Në Pejë, dyfishohen rastet e dhunës në familje

Peja

Në Pejë, dyfishohen rastet e dhunës në familje

Më: 30 prill 2020 Në ora: 16:37
Pejë

Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 nuk po kalon as në komunën e Pejës pa lënë gjurmë negative në raportet brenda familjeve, sidomos mes bashkëshortëve.

Kjo situatë ka ndikuar sipas policisë edhe në rritjen e rasteve të dhunës në familje gjatë kësaj periudhe që nga shpallja e gjendjes emergjente në vend.

“Për muajt mars e prill, si muajt në pandemi, krahasuar me dy muajt e njëjtë të vitit të kaluar, kemi pothuajse për 100 për qind shtim të rasteve të dhunës në familje që janë raportuar. Në mars dhe prill të vitit të kaluar i kemi pasur 14 raste të dhunës në familje në komunën e Pejës, kurse këta dy muaj të njëjtë tash në kohë pandemie i kemi 27 raste të dhunës në familje”, tha komandanti i Stacionit Policor në Pejë, majori Ndue Nikolla, gjatë takimit të rregullt të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.

Rritjen e dhunës në familje e konfirmoi edhe Ardita Bala, drejtoreshë e Qendrës për Mirëqenie të Gruas në Pejë, ku strehohen gratë dhe fëmijët e grave viktima të dhunës në këtë rajon. Disa gra që gjatë kësaj kohe të pandemisë kanë përjetuar dhunë në familje, janë strehuar në këtë qendër në Pejë, që njihet si shtëpia e sigurt.

“Krahasuar me vitin e kaluar, në këta muaj të vitit ka më shumë raste të dhunës në familje. 19 gra për katër muaj i kemi strehuar në qendrën tonë. Por shpresojmë që ky numër të mos rritet. Por edhe nëse rritet kemi kapacitete të mjaftueshme me i mbulu nevojat e rasteve tjera nëse paraqiten”, tha Bala.

E nëse ndodh kjo, ato gra e fëmijë nuk do të strehohen menjëherë në këtë qendër apo qendrat tjera të strehimit të viktimave të dhunës në familje. Bala tregoi se Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë kanë vendosur që të mos i rrezikojnë gratë që janë të strehuara tashmë.

“Kanë vendosur që gratë së pari të vendosën në njërin prej konvikteve të studentëve në Prishtinë ku i kanë krijuar të gjitha kushtet për gratë viktima të dhunës në këtë periudhë të pandemisë. Aty do të strehohen një herë për dy javë dhe pasi t’u bëhet testi për virusin dhe dalin që janë negativë, mund të strehohen nëpër strehimoret përkatëse”, tha Bala.

Kjo procedurë tash sipas saj është duke u bërë më qëllim që të mbrohen nga infektimet e mundshme gratë dhe fëmijët që janë të strehuar në shtëpinë e sigurt në Pejë, por edhe në strehimoret tjera për gra viktima të dhunës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat