Zyrtarët e Pejës në gusht dalin para gjykatës, Muhaxheri ende s’ka marr masa ndaj tyre

Peja

Zyrtarët e Pejës në gusht dalin para gjykatës, Muhaxheri ende s’ka marr masa ndaj tyre

Më: 21 qershor 2019 Në ora: 18:11
Muhaxheri ende s’ka marr masa ndaj tyre

Më 27 gusht të këtij viti, është caktuar seanca fillestare ndaj katër zyrtarëve komunalë të Pejës, ndaj të cilëve para pak ditësh është ngritur aktakuzë, me të cilën ngarkohen për vepra penale të korrupsionit.

Shefi i kabinetit të kryetarit të Pejës, Durim Sheremeti, tre zyrtarë të tjerë komunalë, Gëzim Lajqi, Gëzim Shala, Ruzhdi Zhara, akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ndërsa Ilir Kelmendi, akuzohet për mashtrim.

Për t’u përballur me këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë, tashmë ka caktuar seancën fillestare ndaj tyre.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, zëdhënësja e kësaj gjykate, Tringa Zhuti.

“Seanca fillestare në çështjen penale ndaj të pandehurve Durim Sheremeti etj, është caktuar të mbahet më 27 gusht 2019, ora 10:00, në ndonjërën nga sallat e gjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë”, thuhet në përgjigjën e Zhutit.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka deklaruar se ende nuk ka marr asnjë vendim lidhur me zyrtarët e akuzuar për korrupsion.

Pavarësisht se shefi i kabinetit të tij, Durim Sheremeti, ka ofruar dorëheqjen e tij pas ngritjes së aktakuzës, për një gjë të tillë, ende nuk ka vendosur kreu i Pejës, Muhaxheri.

Në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Muhaxheri ka thënë se nuk mund të merr asnjë veprim në këtë drejtim, pasi që për ngritjen e aktakuzës ende nuk është njoftuar zyrtarisht as nga Prokuroria, e as nga Gjykata e Pejës.

“Unë me shkrim të gazetave smuj me marr vendime. Si ta marr vendimin zyrtarisht se osht i obligum Prokuroria mem informu edhe mu si Kryetar Komune sa i di rregullat, atëherë do të marr masa”, ka thënë Gazmend Muhaxheri.

Sipas Muhaxherit, tani i akuzuari Sheremeti e ka ofruar dorëheqjen e tij, para katër javësh, por ka shtuar se nuk ka mundur të vendos as lidhur me këtë.

“Po është e dorëzuar para katër jave, nuk kam vendos hala pa e marrë vendimin zyrtarisht e liroj prej detyrës siç parasheh ligji për mi marr masat”, ka thënë Muhaxheri.

Durim Sheremeti  akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës se në pozitën e shefit të kabinetit të Kryetarit të Komunës, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare duke i mundësuar një pronari të biznesit dobi në shumë mbi nëntë mijë euro.

Sipas aktakuzës së ngritur më 30 maj 2019, Sheremeti akuzohet se ka nënshkruar raportin për pranimin e mallit, lidhur me tender të prokurimit për blerjen e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Brestovik në Pejë, në vlerë prej 11 mijë e 929.41 euro, pa pasur mandate dhe kompetencë për të nënshkruar.

Në aktakuzë thuhet se ai kishte nënshkruar pranimin e mallit në emër të Organit Mbikëqyrës –menaxherit të projektit Faik Zekaj, pa pasur kompetencë për këtë edhe pse me vendim të Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, menaxher i projektit për tenderin e lartcekur ishte Faik Zekaj, kurse Sheremeti nënshkruan në emër të Faik Zekaj, pa pasur mandate dhe vendim për këtë.

Sipas aktakuzës, menaxheri i projektit për tender Faik Zekaj, kishte refuzuar të nënshkruajë këtë pranim, pasi ai kishte qenë në dijeni se makina e barit që është sjellë nga operatori ekonomik nuk është sipas projektit të kërkesës, parametrave dhe specifikave të përcaktuara në tender.

Aktakuza përshkruan se makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik, ishte në vlerë prej dy mijë euro dhe me këtë veprim është dëmtuar buxheti i Komunës për shumën prej 9 mijë e 929.41 euro, duke i mundësuar përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit Ilir Kelmendi, shumën prej 9 mijë 929.41 euro.

Dispozitivi i dytë i aktakuzës i ngarkon zyrtarët komunalë Gëzim Lajqi, Ruzhdi Zhara dhe Gëzim Shala, se me 19 shtator 2017, si zyrtarë komunalë në Komunën e Pejës, në cilësinë e anëtarëve të komisionit për pranimin e mallit, lidhur me tenderin për makinën e barit, me dashje nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, ata pa pasur një vendim në formë të shkruar se janë caktuar anëtarë të komisionit për pranimin e mallit lidhur me tenderin “Kontratë, Blerja e Makinës për Mirëmbajtje të Barit Artificial për Qendrën Sportive Brestovik” dhe të njëjtit nuk kishin kontrolluar fare nëse malli (furnizimi) i pranuar i plotësonte kushtet e specifikuara në kontratë dhe atë pa prezencën e menaxherit të projektit Faik Zekaj dhe pa prezencën e operatorit fitues, nënshkruajnë pranimin e mallit të makinës.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nënshkruajnë pranimin e mallit edhe pse kanë qenë në dijeni se ata duhet të bëjnë verifikimin nëse makina e barit e sjellë nga operatori ekonomik i plotësonte kushtet në kontratë dhe në vlerë monetare, me ç’rast i shkaktojnë dëm Komunës se Pejës, 9 mijë e 929.41 euro, kurse përfitimin biznesmenit Ilir Kelmendi, në shumë prej 9 mijë 929.41 euro.

Kurse, i pandehuri Ilir Kelmendi, akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë se ka kryer veprën penale të mashtrimit ashtu që si pronar  firmës “Green Construcion-Shpk”, duke  paraqitur fakte të rreme të me qëllim të përfitimit të përfitmit të kundërligjshëm të dobisë pasurore prej 9 mijë e 929 euro.

Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri Kelmendi kishte fituar tenderin nga Komuna e Pejës, ai nuk i përmbahet kushteve të tenderit ku në shënimin e Komunës së Pejës është paraparë vendi i origjinës së makinës të jetë Turqia dhe firma e makinës së barit të jetë prodhuese e “Uçegen Firça”, ashtu që ai nuk e ka sjellë makinën sipas kontratës së firmës “Uçegen Firça”, por të firmës “Alpina”, e cila sipas aktakuzës, makina e barit e sjellë nga i pandehuri ishte me çmim të tregut prej dy mijë euro dhe nuk ka ofruar as dorëzuar dëshmi për blerjen e makinës dhe me këtë veprim i ka shkaktuar dëm Komunës së Pejës, prej 9 mijë e 929.41 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat