Disa mësime nga protesta e studentëve

Opinione

Disa mësime nga protesta e studentëve

Nga: Asllan Bushati Më: 12 dhjetor 2018 Në ora: 17:14
Asllan Bushati

Shoqëria shqiptare  dihet  tashmë, se ka qenë  e masakruar, e tulatur dhe e përcudnuar në cdo aspekt nga shteti totalitar. Por edhe pas shembjes së diktaturës komuniste  në  vijim të këtij mentaliteti, ajo qëndroi e vazhdon të qëndrojë inaktive dhe e trembur. Qytetarët e një rajoni të caktuar, biznesmenët, njerëzit e të të njejtit profesion ose profil si: minatorët, naftëtarët, bujq e blegtorë, student, infermjerë, arsimtarë etj, nuk  u bënë kurrë bashkë ti tregonin forcën e bashkimit një qeverie  që nuk i përfillte  interest e  tyre.

Kurse protestat studentore të këtij dhjetori,  erdhën në një moment shumë të  mirpritur dhe të domosdoshëm. Ata  në një farë forme i ngjajnë  një pranvere  mbarë popullore, si një shpresë për rigjenerim të energjive kombëtare, si një lajmtar se sensi i kundërshtimit të brutalitetit qeveritar nuk ka vdekur.Prandaj ajo po përkrahet pothuaj nga të gjitha shtresat e  shoqrisë.

Po pse u desh kaq kohë që studentët të dilnin në sheshbetejë, kur ata ishin të provokuar që kur nisi e ashtuquajtura reforma arsimore? Mund të ketë shumë arsye, por disa nga më madhoret janë:

Keqqeverisja që coi në një varfërim  të tejskajshëm të më shumë se 95 përqind të popullatës përfshi dhe studentët.

Mos hapja e vendeve të reja të  punës dhe emigrimi i masës më të madhe të rinisë nga perspektiva e zymtë dhe vrasja e shpresës për të ardhmen.

Inkriminimi i të gjithë piramidës  së drejtimit, dhe mos funksionimi i organeve të drejtësisë duke e bërë krimin e pa ndëshkueshëm.

Uni  estravagant i Kryeministrit i shoqëruar me një brutalitet e arrogancë të paparë, tallje e baltosje pakufi e paarsye e kundërshtarëve e deri njerëzve të thjeshtë. Mashtrimi, mburrja e  përdorimi i batutave, shprehjeve banale, e deri veshjeve të papërshtatëshme për një kryetar qeverije.  Heqja e kompetencave  të ministrave , cveshja e personalitetit të tyre dhe marrja e vendimeve vetëm nga Rama në këmbë, pa  asnjë oponencë.

Mburrje se po bëjmë shtet me reforma të  thella e gjithpërfshirëse, por që në fakt rezultoi në një dështim total. Një nga këto reforma ishte ajo në arsim  e cila u këthye në një boomerang pas VKM-së për studentët.

Dhënia e parave , pronës , posteve publike  dhe PPP-ve si shpërblim vetëm 5-6 miqve, shokëve,e bashkpunëtorëve duke i këthyer ata në oligarkë dhe zotërues të 95 përqind  të të ardhurave  të vendit etj etj.

Kështu studentët me daljen  e tyre në protesta  dhe me deklarimet në media, nxorrën në shesh  shumë të palara brenda universiteteve  dhe një llum korrupsioni  që gulfon atje brenda.Bordet e administrimit  të tyre ,janë këthyer në vend punësimi të  autoriteteve të larta partiake në kundërshtim me ligjin, kanë shpërdoruar fonde, kanë përvetsuar për vehte shpërblime të pa drejta dhe e kanë cuar kërkimin shkencor në zero.

Ka pedagogë të nderuar, të ditur e shumë të respektuar që gëzojnë shumë respekt. Por ka edhe nga ata që kanë bërë plagjaturë në kërkimin e titujve akademik, që shesin librat e tyre të pavlerë me detyrim , që kërkojnë ryshfet nga studentët, për testet, detyrat dhe provimet dhe ndaj tyre nuk po merret asnjë formë vetingu për ti nxjerrë jashë universiteteve. Niveli i mësimdhënies vazhdon të bjerë poshtë e më poshtë, mungojnë klasat, sallat e studimit, bibliotekat, laboratoret, baza materiale mësimore e shkencore etj. Studentët kanë tarifa të larta e të pa përballueshme për studentët dhe familjet e tyre.

Studentët vërtetuan se shkollimi si një e drejtë kushtetuese po u mohohet  padrejtësisht atyre që nuk kanë mjete monetare të mjaftueshme. Kështu shumë prej tyre treguan se janë të detyruar të ndërpresin studimet një vit, të  punojne  me dy turne në punë të rënda,  për të vazhduar vitin tjetër  nga tarifat e larta në shkolla e konvikte.  

Nuk është ndërmarrë asnjë hap për  frenimin e  emigracionit  për disa specialitete që ka kërkesa tregu i BE-së si mjekë, infermjerë, arkitektë, elektronistë etj, ku nëpërmjet politikave sociale të frenohet si fenomen sepse pas dhjetë vitesh nuk do të kemi fare mjekë e as  infermjerë. Një nga format e mundëshme për këtë fenomen do të ishte shkollimi fals  por me kontratë paraprake për të punuar  detyrimisht për dhjetë vite në  Shqipëri.

Shopëria shqiptare në tërësi  dhe sistemi arsimor në vecanti kishin shumë  nevojë për këtë shkundje të madhe që ju dhanë protestat studentore. Kurse qeveria Rama është praktikisht e rrëzuar. Edhe në se ajo vazhdon të zvarritet më tej  me forma e metoda të ndryshe , do ti bëjë akoma më shumë dëm Shqipërisë . Kjo qeveri le të shikojë vetëm për një moment reagimin e Presidentit Francez Makron se si e tërhoqi përgjegjësinë mbi vehte, për të dëgjuar ate cfarë populli francez po kerkon. Mbi këtë bazë të reflektojë duke e parë vehten në pasqyrë dhe jo virtualisht si e ka në mendje. Edhe opozita ka cfarë të mësojë nga këto protesta shumë qytetare, por shumë domethënëse. Edhe biznesi i vogël, naftëtarët, minatorët, infermjerët, prodhuesit e vegjël  bujqësor e blegtoral po ashtu. Shpresojmë se protestat nuk do të shkërmoqen, nuk do të deformojnë drejtimin dhe do të prodhojnë produkt të ri politik e shoqëror. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat