Ushtria e Kosovës shterron ëndrrat serbiane

Opinione

Ushtria e Kosovës shterron ëndrrat serbiane

Nga: Azgan Haklaj Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 18:25
Azgan Haklaj

E drejta e çdo populli për të patur ushtrinë e tij dhe për t’u mbrojtur nga agresorët është e drejtë hyjnore dhe e panegociueshme e çdo populli. E kjo në rastin e Kosovës është dyfish legjitime dhe e domosdoshme për të mbrojtur lirinë dhe popullin e saj.

Ky popull në shekuj është kërcenuar nga shfarosja, dëbimi nga trojet e veta amtare, kolonizimi e asimilimi i dhunshëm nga hordhitë e Azisë dhe falangat e përgjakshme serbo-sllave.

Sot është një moment historik për Kosovën e mbarë Kombin Shqiptar.

Ditëlindja e Ushtrisë së Kosovës, ushtrisë më të re në botë, e pagëzuar nga aleati ynë i madh Amerika, nga fuqitë europiane: Gjermania, Franca dhe Anglia, nga gjaku i bijëve të saj trima, të cilët si kalorësit e vjetër dardan e ata të Gjergj Kastriotit u hodhën si shqiponjat në zjarrin e betejave për liri dhe e dhanë jetën për të.

Gjeneralët që i komanduan në shekuj djemtë trima të Kosovës, mbretërit dardan, Milloshi i Drenicës e Lekë Dukagjini, Sylejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Sef Kosharja e deri tek UÇK- ja e lavdishme e emblemat e saj, Jasharajt dhe Haradinajt, i ndanë fishekët e fundit në betejë me bashkëluftëtarët e tyre, sipas kodit të lashtë të nderit të rrënjosur prej shekujsh në genin e luftëtarëve të lirisë.

Nga sot Kosova, Kombi ynë dhe Ballkani, do të jenë më të lirë, sepse ekuilibri i forcës është i garantuar tashmë në gadishullin tonë, i cili jo për faj të shqiptarëve u ba shesh betejash, masakrash, jo vetëm në Mesjetë, por dhe në dy luftërat e fundit botërore dhe në vitet ‘90-të, pas aktit të shpërbërjes së Jugosllavisë Titiste.

Mungesa e shtetit dhe e një ushtrie të armatosur e të stervitur ka qenë thembra e Akilit për shqiptarët në epokën e nacionalizmit të egër ballkanas të shekujve 19-20-të.

Një popull i paarmatosur u vu prej 150 vjetësh në grykën e topave, mitralozëve dhe tankeve, në majat e bajonetave, duke mos kursyer as fëmijët në bark të nanës. Fqinjët tanë barbarë, të armatosur deri në dhëmbë kanë vrarë e masakruar, shpërngulur me dhunë, burgosur e internuar gati gjysmën e popullsisë autoktone shqiptare të Kosovës, Nishit, Sanxhakut, Shkupit, Manastirit, Çamërisë e Malit të Zi.

Në historinë e Europës nuk ka ndodhur kurrë që ndaj një populli të hartohen projekte shfarosëse, kolonializuese e asimiluese, siç ishin "Megalidhea" greke dhe "Neçertania" serbe. Shpërnguljet me dhunë e masive të shqiptarëve nga trojet e veta etnike kanë filluar qysh në vitet 70-të të shekullit të 19-të, duke kulmuar me dëbimet masive drejt Turqisë në Marrëveshjen serbo-sllave-turke të vitit 1938, shpërnguljet e Çamëve të vitit 1945, Projekti Tito-Rankoviç i vitit 1952, Marrveshja Jugosllavo-Turko- Greke e shkurtit 1953 e quajtur Pakti Ballkanik, i cili u finalizua me shpërnguljet e mbi 400.000 shqiptarëve në vitet 1953-1968. Në vend të tyre u sollën 63.000 kolonë sllavë. Në këto vite janë debuar me dhunë mijëra shqiptarë të Malit të Zi nga Hoti, Gruda, Plavë-Gucia, Vuthaj, Ulqini, Tivari, Trieshi, Kraja.

Historia u përserit si në Luftën e Parë Ballkanike, ku patën përdorur një makineri kolosale lufte dhe plot 270.000 ushtarë serbë që Kosova e lirisë dhe e kuvendeve të medha, Kosova e Kryengritjes së Përgjithshme që u finalizua me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, të pushtohej nga barbarët sllavë.

Të njëjtën gjë u përpoq të bënte “kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviçi: të shperngulte me dhunë krejt Shqiptarët nga Kosova.

Sot Kosova ka Ushtrinë e saj.

Historia na ka mësuar se një popull që e ka bërë lirinë idealin më të lartë të ekzistencës së tij kur është i armatosur, është i pamposhtur në rrugën e tij historike e në vet’ ardhmërinë e tij.

Askush tjetër, përveç barbarëve, çetnikëve e falangave të përgjakshme të etura për gjak e zaptim territoresh të huaja nuk e ka frikë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Shqiptarët kanë dhanë prova të qarta gjatë historisë së tyre e madje edhe në kulmin e fuqisë ushtarake se nuk janë treguar agresorë ndaj fqinjëve të tyre. E kundërta ka ndodhur ndaj nesh.

Sot në trojet iliro-dardano-arbërore janë vendosur kryeqytetet e Maqedonisë e Malit të Zi. Kjo, jo për faktin se shqiptarët nuk ishin trima e patriot, por për shkak të forcës së armëve, të intrigave të Fuqive të Mëdha e të barbarizmave të agresorëve gjakatarë. Jepu armën në dorë shqiptarëve e nxirri në mejdan përballë bajlozëve të tokës dhe detit, ata bëhen të gjithë  Gjergj Elez Alija. Armatose një vajzë apo grua arbërore e ajo do të kujtojë në betejë Amazomat, Teutën Ilire, Mamica Kastriotin, Norën e Kelmendit e Shote Galicën.

E drejta zakonore shqiptare dhe kodi ynë i nderit e ndalon rreptësisht jo vetëm pushtimin e territoreve të huaja, por dhe vrasjen e burrave të paarmatosur, grave, fëmijëve e pleqëve.

Për ta mbrojtur lirinë e Atdheun nuk mjafton trimëria dhe dashuria për të, apo fakti se je me i madh, apo më i vogël në numër se agresori. Në radhë të parë duhet të jesh i armatosur deri në dhëmbë dhe i gatshëm për të ndarë fatet e Atdheut tënd në fushën e mejdanit.

Shumë historianëve u duket e habitshme, e pabesueshme, por faktet vërtetojnë që mongolët pushtuan Kinën; Aleksandri i Madh Europën, Persinë, Egjiptin, Indinë e Babiloninë me ushtrinë iliro-trake. Aztekët e Hindusit përzunë pushkët e topat e pushtuesve spanjollë. Suedia e vogël mundi Rusinë. Ka mbetur e skalitur në memorien historike qendresa për mbrojtjen e Trojës, apo Kartagjenës. Beteja e Spartanëve të Leonidhës përballë ushtrive të Kserksit. Beteja me hordhitë turke për mbrojtjen e Konstandinopojës, e cila zgjati 53 ditë derisa rá më 29 maj 1453. Aktet heroike të luftëtarëve të Konstadinopojës udhëhiqeshin nga ky flamur që kanë shqiptarët sot.

Sikur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) të zotëronte mjetet e Aleksandrit të Madh apo të Jul Qezarit do të dëbonte përgjithmonë Turqit nga Europa dhe do të ndryshonte krejt rrjedhën e historisë. Kështu është shprehur ish studenti i "Sarbonës" së Francës, profesori e patrioti i madh Abaz Ermenji në veprën e tij: "Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë".

Sot bijtë e Gjergj Kastriotit e kanë ushtrinë e tyre dhe Atdheu i thërret nën armë.

Sot ëndrrat serbe janë shterruar përgjithmonë. Endrrat e Car Llazarit, Stefan Dushanit, të Çubriolloviçëve, Rankoviçit, Sheshelit e Aleksander Vuçiçit u shuan përjetësisht.

Atyre që janë skeptikë për aftësitë luftarake e forcën ushtarake të Kosovës dua t’iu kujtoj se shqiptarët e armatosur shndërrohen në gladiatorë në betejë dhe janë të pamposhtur. 600- 700 kalorës të Maltës në shekullin e 16-të e mbajtën fortesën e tyre për 13 muaj përballë 40.000 forcave turke dhe i detyruan të zmbrapseshin.

Nëse agresorët e nesërm do të guxojnë ta provojnë forcën e Ushtrisë së Kosovës, fati i tyre nuk do të jetë më i mirë se ai i Koalicionit Egjiptiano-Arab i vitit 1967 kundër Izraelit.

Ushtria e Kosovës kërkon pregatitje të lartë, disiplinë e sakrifica të mëdha, por është mënyra e vetme për të mbrojtur kështjellen e pamposhtur.

I madhi Xhorxh Washington kur luftonte kundër ushtrive separatiste të Jugut në Amerikë ndërtoi në katër vjet një rrjet prej mijëra kilometrash rrugësh e hekurudhash për zhvendosjen e shpejtë të ushtrisë e mjeteve të saj logjistike, i cili është faktor vendimtar për fitoren.

Ushtria e Kosovës, së shpejti, do të ketë arsenalin e saj, artilerinë e rëndë, tanke e autoblinda, helikopterë e avionë luftarakë. Rruga e Kombit është arteria kryesore ku do të operojë Ushtria e Kosovës në rast nevoje.  Sigurisht kërkohen edhe rrugë të reja strategjike e aero-portuale.

Shqipëria si shtet nuk guxon të shmanget nga detyrimet e saj.
Qeveritë shqiptare të sotme e të nesërme duhet të vënë në dispozicion të gjitha asetet kombëtare, ushtarake e bazat e veta logjistike për Ushtrinë e Kosovës, që të garantojë një mbrojtje të përbashkët dhe të pathyeshme, e cila do të legjitimonte të drejtën historike hyjnore të shqiptarëve: "Një Komb, Një Ushtri".

Kombi Shqiptar, pas betejash të përgjakshme për Liri e Pavarësi, është rreshtuar para Botës në kahun e drejtë të historisë. Ai është aleat i NATO-s, i SHBA-së dhe i Europës Perëndimore. Është aty ku e ka vendin e rrenjët e veta historike e kulturore. Aty ku e ka vendosur kryetrimi i historisë sonë: "Gjergj Kastrioti-Moisiu Ynë".

Lavdi, bekim e të ardhme të ndritur Kosovës e Ushtrisë së saj, krijuar në Vitin Jubilar të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut). Gëzuar Ushtri e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat