Me Fat Kosovë Ushtria!

Opinione

Me Fat Kosovë Ushtria!

Haki Latifi Nga Haki Latifi Më 13 dhjetor 2018 Në ora: 10:06
FSK

Nesër, më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës do ta jetësojë synimin dhe amanetin e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e saj. Përfaqësuesit e popullit, duke e votuar ligjin për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, si vlerën më të çmueshme dhe më sublime e cila do ta mbrojë territorin dhe kufijtë e saj të shenjtë, plotësojnë arkitekturën e Mbrojtjës dhe të sigurisë në vend.

Nesër është Dita që na jep të drejtë të derdhim nga një grusht lotë nga malli e krenaria, pa u frikësuar se po zhburrërohemi!

Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, është momenti i duhur që me përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve dhe shtetëve mike të popullit shqiptar po bëhet realitet.

Është Dita e Madhe që historia i përcaktoi fatin e popullit tonë të madh, të qëndrojë krenar në anën e më të mëdhenjve, me Miq dhe Aleatë të globit, në krye me SHBA – të.

Është Dita e qasjes për forcimin e shtetit dhe të kombit tonë, me formimi e ushtrisë së Kosovës, e cila forcon partneritetin me SHBA dhe krahun jugor të NATO-s.

Image
Është Dita e Madhe që historia i përcaktoi fatin e popullit tonë të madh

Të gjithë po gëzohemi që shumica e subjekteve politike në Parlament janë të bashkuar dhe përkrahin formimi e ushtrisë së Republikës së Kosovës, e cila do të jetë pararojë e mbrojtjës nga rreziqet që mund të vijnë nga shtetet grabitqare, e sidomos nga Serbia. Ushtria e Republikës së Kosovës, do jetë garantuese e sigurisë qytetare të shtetit tonë, por edhe faktor për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkan. Do të jetë forcë profesionale dhe burim i stabilitetit rajonal, si dhe shtrirje e forcimit të gjeopolitikës euro-atlantike.

Nesër është Dita e vitit të përzgjedhur, si vit i Heroit tonë Kombëtar – Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që po bëhet kurorë me rastin e 550 vjetorit të ngritjes në përjetësi!

Pra, është Dita që na bënë nder neve dhe i bëri vend vetes në mesin e Ditëve më të Mëdha dhe më të Shenjta në historinë tonë kombëtare.

Ushtria e Republikës së Kosovës tanimë po bëhet realitet dhe bijat dhe bijtë e saj të cilët do ta veshin uniformën e bukur të saj e kanë për nderë, fat dhe krenari të jenë pjesë në të ardhmën si forcë legjitime e Aleancës ushtarake të NATO-s, e cila e ndihmoi çlirimin e saj duke e shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike dhe nga gjenocidi i regjimit kriminal i Serbisë që po e bënte në vitet 1998/99. Formimi i Ushtrisë së Kosovës, ishte dhe është një dëshirë e gjithë popullit tonë dhe brezave të tërë të tij, ishte një dëshirë dhe amanet i Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, Komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe shumë e shumë personaliteteve të shquara të kombit tonë, që jetuan, vepruan, u angazhuam dhe sakrifikuan për këtë dëshirë dhe ideal të shtetit tonë.

Ushtria e re e Kosovës, po ashtu, do jetë krenare me emrat dhe veprën e luftëtarëve dhe komandantëve të parë të saj, në krye me Adem Jasharin, Salih Çekaj, Zahir Pajazitin, Kolonel Ahmet Krasniqin, Agim Ramadanin, Ahmet Hoxhen, Kolonel Tahir Zemaj, Ukë Bytyqi, Luan Haradinajn, Ekrem Rexha, si dhe shumë heronj tjerë të cilët me gjakun dhe sakrificën e tyre, Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar ia kthyen krenarinë dhe dinjitetin e nëpërkëmbur me shekuj!

Formimi i ushtrisë duhet të vlerësohet si një shërbim i madh ndaj vendit dhe popullit të Kosovës në tërësi dhe ndaj Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës dhe në veçanti të artit ushtarak të saj.

Urime Kosovë, urime shqiptarë kudo që jeni për këtë vendim të rëndësishëm dhe historik që pritet nesër ta merr organi më i lartë - Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Zoti e bekoftë ushtrinë e Kosovës!

Zoti i bekoft Miqtë e popullit shqiptarë në krye me SHBA-në!

Lavdi të përjetshme dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për Atdheun!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat