Në panairin e punës në Pejë ofrohen mbi 600 vende të punës

Peja

Në panairin e punës në Pejë ofrohen mbi 600 vende të punës

Më: 8 prill 2019 Në ora: 17:08
Foto ilustrim

Peja ka qenë sot nikoqire e Panairit të Punës, ku për qytetarët e kësaj komune janë ofruar mbi 600 vende të punës.

Panairi është organizuar me qëllimin për të krijuar një hapësirë bashkëpunimi mes bizneseve që operojnë në këtë komunë dhe atyre që janë të kualifikuar për të përftuar një vend pune.

Sot 44 biznese të kësaj komune kanë ofruar punë për të rinjtë.

Arbër Jashari, këshilltar për masat aktive të tregut të punës në GIZ, ka thënë se panairi është duke shkuar shumë mirë dhe se kanë pasur një numër të konsiderueshëm të punëkërkuesve që e kanë vizituar panairin.

Jashari: Kanë qenë rreth 600 vende të punës

"44 kompani, e kemi kaluar si shifër deri në 400 persona që veç kanë ardhur në panair, jemi duke regjistruar ende, jemi duke pritur ende. Vende të punës kanë qenë rreth 600, poshtë lartë nuk e dimë konkret, por ato mbetet me i pa në fund kur t' bëjmë analizat dhe statistikat", tha ai.

Ai bëri të ditur se panairi i radhës do të jetë në Mitrovicë.

Nga Agjencina e Punësimit të Republikës së Kosovës, Fatma Drenica, ka thënë se përveç të rinjve që kanë aplikuar për punë, edhe bizneset kanë shprehur interesim për të përfituar nga programet e trajnimit që i kanë ofruar.

Drenica: Ka qenë një numër i madh i të papunëve

"Panairi ka shkuar sot shumë mirë, ka qenë një numër i madh i të papunëve. Shumë kompani kanë ardhur janë regjistruar duke dashur të përfitojnë prej skemës që e kemi të financuar nga GIZ. Shpresojmë që në të ardhmen të zvogëlohet numri i të papunëve, kështu përmes projekteve të paktën të papunët të kryejnë ndonjë praktikë apo trajnim përmes kompanive që na janë ofruar", u shpreh ajo.

Kurse, Shpend Boqolli, trajner për saldim në Qendrën për aftësim profesional në Pejë, ka thënë se sot ka pasur një interesim të pakët për praktikat që i ofrojnë.

Boqolli: Për mënyrën e saldimit nuk ka interesim sa duhet

"Ka qenë një interesim jo aq i kënaqshëm, por ka pasur. Arsyeja mendoj se ky aparat ose kjo mënyrë e trajnimit deri më tash nuk ka qenë në Kosovë dhe është mënyrë e re e saldimit, që është në mënyrë virtuale. Nuk e kanë pa asnjëherë dhe tash veç kanë filluar me pa, me u angazhua pak më tepër në këtë drejtim", tha ai.

Panairi i Punës është organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Komunën e Pejës dhe Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat