Loci: Vetëm dy raste nga Peja me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive

Peja

Loci: Vetëm dy raste nga Peja me COVID-19 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive

Më: 19 qershor 2020 Në ora: 17:48
Petrit Loci

Numri i të infektuarve me COVID-19 në Komunën e Pejës ditëve të fundit është rritur.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës, Petrit Loci tha se janë të shqetësuar për numrin shumë të lartë të vatrave në krahasim me valën e parë të përhapjes së coronavirusit.

“Më parë kishim numër më të madh të infektuarve por vatrat ishin më të pakta dhe kjo për ne paraqet një sfidë të re pasi tani përhapja më e madhe dhe më e shpejtë në zona urbane është e mundshme”, tha ai.

Loci ka thënë se dy persona nga kjo komunë janë të shtrirë në Klinikën Infektive dhe kanë kaluar një periudhë të vështirë me COVID-19.

“Momentalisht janë në gjendje stabile dhe duke u rikuperuar. Dashtë Zoti së shpejti të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ta vazhdojnë vetizolimin e të shërohen”.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Pejës thotë se gjithë pacientët tjera nga kjo komunë janë në trajtim shtëpiak dhe disa prej tyre kanë simptoma sporadike por pjesa dërmuese kanë gjendje të mirë shëndetësore.

Loci thotë se gjatë ditëve të fundit është bërë një punë intensive në testimin e kontakteve të dyshuara.

Në Pejë numri i rasteve aktive me coronavirus ka shkuar në 44, raste këto që janë shënuar nga 1 qershori pasi më parë të gjitha rastet ishin shëruar.

Numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 në Pejë ka shkuar në 118 derisa dy prej tyre kanë ndërruar jetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat