Shkelje të shumta ligjore, Peja e lë një pjesë të buxhetit në gjykata

Peja

Shkelje të shumta ligjore, Peja e lë një pjesë të buxhetit në gjykata

Më: 25 korrik 2020 Në ora: 23:08
Foto ilustrim

Komuna e Pejës ka paguar qindra mijëra euro në emër të shpenzimeve shtesë si pasojë e pagesave përmes vendimeve gjyqësore-përmbarimore.

Për shkak të shkeljeve të shumta ligjore, Komuna e Pejës është detyruar që të bëjë pagesat të detyrueshme të vendimeve  gjyqësore. Ato pagesa jo vetëm që kanë ndikuar në shpenzimin e buxhetit të destinuar për qëllime tjera, por kanë vënë në rrezik implementimin e projekteve apo arritjen e objektivave komunale të parashikuara me buxhetin e këtij viti.

Kjo ka rezultuar edhe me kosto shtesë buxhetore si rezultat i ngarkesave në emër të kamatave, shërbimeve gjyqësore dhe të përmbarimit.

Zyra e Kombëtare e Auditorit ka publikuar Raportin për pasqyrat financiare të vitit 2019 të Komunës së Pejës. Auditori ka theksuar se në vitin 2019 janë realizuar pagesa bazuar në vendimet gjyqësore në vlerë prej 862,899 euro.

“Ne kemi testuar pesë pagesa në vlerë 684,723 euro ku borxhi kryesor ishte 537,721 euro dhe kemi gjetur se këto pagesa janë përcjell me shpenzime shtesë prej 147,002 euro”, thuhet ën raportin e auditorit.

Auditori ka renditur pesë testimet e të gjeturave: Pagesa me vendim gjyqësor në shumën prej 492,047 euro, (borxhi kryesor 392,515 euro, kamata 85,957 euro dhe shpenzime të tjera gjyqësore 13,574 euro). Komuna kishte kontestuar pagesën me arsyetimin se obligimi i ngarkuar është krijuar pas skadimit të periudhës kontraktuar;

Pagesa me vendim gjyqësor P.nr.185/17 në shumën prej 134,463 euro, në emër të kompensimit të palujtshmërisë (shpronësimit). Borxhi kryesor ishte 102,300 euro, kamata 24,289 euro dhe shpenzimet tjera 7,875 euro.

Po sipas të gjeturave të auditorit, pagesa në shumë 35,206 euro sipas vendimit të gjykatës EP.nr.502/19 në emër të kompensimit për paluajtshmëri. Borxhi kryesor ishte 30,357 euro, kamata 1,245 euro dhe shpenzime tjera procedurale 3,604 euro;

Ndërsa, pagesa 18,008 euro me vendim gjyqësorë EP.nr.306/18 në emër të kompensimit të pagave mujore për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës nga data 11.04.2014 deri më dt. 31.12.2016 apo 35 muaj e 25 ditë. Në këtë rast borxhi kryesor ishte 12,549 euro ndërsa shpenzimet për kontribute, tatim, kamat, ekspertizë, përmbarim ishin në vlerë 5,459 euro.

Pagesa e shumës 5,000 euro sipas vendimit E.nr.794/15 në emër të gjobës për shkak të mos zbatimit të Aktvendimit A/02/428/1/2015 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për SHCK, të dt.04.12.2015.

Sipas auditorit, komuna kishte kundërshtuar ekzekutimin e pagesave duke u bazuar në arsyet e dhëna megjithatë pretendimet ishin të pasuksesshme për faktin që gjykata kishte vendosur në disfavor të komunës.

“Pagesat e detyrueshme me vendim gjyqësor, jo vetëm që e kanë ndikuar në shpenzimin e buxhetit të destinuar për qëllime tjera, por kanë vënë në rrezik implementimin e projekteve apo arritjen e objektivave komunale të parashikuar me buxhetin e këtij viti. Kjo ka rezultuar edhe me kosto shtesë buxhetore si rezultat i ngarkesave në emër të kamatave, shërbimeve gjyqësore dhe të përmbarimit”, ka shkruar auditori në raport.

Po ashtu, auditori ka renditur edhe disa shkelje tjera të kësaj komune që ka bërë në vitin e kaluar, ndërkohë ka dhenë edhe rekomandimet se si të evitohen ato në të ardhmen. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat