Rritet besueshmëria e qytetarëve të Pejës në policinë dhe punën e saj

Peja

Rritet besueshmëria e qytetarëve të Pejës në policinë dhe punën e saj

Më: 26 dhjetor 2019 Në ora: 12:38
Organizata Syri i Vizionit

Organizata Syri i Vizionit, si institucion i pavarur dhe joqeveritar, ka realizuar një hulumtim me qytetarët e komunës së Pejës lidhur me kënaqshmërinë dhe besueshmërinë që ata kanë në Policinë e Kosovës (PK) në komunën e tyre.

Lidhur me këtë, sot është publikuar raporti për “Kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve në Policinë e Kosovës”.

Raporti vë në pah pikëpamjet e qytetarëve për bashkëpunimin, besueshmërinë, punën dhe angazhimin e policisë, shqetësimet të cilat ata kanë për dukuritë më të cilat policia ballafaqohet, janë ballafaquar vetë apo komuniteti i tyre në lagje dhe fshatra, si dhe njohuritë që ata kanë për policinë e lagjes.

Qytetarët e vlerësojnë sjelljen e policisë në raport me ta si shumë të mirë. Këtë e kanë pohuar mbi 70% e të intervistuarve, ndërsa 30% prej tyre sjelljet e policisë i kanë cilësuar si deri diku të mira.

Qytetarët e komunës e Pejës vlerësojnë se Policia është njëra ndër institucionet me të besueshme, duke lënë kështu pas gjykatën dhe prokurorinë dhe institucionet tjera të drejtësisë e sigurisë. Kjo është deklaruar nga 76% e qytetarëve të përfshirë në hulumtim. 

Për më tepër, ata kanë vlerësuar se në krahasim me vitin e kaluar, për 20% janë zvogëluar shqetësimet e tyre dhe veprat kriminale, deri sa 62% e qytetarëve mendojnë se shqetësimi i tyre për sigurinë në bashkësinë/lagjen ku jetojnë mbetet i njëjtë si vitin e kaluar.

Sipas tyre, këtë vit angazhimi i policisë ka qenë dukshëm më i mirë në parandalimin dhe luftimin e dukurive të ndryshme, duke shënuar një rritje prej 21% më shumë se sa vitin e kaluar, ndërsa 46% thonë se deri diku është bërë kjo gjë, që lë të kuptojë se policia ka qenë shumë më aktive në këtë drejtim.

Ajo që i shqetëson me shumë qytetarët në komunën e Pejës, mbetet rreziku nga qentë endacakë. Ky është vlerësuar si rreziku më i madh për ta, ndjekur nga lëvizja e shpejtë e automjeteve, vjedhjet, përderisa në numër shumë të vogël janë theksuar edhe sulmet fizike e përdorimi i substancave narkotike.

Rritje të besueshmërisë së qytetarëve ka pasur edhe në gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me policinë.

Këtë besueshmëri e kanë deklaruar 31% e respondentëve,  kurse 45% thonë se deri diku ndihen të sigurt.

Pjesa dërmuese e qytetarëve kanë vlerësuar se policia i trajton njëjtë të gjitha rastet pa dallime etnike e gjinore. Kjo është pohuar nga mbi 50% të qytetarëve, mirëpo nga një përqindje e vogël është thënë edhe që ka anime në aspektin e trajtimit të rasteve, si në aspektin etnik e po ashtu edhe gjinor.

Me këtë rast janë dhënë edhe rekomandimet për thjeshtimin e procedurave të denoncimit të rasteve dhe të sigurohet ruajtja e konfidencialitetit, pasi që disa prej qytetarëve kanë treguar se pasi kanë bërë denoncime në polici kanë pasur probleme me “palën” e denoncuar, pasi nuk është ruajtur konfidencialiteti i tyre dhe kjo rrezikon uljen e besimit në policinë.

Gjithashtu, policia duhet t’i përgjigjet me kohë daljes në terren kjo kur kërkohet nga qytetarët për rastet e raportuara, pasi që vonesat në reagim kanë zbehur besimin në polici nga ana e qytetarëve dhe ka tendencë që kjo të ndikojë edhe në uljen e bashkëpunimit të qytetarëve me policinë.

Ndër rekomandimet tjera janë që të ketë patrulla me të shpeshta të policisë në të gjitha lokalitetet, specifikisht në lagjen “7 Shtatori” dhe në fshatrat e lugut të Tërstenikut, policia duhet të krijojë mekanizma monitorues për të parë nëse rastet trajtohen sipas procedurave dhe standardeve ligjore, duke eliminuar prioritizimin e rasteve në bazë të ndikimeve dhe njohjeve familjare, atyre politike, përkatësisë etnike apo gjendjes ekonomiko-sociale.

Policia duhet rrisë më shumë informimin ndaj qytetarëve lidhur me punën dhe angazhimin e tyre në parandalimin, reagimin dhe trajtimin e rasteve të ndryshme që ndodhin në komunën e Pejës.

Ndër mënyrat e informimit mund të jenë organizimi i ditëve të hapura me qytetarë, apo takimet publike së paku dy herë në vit nga një dëgjim publik, nëse lejojnë procedurat e komunikimit.

Policia duhet zhvillojë fushatë informuese lidhur më të drejtën e qytetarëve për të ushtruar ankesë ndaj sjelljeve të zyrtarëve policorë të cilët “dyshohen” se kanë shkelur etikën e tyre profesionale gjatë reagimit ose trajtimit të rastit, apo gjatë reagimit ndaj thirrjes së qytetarëve.

Hulumtimi për kënaqshmërinë dhe besueshmërinë e qytetarëve në Policinë e Kosovës është realizuar në Komunën e Pejës gjatë muajit dhjetor 2019. Janë realizuar 1.223 intervista me qytetarë, 56% prej tyre në qytet dhe 44% në fshatra, prej të cilave 53% janë meshkuj dhe 47% janë femra.

Nga këta të intervistuar 39% janë të moshës 26-40 vjeçare, 29% janë të moshës 41-60 vjeçare, derisa 24% janë të moshës 18-24 vjeçare. Nga të anketuarit, 73% janë të komunitetit shqiptar, 13% boshnjak, 8% të komunitetit rom, egjiptian dhe ashkali dhe 5% janë të komunitetit serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat