60 mjekë e infermierë të Spitalit të Pejës nuk janë përfshirë në pakon emergjente

Peja

60 mjekë e infermierë të Spitalit të Pejës nuk janë përfshirë në pakon emergjente

Më: 16 maj 2020 Në ora: 21:05
Ilustrim

Jashtë listës për përfitim nga pakoja emergjente e Qeverisë kanë mbetur edhe mjekë e infermierë.

Kjo ka ndodhur në Pejë, ku në listën e përpiluar nga Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, për përfitim nga pakoja emergjente e ndarë nga Qeveria, si sigurimi shtesë prej 300 eurosh mbi vlerën e pagës, kanë mbetur pa u përfshirë rreth 60 punonjës të këtij spitali.

Në mesin e atyre që kanë mbetur jashtë këtyre listave është edhe komplet stafi i Repartit të Dermatologjisë, nga i cili vetëm kryeinfermierja figuron në atë listë..

Doktoresha Arbresha Ajdini-Nallbani i ka thënë KOHËS përmes telefonit se ajo muajin e kaluar ka qenë për dy javë në vetizolim, ndërsa Drejtoria e Spitalit, siç tha ajo, ia ka mbyllur gojën asaj me arsyetimin se stafi i këtij reparti nuk ka punuar çdo ditë.

“E kam potencuar për vete pasi s’po më takojka mua, bile këto të katërtat me i marrë. Të bëhem unë sherr, pasi jam unë shefe e repartit, mos t’i bie që ata mos me marrë. Bile dikush me marrë”, ka thënë ajo.

Në Drejtorinë e Spitalit kanë pranuar se stafi i Repartit të Lëkurës dhe mbi 50 punonjës të tjerë mjekësorë e teknikë nuk janë përfshirë në atë listë, me arsyetimin se në fazën e përpilimit të listave ata nuk i kanë plotësuar kriteret e vendosura me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kushti i parë ka qenë puna në terren, dhe e dyta ekspozimi i drejtpërdrejtë ndaj rrezikut të infektimit për shkak të punës së bërë. Stafi i cili nuk i përmbush këto kushte: punëtorët administrativë, stafi i liruar nga puna, stafi në pushim dhe kategoritë e ngjashme”, ka thënë drejtori Skënder Dreshaj.

Mirëpo, ai nuk e përjashton mundësinë e gabimeve të bëra gjatë përpilimit të listave përfituese pasi, sipas tij, kanë pasur diku vetëm 5 apo 6 orë kohë për t’i vlerësuar kriteret dhe për t’i përpiluar listat.

“Në rastin kur të publikohen listat atëherë çdo ankesë që ekziston një gabim na referohen dhe patjetër që secila ankesë që ka bazë dhe është përvjedhur patjetër që përmirësohet dhe dërgohet për pagesë retro”, ka shtuar ai.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, janë mbi 760 punonjës të spitaleve rajonale dhe mbi 740 punonjës në QKUK, të cilët nuk janë përfshirë në listat e përfitimit të pagesës prej 300 eurosh për rrezikshmërinë në kohë pandemie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat