Serbisë i duhet imponuar çmilitarizimi dhe shpërbërja e ushtrisë së saj

Opinione

Serbisë i duhet imponuar çmilitarizimi dhe shpërbërja e ushtrisë së saj

Nga: Mujë Bucpapaj Më: 15 dhjetor 2018 Në ora: 10:54
Mujë Bucpapaj

Ministria e Jashtme e Rusisë në një deklaratë të lëshuar të premtën , tha: “paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, duhet të marrin masa të menjëhershme për të çmilitarizuar dhe shpërbërë çdo formacion të armatosur kosovarë-shqiptarë.”

Paralajmërimi i vendosur i kryeminsitrit të Kosovës Ramush Haradinaj për të votuar më 14 dhjetor një paketë ligjesh që lejonin krijimin e ushtrisë së Kosovës, u bë realitet.

Me shumicë votash, parlamenti i Kosovës i hapi rrugë procesit ligjor të formimit të  ushtrisë së saj, duke i dhënë një kthesë të rëndësishme rolit të Kosovës për ruajtjen e paqes  dhe sigurisë në vend dhe rajon.

Menjëherë pas votimit, ambasada  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  nëpërmjet një njoftimi bëri të ditur  se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës ripohojnë mbështetjen e tyre për tranzicionin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë me mandat mbrojtës territorial, siç është e drejta sovrane e Kosovës.”

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i dhanë mbështetje votimit të 14 dhjetorit,  sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, shprehu keqardhjen për votimin e sotëm në parlamentin e Kosovës “me gjithë shqetësimet e shprehura nga NATO-ja.”

Franca i është bashkuar menjëherë qëndrimit Amerikan dhe atij Britanik lidhur me ushtrinë e Kosovës.

Ambasada e Francës në Kosovë, nëpërmjet një njoftimi  bëri të ditur  se Franca njeh miratimin e ligjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa kërkoi që të rifillonte dialogu me Serbinë.
 Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini ndërsa deklaroi se do të mbante atë qëndrim që  është duke mbajtur NATO, njoftoi nëpërmjet zëdhënses së saj se do të organizojë një takim joformal me liderët e Ballkanit Perendimor gjatë javës së ardhshme në Bruksel.

Sic u muar vesh,  në takimin e 19 dhjetorit, do të diskutohet për situatën në rajon, arritjet gjatë vitit 2018 si dhe planet për vitin e ardhshëm, ka njoftuar Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian

Si gjithmonë kur bëhët fjalë për Kosovën ka cuditur Rusia

me qëndrimin e saj të njëanshëm dhe mizor, tek i ka kërkuar  NATO-s për të  “çmilitarizuar dhe shpërbërë çdo formacion të armatosur kosovarë-shqiptarë.”

Ministria e Jashtme e Rusisë ka investuar dhe investon për forcimin e ushtrisë së Serbisë e cila  ka damkën dhe përgjegjësinë e agresionit  dhe përgjakjes të të gjithë popujve fqinj me të  gjatë këtyre tre dekadave të fundit, përfshirë edhe shqiptarët,  ndërsa  kërkon që Kosova, e kërcënuar cdo ditë nga ushtria serbe të mos ketë mundësi të mbrohet nga kërcënimet ruso-serbe. Një llogjike cinike, primitive dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të shteteve sovrane për të mbajtur ushtrinë e vet.

2.Paralajmërimi  këmbëngulës i zotit Haradinaj për themelimin e ushtrisë së Kosovës pati ngjallur një fushatë lajmesh të rreme si dhe një sëri reagimesh provokuese serbo-ruse.

Në mënyrë të përseritur Beogradi,  i përforcuar këto ditë edhe nga Moska, pati vënë alarimin e rrëmë se themelimi i ushtrisë së Kosovës   mund të “destabilizojë, apo kërcënojë paqën në rajon.”

Ata nuk kanë sjellë asnjë  argument për hamendjen e tyre, ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq pati fantazuar duke deklaruar se ushtria e Kosovës mund të cojë në “spastrimin  e minoritetit serb në Kosovë.”

Pak pas votimit në Kosovë  me një ton më të zbutur dhe diplomatik Brnabiq i komentoi zhvillimet e 14 dhjetorit në parlamentin e Kosovës  duke deklaruar se vendi i saj do t’i përmbahej një roli paqësor në rajon. Sic tha ajo: “Ne do të kemi porosi tjera, porosi të së ardhmes, bashkëpunimit, porosi për zhvillim dhe për dicka që sjell të ardhme. Ne nuk duhet të flasim për pushkë dhe ushtri, por për shkolla dhe dukim, të mos flasim për armiqësi, por për bashkëpunim”.

Retorikën alarmuese të  aleatëve të Beorgadit, e pati zhvlerësuar Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tek pati deklaruar gjatë një interviste në RTK se vendimi për krijimin e ushtrisë së Kosovës ishte vëndim legjitim i një vendi Sovran si Kosova.

SHBA-të, si vend që mban në masën më të madhe buxhetin e NATO-s, dhe shpenzon miliarda dollarë për ruajtjen e paqes në Ballkan dhe Europë, si gjithnjë duket jo thjeshtë në anën e shqiptarëve, por në anën e drejtë të ruajtjës së stabilitetit aftagjatë në rajon.

Qëndrimi amerikan dhe ai përëndimor po mban larg kërcënimin serb dhe rus nga Kosova.

3.Megjithatë, sic u njoftua nga mediat, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, është zhvendosur në afërsi të kufirit me Kosovën për të ndjekur siç thuhet, zhvillimet në Kosovë. Ndërsa ushtria e Serbisë është vendosur në gjendje gatishmërie.

Mbas krijimit të Ushtrisë së Kosovës, më 14 dhjetor, Serbia kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara .

Lajmi është konfirmuar nga ministri i jashtëm serb Ivica Dacic. Ndërkohë shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën, Marko Gjuric, e ka quajtur “forcë pushtuese ushtrinë e Kosovës dhe ka bërë thirrje që serbët të mos bëhen pjesë e saj.”

Në të njëjtat valë me Sërbinë ka qënë edhe aleatja e saj Rusia.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka dënuar lëvizjet për formimin e Ushtrisë së Kosovës, dhe përmes një deklarate thotë se “ajo duhet të shpërbëhet.”

Në këtë deklaratë të lëshuar të premtën  mbrëma, thuhet se “paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë, duhet të marrin masa të menjëhershme për të, siç thuhet aty, çmilitarizuar dhe shpërbërë çdo formacion të armatosur kosovarë-shqiptarë.”

4.Është ligësi t’i kërkosh  sot Kosovës të mos mbajë ushtrinë e saj për të ruajtur paqen dhe sigurinë  në vënd dhe të bëhesh palë me spekulimin e Serbisë “për kërcënimet” që mund të vijnë nga ushtria e Kosovës”, kur historia e largët dhe e afërt flet për të kundërtën.Pak a shumë po ndodh si në përrallen e la Fontenit  të ujkut dhe qengjit.

Në fakt ajo që duhet të reduktojë, çmilitarizojë dhe shpërbëjë çdo formacion të armatosur të ushtrisë së  saj, duhet të jetë Serbia. Është për të ardhur keq që në “Marrëveshjen e Kumanovës”  të 9-10 qeshorit 1999 mes NATO-s dhe Serbisë, nuk u sanksionua çmilitarizimi dhe shpërbërja e ushtrisë së serbisë, por kjo gje mund te arrihet tani.

Kjo ushtri e cila ka mbartur të pandryshuar strukturat kriminale të Milloshevicit  dhe gjithë kuadrin e saj drejtues, i ka sjellë shumë tragjedi, luftra dhe spastrime etnike popujve jo serbë në ish-Jogosllavi gjatë viteve 1991-1999 dhe  duhet të çmilitarizohet dhe shpërbëhet. Kosova dhe Shqipëria duhet ta kërkojnë zyrtarisht këtë gjë në Këshillin e Sigurimit në OKB.

Ushtria e Serbisë është një kërcënim  jo vetëm për Kosovën dhe rajonin,  por edhe për NATO-n dhe përendimin në tërësi.

Ushtria serbe  është aleate e shpallur e Moskës dhe Rusisë.

Baza e NISH-it është një bazë e përbashkët serbo-ruse e drejtuar së pari kundër sovranitetit të Kosovës dhe pranisë së NATO-s dhe SHBA-ve  aty.

 Është mjerane, biles qesharake të akuzosh një ushtri të sapokrijuar, sic është ushtria e Kosovës,  se ka për qellim të kryje spastrim etnik ndaj serbëve, ndërkohë që është ushtria serbe  ajo që ka gjakosur dhe agresuar Sllovninë, Kroacinë, Bosnjen dhe vecanarisht Kosovën, duke lënë pas miliona të deportuar, të vrarë, të  masakruar, të zhdukur pa gjurmë dhe të traumatizuar nga dhuna e ushtrave serbë si dhe mijera gra e vajza te dhunuara.

Nga deklarat thuajse të përjavshme  të presidentit serb dalin vetëm kërcënime ndaj një shteti sovran si Kosova, si  dhe paralajmërime se “ushtria serbe mund të pushtojë Kosovën”, duke paralajmëruar një tjetër luftë në rajon.

Presidenti serb Vucic, si zëdhnës i Milloshevicit, jo vetëm që nuk  ka kërkuar kurrë falje për genocidin që shteti i tij ka kryer ndaj shqiptarëve, ndërsa u pa kohë më parë të lavdronte kasapin e Ballkanit, duke e mburrur atë si “hero serb.” Kjo pati sjelle edhe reagimin e BE-se.

5.Ndërkombëtarët dhe aleatët e shqiptarëve që cliruan Kosovën nga pushtuesit serbë, prej vitit 1999 duhet të kishin kërkuar jo vetëm thjeshtë mbajtjen larg të ushtrisë serbe nga kufiri më Kosovën, por edhe reduktimin e kapaciteve njerëzore dhe teknike të ushtrisë serbe, pra çmilitarizimin dhe shpërbërjen e saj në mënyrë që kjo ushtri të mos kishte potencialet për të kërcënuar edhe më tej fqinjët, sic po bën edhe tani.

Një vendi që ka sulmuar të gjithë fqinjët e tij, që kërcënon cdo ditë se mund të hyjë në Kosovë dhe përpiqet të mbajë të kërcënuar jo vetëm sigurinë e Kosovës, por edhe vetë demokracinë e brendshme, duhet detyruar që të zvoglojë potencialin ushtarak.

Të paktën kështu ka ndodhur pas luftës së Dytë Botërore me Gjermaninë e cila pagoi një cmimin për luftrat që i solli Europës dhe botës gjatë sundimit të nazizmit, duke reduktuar forcat e sigurisë.

 Sic e dimë këtij vendi mik të shqiptarëve, i është dashur që pas mbarimit të luftës së ftohtë,  të bëjë ndryshime kushtetuese për të lejuar shtimin e prezëncën e saj në forcat paqëruajtse ndërkombëtare.

Me Serbinë kjo praktikë nuk është aplikuar, biles për paradoks e kemi parë të jetë e  përkëdhelura e Bashkimit Europian në Ballkanin perëndimor, duke i reduktuar te gjitha etapat per anetaresim ne Union.

 Është jo realiste dhe ditëshkrutësi t’i kërkosh Kosovës të mos ketë ushtrinë e saj dhe kjo për shumë arsye që i dimë të gjithë:

Së pari Kosova është një vend sovran, legjtim.

Së dyti Kosova është një vend që ka fituar lirinë pas një pushtimi gati shekullor, jo nga ndonjë agresor që kishte ardhur nga fundi i botës, por nga një fqinj si Serbia që e kërcënon në mënyrë të përseritur dhe cdo ditë.

Së treti, Kosova duhët të marrë përgjegjësitë e saj si shtet sovran për ruajtjen e paqës dhe sigurisë jo vetëm në vend, por edhe në rajon dhe në botë, me një ushtri  aleate të SHBA-ve, NATO-s dhe përendimit që do të jetë e aftë të dekurajojë cdo plan për kërcënimin e lirisë dhe sovranitetit së saj.

Së katërti të gjithë duhet ta  dimë se NATO dhe  SHBA-të, nuk do të jenë për jetë në Kosovë dhe rajon dhe për këtë shkak, gradualisht ushtria e Kosovës duhet të forcohet, pajiset mirë dhe trajnohet për të luajtur rolin e saj kushtetues përkrah ushtrisë së Shqipërisë për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

Së pesti, duke qënë ushtri e një vendi demokratik, dhe  patur për bërthamë UCK-në, Kosova mund t’i japë NATO-s dhe SHBA-ve,  mijëra ushtarë, të rinj, të fortë, të guximshëm, të trajnuar dhe  të motivuar për të shërbyer atje ku kanë nevojë NATO dhe SHBA-të, për vendosjen e paqes në botë.

 Së gjashti, si Shqipëria ashtu edhe Kosova, kanë qënë dhe janë faktorë paqeje dhe stabiliteti në rajon. As në Tiranë dhe as në Prishtinë nuk ka asnjë plaformë që do të nxiste ushtrinë e Kosovës ndaj fqinjëve, përkundrazi si në të kaluarën edhe gjatë këtyre viteve në liri të Kosovës dhe ekzistencës së Forcave të Sigurisë së saj, nuk kemi asnjë deshmi për sjellje apo politikë kundër fqinjëve.

UCK-ja, sido që në pozita të vështira dhe në një luftë të pabarabartë me ushtrinë e Milloshevicit, gjatë luftës së viteve 1998-1999, respketoi me korrektesë ligjet e luftës, ndërsa ushtria serbe asnjëherë nuk i respektoi këto ligje,  duke u përfshirë në krime, masakra  dhe genocid kundër civileve të paarmatosur dhe pambrojtur, kryesisht ndaj grave, femijëve dhe pleqve.

Ushtria e Kosovës si vazhduese e UCK-së, e kësaj ushtrie legjendare edhe sot premton paq dhe siguri.

Krejt ndryshe ndodh me Serbinë e cila nuk lë rast pa kërcënuar Kosovën, duke bërë cdo përpjekje për ta destabilizuar atë, rrënuar institucionet e saj dhe demokracinë, si dhe bllokuar integrimin e saj në forumet ndërkomëbtare. Mbajtja nën kontroll prej Serbisë e  rajonit në veri të lumit Ibër, e listës serbe dhe enklavave të brendësi të vendit, duhet ndaluar dhe ndëshkuar.

Kosova dhe Shqipëria, ndërsa duhet t’u jenë mirënjohës SHBA-ve  dhe miqve të saj perëndimorë, për mbeshtetjen e fortë, duhet të kordinojnë me ta cdo hap për ngritjen e një ushtrie profesioniste dhe të mirëtrajnuar, për të realizuar objektivat e saj të paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.

Kosova dhe Shqipëria, me ndihmen e SHBA dhe aleatëve të tjerë, duhet të bëjnë lobing pranë vendeve anëtare të NATO-s,  të cilat  kanë shprehur skepticizëm ndaj ngritjes së ushtrisë së Kosovës,  duke  dëshmuar  qellimet paqësore të  kësaj ushtrie si një  garanci  për paqen, demokracinë dhe stabilitetetin e rajonit, sot dhe në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat