Kuzhina humanitare “Bereqeti” në Pejë, çdo ditë ushqen 300 nevojtarë

Peja

Kuzhina humanitare “Bereqeti” në Pejë, çdo ditë ushqen 300 nevojtarë

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 19:14
Foto

Kuzhina humanitare “Bereqeti” në Pejë që është funksionale që nga viti 2015. Aty shërbehen me ushqim çdo ditë rreth 300 nevojtarë.

Shkurte Lajçi e cila jeton e vetme prej katër vitesh ushqehet nga kjo kuzhinë.

“Jetoj e vetme në Pejë. Faleminderit prej tyre që po na japin bukë. Ushqehem këtu prej katër vitesh dhe asnjëherë nuk kam pasur problem”, deklaron e moshuara.

Falënderimet ndaj tre hoxhallarëve që e mbajnë kuzhinën humanitare janë të shumta.

“Ushqehem në këtë kuzhinë humanitare nga fillimi i saj. Jam shumë i kënaqur me shërbimin që na ofrojnë. Çdo gjë është në rregull. Higjiena është në nivel. Ju falënderohem edhe hoxhallarëve dhe të gjithë donatorëve”, deklaron Shkelzen Spahija.

Pandemia ka prekur edhe kuzhinën në  disa dimensione. Hoxhë Ermir Gega thotë se janë mbajtur falë donatorëve por që sipas tij në pandemi numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë është shtuar ndjeshëm.

“Pandemia ka prekur çdo sektorë përfshirë edhe bamirësinë dhe shoqatën tonë, mirëpo njerëzit e shtuan dëshirën për të ndihmuar të tjerët. Kërkesat janë shtuar shumë por falë bamirësve edhe gjatë pandemisë por edhe tash ia kemi dalë”, deklaroi Ermir Gega.

Pos ushqimeve Gega thotë se shpërndajnë edhe veshmbathje dhe dru për ngrohje gjatë stinës së dimrit.

Hoxha është falënderues ndaj të gjithë atyre që tregojnë zemërgjerësi dhe nuk ngurrojnë të ndihmojnë të tjerët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat