Fijasko e rëndë diplomatike e Serbisë në KS të OKB-së?!

Opinione

Fijasko e rëndë diplomatike e Serbisë në KS të OKB-së?!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 06:39
Seanca e KS të OKB-së

Seanca e mbrëmshme e KS të OKB-së e thirrur me urgjencë nga vetë presidenti i Serbisë A. Vuçiç, para tri ditëve, rezultoi ashtu siç edhe e meriton regjimi hegjemonist i Serbisë, me një fiasko të rënd diplomatike, sepse ishin shumë të pakta vendet të cilat e përkrahën ankesën e Serbisë të cilën ia kishte drejtuar përmes notës zyrtare të shtunën e kaluar këtij organi më të lartë të OKB-së, siç është Këshillit të Sigurimit.

Pra Serbia kishte kërkuar që me urgjencë të shqyrtohet vendimi i Prishtinës zyrtare për vënien e taksës doganore prej 100% për mallrat e Serbisë që hyjnë në Kosovë si dhe vendimi për miratimin e tre ligjeve nga Kuvendi i Kosovës për shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës!

Vetë fjala e Vuçiçit që e mbajti aty ishte një vetë akuzë ndaj qëndrimeve agresive të tij personalisht si dhe të qeverisë së Serbisë ndaj shtetit të pavarur të Kosovës, ngase të gjitha ato akte dhe nene juridike mbi të cilat ai e mbështeti fjalimin e tij, fund e krye të paqëndrueshme, se gjoja vendimi i Prishtinës zyrtare për formimin e ushtrisë na paskësh qenë në kundërshtim edhe me vetë Kushtetutën e Kosovës si dhe me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së për Kosovë, që dolën të ishin vetëm një bllof i tejdukshëm i tij, sepse përveç përfaqësuesit të Rusisë, Etiopisë, Perus, Gambisë dhe një vendi të vogël afrikan, miq të Serbisë, të gjithë përfaqësuesit tjerë që morën pjesë në diskutim si ai i Anglisë, Francës, Holandës, Suedisë, SHBA-ve, etj., i dhanë përkrahje të plotë vendimit të Kuvendit të Kosovës për ta themeluar ushtrinë e vetë si çdo vend tjetër sovran dhe i pavarur.

Ajo që na ra në sy, ishte fjalimi i përfaqësuesit të Kinës i cili nuk e tha asnjë fjalë mohuese ndaj të drejtës së Kosovës për ta themeluar ushtrinë e vetë, qasje kjo e re e Kinës e cila siç duket në disa nyansa e kishte ndryshuar kursin negativ që e ka pasur deri tash ndaj statusit të Kosovës.

Fjalimi i sontëm i Hashim Thaçit në këtë seancë, për çudi, ishte një befasi e llojit të vetë, kur dihet se për çfarë dialogu me Serbinë është angazhuar ai në 6 muajt e fundit, siç ishte korrigjimi i kufijve dhe ndërrimi i territoreve me Serbinë. Por, e veçanta në reagimin e Hashimit ndaj fjalimit të Vuçiçit, ishte leximi i tekstit të cilin ia ofroi ambasadorja jonë në SHBA, znj. Vlora Çitaku, ku ai për herë të parë foli, gjegjësisht i lexoi faktet kryesore mbi gjenocidin serb në Kosovë gjatë luftës së fundit; numrin e civilëve të vrarë mbi 13.000, grave të dhunuara mbi 20.000, varrezave masive mbi 400, të mijëra të zhdukurve si dhe dëmeve materiale të shkaktuara nga ushtria dhe paramilitarët e Serbisë, fakte të cilat është dashur t’i prezantohen KS të OKB-së sa herë që ka pasur debat për Kosovën, gjë të cilën H. Thaçi dhe përfaqësuesit tjerë të Kosovës nuk e kanë bërë asnjëherë dhe në asnjë tubim apo forum ndërkombëtar, hiç takimet me karakter humanitar..!?

Nuk ka asnjë dyshim, se seanca e djeshme e KS të OKB-së ishte në favor të plotë të Kosovës, ashtu siç ishte një fiasko e rënd për Serbinë në ballafaqim me faktet dhe ngjarjet politike në raportet Kosovë-Serbi, për çka duhet falënderuar publikisht dhe qetësisht miqtë tanë amerikanë, anglezë, gjermanë dhe francezë, të cilët edhe njëherë ia bën të qartë Beogradit zyrtar, se pavarësia e Kosovës si dhe themelimi i ushtrisë së saj janë të pakthyeshme dhe të pa negociueshme..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat