimeve në fazën më të hershme të jetës, nga pozita e të qenit " ndryshe ".

Unë jam Leonor Berisha, person me nevoja të veçanta, po e citoj për pjesën e miqve që nuk më kanë takuar asnjëherë fizikisht.

Unë nuk u linda i tillë, por jeta më sfidoi në moshën më të ndishme, atëherë kur fillova ta kuptoja funksionimin e jetës dhe botës përmes lodrave.

Në fillim nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte me mua, e kisha shumë të vështirë ta pranoja veten për atë që isha, për gjendjen në të cilën ndodhesha, nuk e kuptoja ndryshimin që po ndodhte në trupin tim, me thënë të drejtën kisha shumë frikë për atë ndryshim, dhe në të njejtën kohë fillova të urreja çdo gjë, madje edhe veten.
E urreja për faktin se gjërat nuk mund t'i bëja më si më parë, dhe kjo më bëri që t'i shohë edhe ndryshe, shokët që i kisha për'rreth filluan të dallonin nga unë, ata bënin gjëra dhe veprime që unë s'mund t'i bëja dot, loja e futbollit dhe ëndrra për t'u bërë një futbollist u zbeh, pikërisht nga shokët filluan pyetjet dhe shikimet e shpeshta rreth asaj se çfarë po ndodhte me trupin tim, duke u vendosur më pastaj në kokën time dhe duke i`a përsëritur të njejtat pyetje edhe vetes me dhjetra herë. Ato ishin momentet e para të një bote krejtësisht tjetër, brenda së cilës fillova të lëndohesha në shpirt, ndryshe nga lëndimet fizike nga cilat mund të shërohesh me kohën.

Ishte kohë lufte, dhe nuk e kisha dikë që t'ma shpjegonte për ta kuptuar atë se çfarë po ndodhte me mua, ngase të gjithë ishin të zënë duke u marrë me çështjen më delikate dhe serioze të jetës ( shpëtimin e saj nga plumbat, torturat, djegëjet dhe vrasjet e okupatorit serb ).

Koha nuk ndalej, vitet kalonin, brenda tyre duke kaluar çdo ditë me dhimbje, përjetime dhe sfida që tashmë m'i kishte vendosur përpara jeta, ka pasur momente kur më e ëmbël më është dukur vdekja se'sa të përballesha me to, dhe ka pasur raste kur jam përbuzur, neglizhuar, ofenduar, injoruar, dhe shikuar me një sy ndryshe nga të tjerët, për atë që isha.

Sot jam këtu, përpara jush, më i pjekur se kurrë për ta kuptuar dhe vlerësuar jetën, dhe më i aftë se ata që dje nuk më vlerësuan, dhe më bënin që veten ta shohë ndryshe nga ta !

Kam dëgjuar se sfidat më të vështira jepen dhuratë nga Zoti për njerëzit më të fortë, kjo ishte dhuratë për mua nga perëndia, u mësova me veten, e mësova se nderi më i madh që mund t'i bësh vetes në jetë është ta pranosh veten ashtu siç je, e bëra, e pranova dhe po jetoj me të, me veten, por gjithmonë duke e ndjerë dhe duke mos e humbur dashurinë dhe dhimbjen për tjetrin.

Sot, e morra guximin për t'iu treguar të gjithëve se unë jam ky që jam, jam njeri, dhe s'mund të ndryshoj diçka që nuk është në dorën e njerëzve, për t'u rreshtuar kundër vullnetit të Zotit vetëm për t'u bërë qejfin krijesave të tij.

"Jo çdo kujt Zoti i jep mundësin të trajtohet si i/e veçantë nga të tjerët, dhe jo çdo kush mund të të vlerësoj si të barabartë me vehten".

Faleminderit prej atyre që më bënë të ndihem ndryshe nga ta.
Dhe faleminderit prej atyre që më bënë të ndihem i barabartë me ta.

Fal jush, unë mësova se të trajtohesh ndryshe nuk të bënë të veçantë.
Dhe të vlerësohesh i barabartë, të jepet ndjesia më e mirë e përfaqësimit të qenjes njerëzore.

Pavarësisht, ndryshimeve fizike që mund t'i shohësh në trupin tim, unë jam njeri, O NJERI, dhe i tillë do të mbetem si për vehte ashtu edhe për ty.

Sa`do e trishtë apo e bukur, e ëmbël apo e hidhur të jetë jeta, një ditë, të gjithë do ta kemi të njejtin përfundim, ashtu siç erdhëm në fillim " të barabartë", i njejt do të jetë edhe fundi ynë.

Andaj, mos më paragjyko, më prano ashtu siç jam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat