Edhe Tirana si Prishtina, të miratojë  taksën 100% për mallrat e Serbisë  dhe të BeH !

Opinione

Edhe Tirana si Prishtina, të miratojë  taksën 100% për mallrat e Serbisë  dhe të BeH !

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 18:53
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

-Pra, takimi  dhe bashkëpunimi i qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës nuk do të ketë kurrfarë kuptimi qoftë politik, ekonomik e as diplomatik etj, që do të konkretizonte imperativin strategjik të bashkimit të dy vendeve, nëse qeveria e Edi Ramës nuk do të reagonte si qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj, duke e detyruar Serbinë që të paguajë taksën 100%  të eksportimit të mallrave të saj në Shqipëri, ashtu sikurse në Kosovë.

-Po,  kryeministër Ramush Haradinaj, ashtu është absolutisht, “ Taksa anulohet kur Serbia ta njehë Kosovën” !

Nuk dyshim se kryeministri Ramush Haradinaj, duhet  të mbështet jo vetëm me fjalë boshe të Edi  Ramës, por me vepër konkrete, qeveria e Shqipërisë, në të njëjtën kohë kur qeveria e Kosovës  ka vendosur taksën 100% mbi mallrat e Serbisë, do të duhej ta bënte të njëjtë gjë ndaj Serbisë për ta bindur  se, tanimë Kosova dhe Shqipëria flasin me NJË ZË drejt BASHKIMIT, kur është fjala për mbrojtjen interesit të përgjithshëm dhe të përbashkët qoftë politik, ekonomik, tregtar, diplomatik, ushtarak dhe kulturor etj.

Ndryshe, derisa  mbi 6 milionë e gjysmë popull të Kosovës dhe të Shqipërisë, të konsumojnë mallra të  lloj-llojshmehme dhe të zhvillojnë biznese të ndryshme ekonomike, tregtare dhe kulturore etj. me Serbinë, Beogradi zyrtar Serbia  nuk ka nevojë, që ta njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës.

Kjo është tejet e thjeshtë për t’u kuptuar, pa ndonjë prerje të thellë të filozofisë politike të Serbisë neokolonialiste dhe të bashkëpunëtorëve e “miqve të ndershëm”  të saj shqipfolës me të cilët bën biznes të madh, qëkur Serbia e Slobodan Miosheviqit e pushtoi Kosovën më 1989.

Prandaj, alternativa e vetme, që Serbinë mund ta detyrojë ta njohë Kosovën e pavarur, është JO VETËM TAKSA 100%  e RAMUSH HARADINAJT, POR BOJKOTI  TOTAL i zhvillimit ekonomik dhe tregtar i Kosovës me Serbinë.

 Tirana në vonesë sikurse më 1989/90

Duke qenë se Serbia qe 10 vjet (2008-2018) po lobon nëpër botë, që Kosova të mos njihet si shtet i pavarur dhe sovran, atëherë edhe politika e jashtme dhe diplomaica e Republikës së Shqipërisë, ka plotësisht të drejtë të kërkojë nga  BE-ja, nga OKB-ja,e nga Amerika, si dhe nga vendet e tjera mike, që ka marrëdhënie diplomatike me to, ta bllokojnë Serbinë, duke e vënë nën sanksione ekonomike dhe tregtare derisa Beogradi ta njohë de fakto dhe de jure Republikën e Kosovës.

Mirëpo, për t’i bindur institucionet dhe faktorët relevantë të bashkësisë ndërkombëtare se  Shqipëria ka të drejtën ligjore, që të kërkojë  vënien nën embargo ekonomike dhe tregtare të Serbisë derisa kjo të detyrohet ta njohë Republikën e Kosovës, SË PARI, duhet ta dëshmojë  vetë me vepër konkrete, duke  i vënë Serbisë taksën 100%  për eksportimin e mallrave të saj në Shqipëri.

Ky vendim i Shqipërisë, është i domosdoshëm për t’i treguar Serbisë se Kosova nuk është lodër e as plaçkë koloniale e saj, por shtet i pavarur dhe sovran, që në çdo aspekt ka mbështetjen e plotë të Shqipërisë.

Ndryshe, Serbia nuk do ta njohë Kosovën derisa të ketë bashkëpunim dhe marrëdhënie të mira politike, diplomatike dhe të leverdishme ekonomike, tregtare dhe kulturore  me Shqipërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat