Dramaturgjia e rinisë shqiptare – 3 Aktet e çlirimit të rinisë nga tradita e shtypjes

Opinione

Dramaturgjia e rinisë shqiptare – 3 Aktet e çlirimit të rinisë nga tradita e shtypjes

Valon Alimi Nga Valon Alimi Më 8 dhjetor 2018 Në ora: 23:35
Foto nga protesta e studenteve

U habit qeveria! U dridh toka! Nuk e paska pritur qeveria që studentet, të rinjtë dhe “myshterinjtë” kryesor të politikës sociale të dalin dhe të demonstrojnë për të drejtat e tyre studentore dhe për një arsim dinjitoz në Shqipëri. “Studentet janë arrogant dhe jo falënderues për atë që kanë. Të rinjtë kërkojnë tepër shume dhe diçka që nuk mundet të realizohet lehtësisht. Të rinjtë janë të pabesë dhe nuk vlerësojnë arritjet të shoqërisë shqiptare. Të rinjtë me avargandizmin e tyre duan të prishin themelet e shoqërisë dhe duan të ndërtojnë një shoqëri pa fare vlera.” Këto janë mendimet e të moshuarve dhe qeveritarëve tanë që sot e kësaj dite tentojnë të nënçmojnë lëvizjen studentore që kërkon një Shqipëri me cilësi dhe që ofron kushte për të rinjtë e këtij vendi.

Protesta studentore që këto ditë është prezent në Shqipëri është një reagim i fuqishëm dhe i domosdoshëm ndaj mosfunksionimit shtetëror  në aspektin e tij më të veçantë – politikës sociale dhe proceseve shtetërore për të mbështetur të rinjtë në jetën e tyre. Protestat pasqyrojnë zhgënjimin që kanë akumuluar studentet për shkak të papërgjegjësisë qeveritare dhe pseudo-socialiste e cila pretendon të bëjë politikë sociale por në fakt dita ditës shkëlqen me neglizhencën e saj ndaj rinisë dhe interesave të saj.

Ja pra prologu i dramaturgjisë që të rinjtë përjetojnë në Shqipëri dhe tokat shqiptare anembanë Ballkanit!:

Akti i parë – Të nënçmohesh nga të moshuarit dhe nga partriarkalizmi

Të jesh një i ri qoftë femër apo mashkull në një ambient shqiptar nënkupton të shtypesh nga patriarkalizmi dhe gerontokracia. Në njërën anë të rinjtë janë top ndeshjeje të pasigurisë kulturore që ka shoqëria shqiptare pasi ende fatkeqësisht nuk është caktuar nëse do ndjekim rrugën e Perandorisë Osmane apo rrugën e ndriçimit të Evropës. Në tjetrën anë të rinjtë janë loja e të moshuarve që marrin hak ndaj tyre me argumentin që edhe ata dikur disiplinoheshin në kohën e komunizmit dhe nuk kishin liri totale. Gerontokracia domethënë dominimi i të moshuarve ndaj të rinjve duke shtypur frymën e lire të tyre dhe përdorur represione kulturore me referencë fetare dita ditës shkakton dëshpërimin që largon të rinjtë nga vendi duke larguar gjithashtu progresin dhe përparimin nga Shqipëria dhe shndërruar Shqipërinë në kazanin kulturor të Evropës. Patriarkalizmi në përputhje me armiqësinë që përfaqëson gerontokracia dhe sundimi i të moshuarve dhe burrave ndaj te rinjtë dhe femrave ka shkaktuar frikën e jashtëzakonshme për të shprehur kritikën e duhur dhe konstruktive ndaj zhvillimeve sociale në shoqëri. Në aspektin filozofik të deontologjisë kritika është obligimi kryesor i çdo njeriu në një shoqëri që do të ndjekë progresin dhe zhvillimin pasi veç kritika jep impulsin për të dyshuar rrënjët e vjetra shoqërore dhe për t’i përmirësuar ata duke shkaktuar modernizëm shoqëror. Andaj, ku s’ka kritikë s’ka progres dhe ku s’ka progres ka varfëri dhe dëshpërim. Duke zhbërë kritikën dhe dyshimin e nevojshëm ndaj strukturave sociale në dem të rinisë protagonistet që janë përfshirë në këtë lojë të terrorit ndaj ndryshimit kanë zënë vendin bosh të komunizmit antishqiptar. Dita ditës të rinjtë neper botë thyejnë brengat e konservatizmit dhe shtypjes nën hijen e mbarëvajtjes kulturore por në Shqipëri çdo përpjekje për ta bërë “Shqipërinë si krejt Evropa” shuhet kështu qe Shqipëria dita ditës largohet shpirtërisht nga Evropa dhe i bashkohet shteteve të errësirës duke shuar dritën e shpresës së përparimit. Dramaturgjia e të rinjve pastaj shfaq mungesën e alternativës politike pasi s’ka një parti serioze që njëkohësisht përfaqëson patriotizmin racional së bashku me liberalizmin dhe progresin shoqëror që nuk është veç në favor për të rinjtë por për gjithë Shqipërinë.

Akti i dytë – Të ironizohesh nga partitë politike

Mungesa e alternativës politike për shqiptarët dhe të rinjtë përbën një rrezik të posaçëm dhe të jashtëzakonshëm për funksionimin e demokracisë. Në bazë të demografisë shoqërore të Shqipërisë duke lënë anash faktorin të emigrimit të rinjtë do përbenin një përqindje të lartë në shoqërinë shqiptare. Andaj, partitë politike do kishin interes të madh të orientoheshin kah të rinjtë në politikbërjen e tyre. Aktualisht Partia Demokratike si opozitë joeffektive dhe inekzistente në kuvend dhe Partia Socialiste si pushtet kanë shfaqur platformën e tyre: “Bindi të rinjtë, fito zgjedhjet dhe gënjeji ata”. Të rinjtë dhe nevojat e tyre nga të dyja partitë në kohëra ku s’ka zgjedhje nuk merren seriozisht apo bile më keq banalizohen. Partia Demokratike dhe udhëheqësit e saj u bashkuan me të rinjtë në demonstrata. Por kush mendon që Partia Demokratike e bën këtë gjë për të ndihmuar rininë po ngatërron realitetin më ëndrrat. Partia Demokratike në këto protesta po sheh mundësinë e veçantë për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme për të kapur pushtetin dhe për të harruar premtimet dhe rininë pastaj. Ndërkohë, Partia Socialiste, Edi Rama dhe Lindita Nikolla ofrojnë biseda për të bërë premtime boshe dhe për të shuar flakën e shpresës së vendit dhe fundosur Shqipërinë në stagnimin social dhe kulturor. Bash kryeministri ish-avantgardisti, studuesi i artit në Paris që dikur “me thonj të paprerë” erdhi në Shqipëri për të mposhtur diktaturën dhe ndërtuar një Shqipëri përparimtare me hezitimin e tij për të mbështetur rininë bëhet anëtar dhe protagonist i komplotit kundër rinisë.

Mirë pra, me rastin e demonstratës studentore në Shqipëri është normale që fokusi është në Shqipëri por si është situata në Kosovë apo Maqedoni? Ndërkohë që rinisë shqiptare në Shqipëri të paktën i ka mbetur mundësia dhe liria për të demonstruar,të rinjtë në Kosovë dhe Maqedoni janë shtypur aq shumë sa ngritja e zërit apo demonstrata për të drejtat kyçe për të rinjtë përfundon në margjinalizimin shoqëror dhe në izolim po preke shtyllat e shenjtë të shoqërisë. Bariu kërçovar bashkë me gardën e vjetër të komandantëve “çlirimtarë” kanë arritur të ringjallin inkuizicionin për të shtypur të rinjtë avantgardistë duke i konsideruar ata tradhtarë të kombit dhe njerëz të pamoralshëm. Po je një avantgardist i ri në Kosovë apo Maqedoni do përfundosh në njërën të këtyre rrugëve: Ose do luftosh përherë për lirinë tënde kulturore dhe të drejtat e tua siç janë arsimi i ndriçuar duke përfunduar neper fabrika ku pos diplomimit universitar do paguhesh në mënyrë çnjerëzore ku s’të jepet mundësia të krijosh një jetë dinjitoze dhe të pavarur apo do mbyllesh gojën dhe do u bashkohesh sunduesve shoqëror dhe moral në partitë e tyre duke e shitur vetë-vetën dhe rininë për një vend pune. Kështu të rinjtë shqiptar me shtypjen shoqëro-politike detyrohen të braktisin vendin apo të jetojnë në mjerim me gojë të mbyllur dhe kufizim të shprehjes së lirë. Kështu pra përfundojnë shqiptarët në mjerimin e stagnimit kombëtar që mundet të konsiderohet traditë shqiptare pasi siç u shpjegua trashëgohet brez në brez.

Më në fund vjen epilogu i suksesshëm?!

Akti i tretë: “Luctor et emergo. Non ducor duco.”

Protesta në Shqipëri që u shkaktua për shkak të mangësive në sistemin arsimor në themelin e saj gjithashtu përmban zhgënjimin me situatën aktuale dhe të shpjeguar më lartë dhe kërkesën për ndalimin e traditës së shtypjes së rinisë. Pyetja më e veçantë në lidhje me protestat është: A janë të rinjtë aq të aftë sa të shkaktojnë ndryshime ekologjike dhe afatgjate jo veç në Shqipëri por në gjitha trevat shqiptare? Dy fjali na japin udhëzimin e duhur:

Luctor et emergo. – Unë luftoj dhe ja dal.:

“Luctor et emergo.”, është njëra e premisave kyçe dhe kryesore që të rinjtë shqiptarë qoftë ata në Shqipëri apo në Maqedoni dhe Kosovë duhet ta kenë. Të rinjtë protestat nuk duhet t’i ndërlidhin veç me uljen e tarifave të universiteteve apo me përmirësimin e kushteve veç në arsim. Protestat duhet të vijojnë derisa patriarkalizmi, gerontokracia dhe shtypja partiake të marrin fund. Me këto protesta emancipimi i të rinjve anembanë Ballkanit domosdosmërisht duhet të fillojë dhe të gjejë rrugën e suksesit. Nëse protestat nuk sjellin suksesin e duhur atëherë të rinjtë edhe vitet në vijim do shtypen dhe do nënçmohen.

Non ducor duco – Nuk udhëhiqem por udhëheq!

Premisa e dytë që të rinjtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhet ta kenë më së miri përshkruhet më fjalinë: “ Non ducor duco!” Të rinjtë përmes protestave duhet të ndërtojnë rrugën e tyre për të jetuar në pavarësi pa mbyllje të gojës apo kufizim të lirisë së jetës. Të rinjtë duhet me gjithë forcën pozitive që shkaktohet nga dëshpërimi i gjate dhe i akumuluar të dalin në shesh për një Shqipëri më përparimtare dhe progresive që nuk udhëhiqet nga të moshuarit duke u shndërruar në një azil për pleq në aspektin e mençurisë dhe frymës progresive. Protesta në Shqipëri duhet të shkaktojë një kohë të re kur të rinjtë e mençur kanë fuqinë politike në dorën e tyre për të ndërtuar një Shqipëri kreshnike që nuk ka frikë ndaj progresit dhe ndryshimit por që fuqimisht e ndjek atë! Veç progresi sjell përparimin në favor të Shqipërisë. Të rinjtë me protestat e tyre e kanë topin e lojës në anën e tyre. Kondicioni i tyre do zgjedhë fatin e Shqipërisë. Durimi dhe rezistenca e të rinjve është variabla determinuese për ardhmërinë e vendit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat