Furrtari nga Peja: Zakonisht i harxhoj 250 kg miell në ditë, tani më duhen 400

Peja

Furrtari nga Peja: Zakonisht i harxhoj 250 kg miell në ditë, tani më duhen 400

Më: 18 mars 2020 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Virusi Covid-19, me të cilin po përballet Kosova ka shkaktuar panik te qytetarët e vendit. Ata po furnizohen me të madhe me artikuj ushqimorë, pasi nuk dihet edhe sa do të zgjasë gjendja e izolimit në të cilën është momentalisht vendi ynë. Produkti më i kërkuar nga qytetarët duket se është mielli. Ndërkohë, ata që lëndë të parë për prodhim e kanë miellin janë furrtarët. Një i tillë nga Peja, ka thënë se rrezikohet që të mbyllen furrat, në mungesë të miellit, por këtë po e hedh poshtë i pari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Radhë të gjata të qytetarëve të cilët po presin për të blerë thasë me miell, po shihen në tërë territorin e Kosovës.

Virusi Covid-19, i cili deri më tani ka prekur 19 persona në vendin tonë, ka bërë që qytetarët të furnizohen me shumicë me artikuj ushqimorë.

Qeveria e Kosovës ka urdhëruar qytetarët që të izolohen nëpër shtëpitë e tyre, pasi vetëm kështu mund të parandalohet përhapja e koronavirusit.

Shumica prej tyre, po dalin vetëm për t’u furnizuar me artikuj ushqimorë.

Ani pse janë mbyllur përkohësisht shumica e bizneseve, ka nga ato që punojnë në shërbim të qytetarëve.

Të tilla janë furrat në vend, të cilat prodhojnë bukë e ushqime të tjera, e që si lëndë të parë prodhimi kanë miellin.

Një furrtar nga Peja, ka thënë se janë në rezervat e fundit të miellit. Sipas tij, furrat në Pejë edhe mund të mbyllen, pasi nuk kanë miell të mjaftueshëm.

“Kryetari na tha ma bini listën sa miell e harxhoni, na tha që na furnizojnë. Por pa e pa nuk po besojmë. Kemi shku nëër fabrika, kemi qëndru deri në 3 orë por s’ka pasë miell.  Në një ditë normale harxhojmë deri në 250 kg, por tash është rritë kërkesa nga qytetarët, rreth 400 kg miell në ditë ditë na shkojnë. Unë ju kam thënë atyre që i furnizoj se nuk ka bukë prej nesër, për shkak të mungesës së miellit. Nëse vazhdon kështu, ne duhet me i mbyllë furrat”, ka thënë J.Q për Express.

Mirëpo, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë, se do të bëhet furnizimi me miell dhe se nuk ka nevojë për shqetësim e panik.

“Sot i kam takuar, kam kërkuar prej tyre që të bëjnë llogaritë sa miell ju duhet në baza ditore. Kemi kontsktuar fabrikën e miellit M&Sillosi që t’i furnizojë. Furrtarët i kanë shumfishuar kërkesat, por nuk mund të bëhet furnizim më i madh se aq sa ju duhet në baza ditore, ashtu si kanë punuar edhe deri më tani. Sasi të miellit për t’i furnizuar ka, por paniku që të krijohen rezerva të mëdha po shkakton problem edhe tek prodhuesit”, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka shtuar se gjendja është stabile edhe sa i përket QKMF-ve në Pejë.

“Janë në kontkt me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik, po marrin furnizime. Nuk ka asgjë jashta normales”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka bërë të ditur se në vendin tonë aktualisht janë 19 raste të konfirmuara me Covid-19.

7 raste janë nga fshati Stubëll e Epërme e Vitisë, 4 raste nga Malisheva, dy raste nga Gjakova, një rast nga komuna e Klinës, një nga Prizreni, një nga Podujeva, Prishtina e Obliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat