Spitali i Pejës zbaton fazën e tretë të situatës emergjente, shkak numri i madh i pacientëve - Bota Sot
Spitali i Pejës zbaton fazën e tretë të situatës emergjente, shkak numri i madh i pacientëve

Peja

Spitali i Pejës zbaton fazën e tretë të situatës emergjente, shkak numri i madh i pacientëve

Më: 28 korrik 2020 Në ora: 20:55
Spitali i Përgjithshëm të Pejës

Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, të hënën nga koronavirusi kanë vdekur edhe dy paciente. Aktualisht në këtë spital po trajtohen 70 pacientë, prej të cilëve 6 janë në gjendje të rëndë dhe 32 të tjerë në oksigjenoterapi.

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të rasteve të reja me COVID-19, në këtë spital të martën kanë filluar të përgatiten hapësira të reja për trajtimin e këtyre pacientëve, në kuadër të fazës së tretë emergjente e krijuar në këtë spital për shkak të pandemisë.

“Pasi që reparti i infektives është mbushur e po ashtu edhe kati i parë i pulmologjisë, po ashtu edhe reparti i dermatologjisë, jemi në përgatitje gjatë ditës së sotme me të gjitha pajisjet e nevojshme që t’i pranojmë në katin e dytë të pulmologjisë edhe 20 deri 25 pacientë”, ka thënë zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti.

Sahiti pranon se kjo situatë ka shkaktuar goxha probleme në spital në kuptimin e organizimit, mirëpo mundësia për pranimin deri në 200 pacientë me COVID-19 në këtë spital ende nuk është shterur.

“Planet janë në lëvizje e sipër gjithmonë në bazë të situatës. Aktualisht kemi mbushjen e repartit të pulmologjisë, sigurisht që do të lirohen hapësira të tjera në bllokun e internos”, është shprehur ai.

Prej 21 reparteve me kapacitete të ndryshme, vetëm kirurgjia, gjinekologjia dhe pediatria nuk do të vihen në dispozicion për pacientë me COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, në këtë komunë janë diagnostikuar rreth 250 persona me COVID-19, prej të cilëve 9 kanë vdekur dhe aktualisht janë 80 raste aktive. Sipas drejtorit të Shëndetësisë, Petrit Loci, situata është bërë e rëndë në Pejë.

“E vetmja masë që mund të ndikojë në uljen e të prekurve është disiplina dhe kujdesi qytetar”, ka thënë Loci, raporton ktv.

Megjithatë, disiplinë e kujdes nga qytetarët nuk vërehet aq në Pejë. Por secili që zihej nga policia pa i respektuar masat u shqiptohej gjobë dhe i jepej maskë. Në Komunën e Pejës, sipas komandantit të Stacionit Policor, Ndue Nikolla, policia shqiptoi 427 gjoba për mosbartje të maskës, prej tyre 130 vetëm të hënën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat