Protestat - 28 vite më vonë dhe studentët

Opinione

Protestat - 28 vite më vonë dhe studentët

Nga: Pirro Prifti Më: 17 dhjetor 2018 Në ora: 08:28
Pirro Prifti

U nisën në dhjetor 1990, 28 vite më parë protestat  e famshme të rinisë studentore të cilat ashtu të pafajshme dhe të sinqerta siç ishin, realizuan ëndrën gjysëm shekullore të ndryshimit të sistemit dictatorial në një sistem demokratik me Parrullën e famshme `E duam Shqipërinë si gjithë Europa`. Dhe ashtu ndodhi, qeveria e Ramiz Alisë pranoi në parim ndryshimin por nën rrogoz futi në Protestën studentore Servilët dhe intelektualët e blerë dhe të nxirosur të cilët për shumë vite më rradhë ndihmuan rregjimin të mbijetonte.

Kush ishin këta intelektualë të fryrë e të reklamuar nga PPSH sot i dimë, madje dimë edhe të kaluarën e tyre në shërbim të Rregjimit. Vetëm pak intelektualë nuk pranuan shërbimin e mëvonshëm që ata duhej të realizonin për të patur nën kontroll kalimin nga një Sistem Diktatorial në sistemin Demkratik Perendimor. Këta numuroheshin me gishta dhe ishin Prof. Petrit Gaçe, Prof.Ylli Popa, dhe disa të tjerë , por këtu nuk u përfshinë ata qindra dhe mijra intelektualë dhe punonjës të mëndjes të cilët nuk ishin në Tiranë dhe nuk përbënin të ashtuquajturën `Elitë` intelektuale e cila ishte e gjitha nën kontrollin e PPSH , atë Elitë e cila u manipulua lehtësisht nga Ramiz Alia në shtator të `90, atë Elite e cila u vu në Drejtim të Partive të reja të krijuara menjëherë pas rrëzimit të Rregjimit diktatorial, elitë e cila së bashku me servilët e saj, me djemtë e saj, me pazarexhinjtë e saj drejtoi dhe po drejton për 28 vite rresht vëndin.

 Interesant është Metamorfoza e këtyre liderëve të miratuar nga ish djallëzori Ramiz Alia që i la dopio gjashtën Shqipërisë me këta që i ngjanë  gjysmë-zotit Proteus me djallëzitë e tyre të mëvonshme.

Metamorfoza e këtyre liderve dhe pasuesve të tyre në Protestat e viteve `90 kur u përmbys sistemi dittatorial komunist me kalimin e viteve është as më pak e as më shumë një ndryshim qoftë në fizionimi e cila është natural për shkak të plakjes por edhe në moralin etikën dhe psikologjinë e tyre. Këta individë i ngjajnë  plotësisht   gjysmë Zotit  të deteve, lumenjve  të  Mitologjisë, me emrin  Proteus (ose Poroteus sipas Linearit B), i cili ndryshonte formën dhe pamjen  duke u shndruar në fokë, gjarpër, luan, leopard, gjarpër apo derr.

Dy Ngjashmëri njëra nga ato të turpshme, dhe tjetra  shpresëdhënëse, ndodhën në të dy këto protesta madhore të Studentëve të Universiteteve Publike në Shqipëri:

-Gjëndja e mjerueshme e Konvikteve të viteve `90 i u shtuan edhe Mitmarrësit dhe xhambazët e administratës së konvikteve gjatë këtyre viteve të demokracisë deri më sot 28 vite më pas;

- Mos përfshirja e Politikanëve në momentet e para të Protestave sin ë dhjetorin e `90 ashtu dhe në dhjetorin e 2018

Pra, ashtu nisi: me Protestën e Stuendëteve të Dhjetorit për përmirësimin e Kushteve në Konviktet e Qytetit Studenti dhe me Kërkesën e heqjes së Emrit të diktatorit Enver Hoxha nga Emri i Universitetit të Tiranës.

Pa dyshim që pas përfshirjes së politikanëve të rinj të hedhur nga PPSH atëhere  në vitet `90-91 nuk u pa ndonjë gëzim i madh në popullin shqiptar, sepse sigurisht intuita popullore vuri re dhe ndjeu se këta politikanë të rinj në fakt ishin ujqërit dhe çakenjtë e PPSH të veshur me pardesytë e bardha me të cilat paraqiteshin si delet e Perëndisë  së Demokraciësë Perëndimore…..

Sot 28 vite më pas ulqërit dhe çakenjtë e para 28 viteve vijnë përsëri rrotull së bashku me bijtë dhe miqtë e tyre rreth studentëve të pas 28 viteve demokraci në tranzicion dhe gjërat kanë ndryshuar shumë pak për studentët, por kanë ndryshuar rreth 8 herë Ligji i Arsimit të Lartë, janë ndryshuar 9 herë Ministrat e Arsimit së bashku me Stafin e tyre, janë ndryshuar nja 12 herë administrata e qytetit studenti në Tiranë, u hapën me dhjetra Universitete private në kuadrin e idesë paranojake dhe mafioze të ujqërve të vjetër për të shtuar numrin e studentëve në Universitete në mënyrë që të ulnin artificialisht papunësinë tek të rinjtë, xhvatën me miliona lekë nga familjet e studentëve të cilët u futën në këto universitete private të mbira si kërpudhat pas shiut me një numur rreth 56 universitete aq sa ka SHBA sot, u harxhuan miliona euro nga buxheti i shtetit dhe u përvehtësuan me miliona euro nga pronarët privatë dhe mafiozët shtetërorë,  morën me mijra Studentë Diplomat, shumë nga ato fiktive, sepse nuk bëhej mësim cilësor në ato universitete, u bënë me qindra Doktorë Shkencash e Profesorë të associuar, madje dhe Profesorë, pikërisht sepse nëpërmjet marrjes së titulli rritet disi rroga e pedagogëve të varfër, tituj dhe grada shkencore të cilat gjithsesi nuk arrijnë që rroga e Pedagogëve të Universiteteve të jetë dinjitoze.

Në përfundim  Ligji i Ri i Arsimit të Lartë i miratuar në 2015, megjithë përparësitë, përsëri ka nevojë për amendime pikërisht për arësye se Autonomia e Universiteteve Publike duket  jo efektive përballë konkurimit diabolik të Universiteteve private të mbetura, por edhe sepse për shkak të pa-aftësisë së stafit të Ministrisë së Arsimit, Udhëzimet mbeten difektoze, Këshilltarët militantë keq drejtojnë Ministren, dhe Opozitarë dhe Opozitë që fërkon duart duke parë se fajet dhe përgjegjësitë e saj po rëndojnë mbi qeverisjen e sotme e cila mezi po përballon budallallëqet e gabimeve të saj.

Sot 28 vite pas Protestës së Parë të  Studentëve, në këtë Protestë të dytë masive të tyre, gjëndja  e Arsimit të Lartë mbetet për tu riparë sepse megjithë Protestën e pastër, madhështore të studentëve për përmirësim të kushteve në konvikte, ulje tarifash , kartën e Studentit, -  Ujqërit dhe çakenjtë e politikës që janë shkaktarët e problemve të mëdha në arsimin e lartë si për pagat e ulta të pedagogëve, Udhëzimet skandaloze nga Drejtoria e Arsimit ët Lartë,  Korrupsionin , mitmarrjen dhe  marrjen me pa të drejtë të titujve shkencore dhe plagjiaturave, uljen e cilësisë së mësimdhënies, mos ndarjen e saktë e Fakulteteve nga Shkollat e Larta Profesionale, po i shkaktojnë kokëçarje të mëdha qeverisjes së sotme e cila gjëndet përballë një morie Problemesh që diheshin por që u desh Protesta e Studentëve që të hapin sytë drejtuesit e Arsimit të Lartë.

Rrugëdalje ka, dhe disa orientime dhe këshillime ne, si pedagogë të vjetër do  u a japim qeveritarëve, por problem mbetet përsëri Korrupsioni politik i cili pengon që ligji i Arsimit të Lartë të bëhet efficient dhe të ndihmojë qoftë studentët qoftë Pedagogët.

Reforma duhet të vazhdojë me amendimin e disa neneve të Ligjit, me vendosjen me ligj që këshilltarët e Ministrave të jenë Profesionistë e mbi 20 vite punë, dhe jo militantë e mitingashë, që të mbyllen përsëri pjesa më e madhe e Universiteteve Private, sepse fakti që studentët e tyre nuk morën pjesë në Protestë tregon pikërisht difektin dhe mangësitë e Arsimit të lartë Privat: cilësia e dobët e studentëve, Diploma e tyre është e paguar dhe e fituar edhe pa mësuar, Universitetet Private janë pa Kampus përkatës, pra automatikisht nuk duhet të egzistojnë.

Ka dhe plot problem të tjera, por kjo Protestë e Dytë e Studentëve jo vetëm që është një shuplakë e fortë kundër  qeverisë por  edhe një kujtesë për opozitarët që po përpiqen ta manipulojnë, sepse refuzimi i studentëve që Opozita të marrë pjesë në Protestë, tregon se Studentët nuk e kanë harruar katastrofën që i shkaktoi Opozita vëndit me hapjen pa kriter të universiteteve private dhe dëmin e madh që shkaktoi në fiktivetitin dhe uljen e cilësisë së mësimdhënies në Shkollat e Larta, humbjet e mëdha financiare  të familjeve shqiptare që dërguan këta student në këto kioska të larta.

Shpresojmë që Qeveria Aktuale të mbledhë vehten  të kapë kohën (carpem diem) dhe të reagojë sinkron me kërkesat e Studentëve të cilat kanë të drejtë në Protestën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat