Rasti i 80-vjeçarit nga Istogu me COVID 19, izolohen familja dhe taksisti që e çoi në spital

Peja

Rasti i 80-vjeçarit nga Istogu me COVID 19, izolohen familja dhe taksisti që e çoi në spital

Më: 16 prill 2020 Në ora: 14:53
Peja

Një person nga fshati Studenicë i Istogut ka rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus mbrëmjen e së mërkurës. Drejtori i Shëndetësisë në Istog, Mujë Osmanaj, ka dhënë detaje për mediat vendore lidhur me këtë rast

Është konfirmuar personi i dytë me koronavirus nga komuna e Istogut.

Një 39-vjeçare nga fshati Lluga i Istogut ishte personi i parë që u konfirmua me COVID-19. Por ajo u bë edhe viktima e tetë e koronavirusit, pasi vdiq në QKUK ku edhe ishte duke u trajtuar.

E mbrëmjen e së mërkurës Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, ka publikuar rezultatet e testimeve të 173 mostrave, nga ku 36 dolën pozitive.

Në mesin e tyre edhe një banor i fshatit Studenicë të Istogut.

Mirëpo, 80-vjeçari nga Studenica nuk kishte shkuar për t’u testuar nga QKMF-ja e Istogut, por nga Peja.

Drejtori i Shëndetësisë së Istogut, Mujë Osmanaj, ka dhënë më shumë detaje për këtë rast.

“Është rast që nuk ka qenë në QKMF në Istog, ka pasur problem me mushkëri, ka qenë në pacient kronik. Ai ka shkuar për kontroll në Pejë, prej atje e kanë dërguar për testime për koronavirus pasi kanë dyshuar se është i prekur sepse ka pasur simptoma”, ka thënë Osmanaj.

Osmanaj ka theksuar se janë gjurmuar kontaktet e 80-vjeçarit nga Studenica, dhe tashmë do të testohen familjarët e tij të cilët po qëndrojnë të izoluar.

“Është izoluar familja e tij dhe një taksist që ka udhëtuar me të. Instituti po i kryen punët tutje dhe do t;i testojnë. Do të testohen familja e të prekurit me koronavirus dhe taksisti”, ka theksuar Osmanaj.

Osmanaj tha se masat e Qeverisë për lëvizje të qytetarëve po respektohen nga istogasit.

Ai po ashtu tha se Qendrat e Mjekësisë Familjare janë të furnizuara me materiale shpenzuese.

Osmanaj deklaroi se ka pasur kërkesa të mëdha nga qytetarët për t’u pajisur me leje për nevoja të ndryshme.

“Janë dhënë leje për nevoja të ndryshme për bujqësi e të tjera. Këto leje po i lëshojnë drejtoritë përkatëse si dhe Shtabi Emergjent i komunës”, tha Osmanaj.

 Ndërkohë, numri i personave të prekur me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 423. Tashmë janë shëruar 71 persona, ndërsa numri i personave të vdekur sot ka shkuar në 10.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës vazhdimisht po bën apel që qytetarët t’i repsketojmë rekomandimet dhe të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat