Serbia diskriminon shqiptarët e Luginës, në mënyrë sistematike

Opinione

Serbia diskriminon shqiptarët e Luginës, në mënyrë sistematike

Nga: Nexhmedin Saqipi Më: 13 dhjetor 2018 Në ora: 14:19
Nexhmedin Saqipi

Pakicat kombëtare në një shtet, nuk duhen të merren e të trajtohen si një problem, që prodhon tensione ndëretnike, pasiguri dhe kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Serbia është shteti më shumetnik, në Ballkan dhe më gjerë. Ajo në vend se të krenohet me këtë pasuri multietike, nga e cila përfiton projekte kapitale nga bashkësia ndërkombëtare, përpiqet në forma të ndryshme t’i diskriminoj qytetarët jo serbë, të cilët nuk e ndjejnë vetën të qetë në një vend ku trajtohen si qytetarë të rendit të dytë, apo të tretë.

Shembull konkret në këtë drejtim e kemi Luginën e Preshevës, e cila më shumë se 16 vjet, angazhohet për një multietnicitet të mirëfilltë, parimor dhe respektiv, e nga ana tjetër mbetet rajoni më i prapambetur në jug të Serbisë.

Në kohën e zgjedhjeve lokale, të para demokratike të vitit 2002, shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, pas konflikteve të armatosura dhe angazhimit të faktorëve ndërkombëtarë e posaçërisht të OSBE-së, arritën të përfaqësohen në parlamente lokale dhe me një deputet në Kuvendin republikan.

Që atëherë OSBE-ja ishte kumbara e misionit të zbatimit të projekteve multietnike në pushtetin lokal, në polici dhe në riorganizimin e mediave multietnike.

Kaluan kaq vite e këto projekte multietnike ngelën në gjysmë të rrugës, madje duke u kthyer në pikën zero, po aty ku e kishin zanafillën. Këto projekte, për të cilat u harxhuan shumë para, mundi dhe angazhime, kanë një pushtet me kompetenca të reduktuara deri në ekstremitet, një polici me përfaqësim joadekuat në strukturat e saj komanduese dhe mediume të zhytura në terr informativ, ashtu siç i kishim në kohën e regjimit të Millosheviqit.

Republika e Serbisë, në të cilën jetojnë shqiptarët si etnitet në më shumë se 140 komuna, vazhdojnë të diskriminohen në mënyrë sistematike, duke mos u integruar në organet shtetërore, mosnjohja e diplomave të Kosovës, shlyerja nga evidenca e vendbanimeve të qytetarëve shqiptarë të këtyre komunave, vazhdimi i gjendjes militarizuese në rajon e presione të tjera, të cilat po e zbrazin në heshtje këtë rajon të populluar me shumicë shqiptare.

Duke i marrë parasysh këto presione të natyrës politike dhe ekonomike të Beogradit ndaj pakicës shqiptare në Serbi, të mbushet mendja se shqiptarët në këtë republikë, nuk janë të barabartë me qytetarët tjerë serbë e joserbë, duke u llogaritë si qytetarë të vendit të dytë, apo të tretë!

Prandaj, opsioni për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili sot nga disa qarqe po merret me frikë e skepticizëm, është pikërisht një nismë e qëlluar për ta liruar Serbinë nga mentalitete e mbrapshta që ka ndaj pakicave kombëtare, e posaçërisht ndaj shqiptarëve, të cilët më shumë se çdo pakicë tjetër ndjehet e rrezikuar dhe pa shpresa për të ardhmen e saj politike dhe ekonomike.

Me korrigjimin e kufijve politikë e shtetërorë, nuk do të thotë se do të favorizohen ato mbi vija etnike, fundi i të cilave nuk dihet, por të zbutet kuptimi i dikurshëm i kufijve klasikë, të cilët i sillnin shqiptarëve problem në qarkullim e integrim a në anën tjetër krijonin jo stabilitet në ndërtimin e paqes, tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërfqinjësore.

Këto dukuri negative po vërehen edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kohëve të fundit, kanë filluar të mendojnë për tejkalimin e këtyre diskriminimeve mbi baza etnike, duke ofruar opsione të pranueshme për tejkalimin e tyre, në favor të një zgjidhjeve të drejtë e të qëndrueshme për shqiptarët e serbët, si dy nga kombe më të mëdha e më të fuqishme në Ballkan.

Në këtë drejtim edhe Brukseli, vendi i proceseve dialoguese mes shqiptarëve dhe serbëve, po i bënë të gjitha përgatitjet e duhura për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve shekullore Prishtinë-Beograd, duke mos harruar as Luginën e Preshevës, si një nyje kyç, për tejkalimin e këtyre barrierave, me të cilat nuk na do Europa e as bota e qytetëruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat