Hoxhaj takon veteranët në Pejë: Vota për PDK-në, votë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Peja

Hoxhaj takon veteranët në Pejë: Vota për PDK-në, votë për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Më: 29 janar 2021 Në ora: 21:09
Enver Hoxhaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka qëndruar sot në Pejë, ku është takuar me veteranët e kësaj komune, të cilëve u ka premtuar rritje të pensioneve për 30 për qind.

Hoxhaj ka theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeli i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kjo është arsyeja që vetëm PDK-ja mund ta rimëkëmbë shtetin e Kosovës.

“Nëse dikush mendon që Gjykata nuk është e ndërlidhur shumë edhe me të ardhmen e Kosovës, por ka të bëjë veç me fatin individual të këtyre njerëzve, është gabim. Ka një përpjekje për një lloj zhbërje graduale, një lloj çmontimi gradual, një lloj shthurje graduale të shtetit të Kosovës dhe sikurse e ka thënë Xhavit Haliti, nëse ka subjekt politik, i cili duhet ta parandalojë këtë është Partia Demokratike e Kosovës, se UÇK është themel i shtetit, UÇK është ADN-ja jonë dhe nëse ka subjekt politik i vetmi i cili mund ta parandalojë këtë përpjekje për shthurje, zhbërje te shtetit të Kosovës, jemi ne si parti politike”, ka thënë ai.

Derisa shpalosi planin e PDK-së për veteranët, Hoxhaj edhe nga Peja i ka bërë thirrje kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të përballet në debat me të edhe për temën e veteranëve.

“Unë po i them çdo ditë, hajde dil në mejdan, hajde dil matu, debatojmë, me arsye të fortë. Ne e kemi ndërmend të rrisim pensionet për veteranëve prej 170 në 300 euro në muaj. Nuk është premtim, është zotim. Qysh i ka rritur Hashim Thaçi sa ka qenë kryeministër, në qeverinë që do ta udhëheq unë do t’i rrisë pensionet për veteranët në 300 euro. Është vendimi i parë që do ta nënshkruaj kur të bëhem kryeministër. Ne nuk do t’ia ndalojmë dikujt pensionin nëse dikush ka kontratë pune, nuk do të ndodhë kjo. Ne nuk do t’ia japim një pension një familjeje, nëse i ka tre dëshmorë, po tri pensione. Do t’i rrisim pensionet për të gjithë ata që janë të moshuar në 40 për qind, për ata që kanë kontribut 30 për qind. Dhe unë i them z. Kurti, hajde bisedojmë për këtë temë se është e rëndësishme për juve. Në demokraci duhet me pas ballafaqim, nuk duhet me ikë, nuk duhet me i ikë debatit”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka theksuar se gjatë mandatit të tij do t’i rrisë pagat edhe për mjekët, infermierët, mësimdhënësit.

Derisa ka kërkuar votën e veteranëve për Partinë Demokratike të Kosovës, ai ka thënë se PDK-ja është projekt kombëtar, e cila ka lindur prej njerëzve që i kanë zhvilluar idetë e lirisë nëpër burgje.

“Ne përnjëmend i bashkojmë krejt veteranët, edhe në Dukagjin, edhe në Llap, edhe në Anamoravë, edhe në Drenicë, edhe kudo. E kësaj here, hatri i Hashimit, hatri i Kadriut, hatri i shokëve tanë në Gjykatë dhe mbi të gjitha thënë hatri i idealeve tuaja që i keni besuar këtij vendi, që ka me qenë i lirë, i pavarur dhe sovran, kur ka qenë në kohën më të errët të okupimit serb, duhet të dilni në mënyrë masive ta votoni PDK-në dhe vota për PDK-në do të jetë votë për Hashimin dhe Kadriun”, ka thënë ai.

Para veteranëve, votën për Partinë Demokratike të Kosovës e kanë kërkuar edhe kandidatët për deputetë nga kjo komunë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat