Strukturat politike të korruptuara dhe klanet kriminale duhet të largohen nga skena politike në Maqedoni

Opinione

Strukturat politike të korruptuara dhe klanet kriminale duhet të largohen nga skena politike në Maqedoni

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 7 dhjetor 2018 Në ora: 14:12
Abdulla Mehmeti

Ndryshime pozitive në shoqëri dhe reforma demokratike thelbësore nuk mund të bëhen në Maqedoni, në këto kushte dhe rrethana, pa një organizim të ri, vizion ndryshe të lëvizjes politike shqiptare në këtë vend.

Një shoqëri me vullnet të ndrydhur nga sundimi përmes dhunës; e plaçkitur, varfëruar dhe degraduar moralisht; e partizuar, e përçarë dhe e lënë në mëshirën e fatit, nuk mund ta shpëtojë nga kjo gjendje vetëm lëvizja kulturore dhe intelektuale, për aq më tepër kur edhe kjo i mungon, por një lëvizje e gjerë shoqërore dhe politike, gjithëpërfshirëse, me politikanë të ri e të pakomprometuar, me filozofi të re mendimi e veprimi; sepse klasa politike aktuale, e korruptuar dhe kriminalizuar përtej çdo norme, nuk mund të shërohen përmes bindjes, riedukimit, vetëm me dëshira të mira e lutje, me fjalë e shitje moral, por duke e demaskuar në thelb, duke e zhveshur nga demagjia e pafundme dhe larguar nga pushteti, me mjete demokratike, përmes votës së lirë (të mbrojtur), edhe pse ka qenë e manipuluar dhe keqpërdorur nga pushtetet e derisotme.

Strukturat, klanet dhe rrjetet e vjetra të pushtetit jodemokratik, të korruptuara dhe degjeneruara, të kriminalizuara dhe kapura nga shërbimet e huaja sekrete, mund të zëvendësohen vetëm me struktura të reja të pushtetit demokratik, të përgjegjshme, të moralshme, profesionale, vizionare, të përkushtuara për reforma të mirfillta demokratike dhe në shërbim të qytetarëve.

Do të ishte iluzion nëse mendohet që ky proces mund të zhvillohet përmes ndërgjegjësimit, me metoda të edukimit dhe bindjes të klasës politike aktuale, e cila tanimë është kalbur plotësisht nga brenda, në formë dhe përmbajtje, që i ka thelluar kundërthëniet në shoqëri deri në këtë nivel, nëse kjo klasë politike vazhdon edhe më tej të mbetet në pushtet dhe të sundojë siç ka sunduar deri më sot (1990-2018), nuk ka gjasa të mbeten edhe gjatë kohë shumica e qytetarëve bashkë me këtë klasë politike të degjeneruar në të njëjtin shtet dhe ai të funksionojë normalisht.

Mes kësaj alternative të madhe që i ka sjellë qytetarët kjo klasë politike, me atë në pushtet dhe qeverisjen e saj të dhunshme, nuk mund të ndërtohet shtet ligjor, shoqëri demokratike, të krijohet siguri në vend, të garantohet paqe dhe progres, as perspektivë dhe të ardhme evropiane.

Në mungesë të një lëvizje të shëndoshë politike, progresive dhe thellësisht të përgjegjshme, qytetarët e vendit po largohen në masë nga vendi për botën e jashtme, jo pse duan, apo për jetë më të mirë, por pse janë të detyruar nga sundimi i keq, nga mungesa e sigurisë, e punës dhe ekzistencës, e perspektivës, e zhvillimit dhe jetës normale. Në pamundësi që ta ndryshojnë këtë gjendje, shumica e qytetarëve, sidomos rinia, po e braktisin vendin përditë e më shumë.

Kjo klasë politike duhet sa më parë të largohet nga pushteti, me këtë edhe të eliminohet fatkeqësia për qytetarët dhe shtetin, për një shoqëri më të mirë, për shtet demokratik dhe ligjor, për ardhmëri të sigurt, progres, perspektivë dhe shpresë të re në Maqedoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat