Loci: Peja është e gatshme për ta filluar vaksinimin kundër COVID-19

Peja

Loci: Peja është e gatshme për ta filluar vaksinimin kundër COVID-19

Më: 1 prill 2021 Në ora: 18:15
Petrit Loci

Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar vaksinimin kundër COVID-19 nga dita e nesërme.

Ai ka theksuar se ata i kanë pranuar 1,000 doza të vaksinës “AstraZeneca”.

“Vaksinimi do të vazhdojë çdo ditë, në ditët e vikendit si dhe në ditët e festave. Personat që do të vaksinohen janë punonjësit shëndetësor të Spitalit Rajonal të Pejës, të Qendrës Kryesore Familjare dhe të njësive të saj, të Qendrës së Shëndetit Mendor, të degës rajonale të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës si dhe pacientët që janë në dializë”.

“Këto, 1,000 vaksinat do të mjaftojnë për t’u vaksinuar të gjithë ata që ne e kemi planifikuar, gjithçka do të shkojë sipas planit. Ndërsa nuk do të ketë ndonjë ceremoni rreth asaj se kush do të jetë i pari që do të vaksinohet, shpresojmë që thirrjes tonë t’i përgjigjen të gjithë”.

Loci ka theksuar se interesi për vaksinim është në rritje që nga momenti kur është deklaruar se vaksinimet do të fillojnë në Pejë.

“Interesi për vaksinim është në rritje, shpresojmë se kampanjat për sensibilizim do të rrisin numrin e të personave të interesuar për vaksinim. Po ashtu, shpresoj se do të vijnë edhe vaksinat tjera siç është planifikuar nga Ministria e Shëndetësisë”.

Ai ka deklaruar se gjendja me COVID-19 në këtë qytet është e menaxhueshme përkundër numrit të lartë të të prekurve.

“Në Spitalin Rajonal të Pejës të shtrirë i kemi 80 pacientë që janë të prekur me koronavirus. Javët e fundit kemi një rritje enorme të rasteve pozitive me COVID-19 në krahasim me javët me parë. Situata është në kontroll, besoj dhe shpresoj se do të kemi rënie të numrit të të prekurve”, ka thënë Loci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat