Muhaxheri fajëson politikën dhe pret qeverinë e ardhshme për “Borean”

Peja

Muhaxheri fajëson politikën dhe pret qeverinë e ardhshme për “Borean”

Më: 3 janar 2021 Në ora: 11:18
Gazmend Muhaxheri

Pas një periudhe të gjatë, në shtator të 2018-s kishte nisur puna për ndërtimin e kompleksit rekreativo-sportiv “Borea” në Pejë. Kjo qendër që është vetëm 900 metra larg qytetit të Pejës e që parashihte të punësonte rreth 500 persona qysh në vitin e parë të funksionimit të saj ka ngecur. Punimet për këtë qendër u ndërprenë për arsye të pezullimit të lejes së ndërtimit nga Ministria e Ambientit gjatë Qeverisë Haradinaj.

Arsyet se pse ky projekt ka ngecur për kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, fajtor është politika.Muhaxheri, në intervistën për KosovaPress, thotë se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që më vonë sipas një organizimi të ri u shndërrua edhe në Ministri të Ambientit, vonoi me procedurat për kalimin e zoonimit të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” në Qeveri e Kuvend.

Megjithatë, pengesat, Muhaxheri thotë se i kanë shkaktuar njerëz të caktuar të politikës.

Muhaxheri: “Borea” është projekti më i madh, kemi probleme me Ministrinë e Ambientit

“Është projekti më i madh, jo vetëm në Pejë por edhe në gjithë Republikën e Kosovës. Prapë kemi problemin me Ministrinë e Planifikimi Hapësinor (më vonë në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit) e cila përkundër obligimeve ligjore që ka pasur që tetë vite nuk e ka kaluar zoonimin e projektit nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe tash kjo po paraqitet si pengesë dhe pse nuk ishte dashur të ishte pengesë, unë besoj që më tepër është pengesë politike e caktuar prej njerëzve të caktuar në këtë ministri për të penguar Komunën e Pejës në realizimin e projektit madhor që nuk është vetëm për komunën e Pejës, por ka impakt edhe për komunën e Klinës, Deçanit, Istogut e besoj edhe të Junikut”, tha Muhaxheri për KosovaPress.

Megjithatë, plani i zoonimit të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna” është në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të pritet legjislatura e re që do të dalë prej zgjedhjeve të reja për të çuar përpara edhe projektin e “Boreas”.

Muhaxheri ka shpresë edhe në qeverinë e re dhe ministrat e rinj që pret edhe nga ta që ta shtyjnë përpara këtë projekt të rëndësishëm për Komunën e Pejës.

Muhxheri: Komunës i mbetët të presë qeverinë e ardhshme për të çuar përpara “Borean”

“Komuna është para një sfide të madhe sepse më në fund pas 8 vjetëve plani i zoonimit të parkut nacional ka shkuar në Qeveri, prej aty është përcjellë në parlament dhe tash falë rrethanave që po paraqiten nuk do të mund të votohet dhe duhet të pritet qeveria e ardhshme, vullnetin e zyrtarëve të rinj dhe ministrave të rinj në ministri për të çuar përpara”, deklaroi Muhaxheri.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në intervistën për KosovaPress, duke folur për vitin 2020 thotë se përhapja e COVID-19 nuk u bë pengesë për Pejën që të realizojë disa nga projektet e planifikuara.

Muhaxheri thotë se 85 përqind e projekteve që ishin paraparë kanë përfunduar, duke shtuar edhe se buxheti i aprovuar vonë kishte vonuar procedurat e prokurimit.

Me theks të veçantë, ai përmend edhe tenderimin e autostradës Kijevë-Zahaq për të cilin thotë se do të ketë ndikim të madh në zhvillimin e komunës së Pejës.

Muhaxheri: Tenderimi i autostradës Kijevë-Zahaq do të ketë ndikim në zhvillimin e Pejës

“Ne kemi pasur shumë projekte dhe kemi arritur t’i realizojmë mbi 85 përqind të projekteve. Kemi pasur 15 projekte me ‘Demos’ dhe 14 prej tyre kemi arritur t’i përfundojmë, vetëm projekti i 15 nuk është arritur që të shpenzohet komplet buxheti ashtu siç ka qenë e paraparë. Ajo që do të ndikojë në të ardhmen në qytetin e Pejës është tenderimi i autostradës Kijevë-Zahaq e cila do të ketë impakt të madh në zhvillimin e qytetit të Pejës sepse do ta afrojë Aeroportin e Prishtinës për qytetarët e Pejës për më pak se 30 minuta dhe Prishtinën për më pak se një orë, pra do të mundësojë qarkullimin e shpejtë dhe të lirë të njerëzve dhe mallrave Prishtinë-Pejë dhe prej Pejës në Prishtinë”, tha Muhaxheri.

Në lidhje me menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19, Muhaxheri thotë se ia kanë dalë mjaft mirë, përkundër sfidave që i patën. Sipas tij, të gjitha hallkat e sistemit primar shëndetësor kanë funksionuar si duhet.

Ata që pësuan më shumë nga pandemia ishin edhe bizneset të cilët Muhaxheri thotë së kanë pranuar vetëm ndihmën e Qeverisë së Kosovës.

Ankesat më të mëdha në drejtim të Komunës, ai thotë se erdhën nga gastronomet për shkak të orarit të kufizuar për të ushtruar veprimtarinë.

Muhaxheri: Komuna nuk i ka subvencionuar bizneset

“Komuna nuk i ka subvencionuar (bizneset) por qeveria me pakon. Pakoja e parë fiskale ka qenë një ndihmë e mirë për bizneset, kjo pakoja e dytë është vonuar pak por besoj që edhe kjo do të jetë një ndihmë e madhe për bizneset. Sidomos tani njerëzit kanë marrë edhe të hyrat prej Trustit dhe është një shumë e konsiderueshme për ekonomitë familjare. [...] Zakonisht këta të gastronomisë janë ankuar shumë për orarin që ka qenë i shkurtuar. Kërkesa kryesore ka qenë e këtij sektori”, është shprehur Muhaxheri. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat